Muzeu etnografik në Pejë, me relikte interesante nga Rugova e Rrafshi i Dukagjinit

 

Ajo që bie në sy në këtë muze janë galeritë me veshjet karakteristike të Rugovës e të Rrafshit të Dukagjinit, ku spikasin ngjyrat dhe mjeshtëria e tekstileve, bashkë me produktet artizanale nga metali dhe druri i gdhendur, që shndrisin  dhomat e këtij muzeu.

Nga Rexhep Rifati

Në Kosovë thuaja se çdo qytet pak sa më i madh ka një muze etnografik, ndërsa disa nga muzetë kanë edhe karakter rajonal, siç është rasti edhe me Muzeun Etnografik regjional në Pejë. Këtë muze e vizitova dy herë dhe ajo që më la më tepër përshtypje ishte vet objekti, por edhe disa nga artefaktet që ndodhen brenda tij.

Muzeun e bënë të veçantë, vet Konaku i Tahir Beut i ndërtuar qysh në vitin 1800. Mësojmë se ky konak deri në vitin 1960 ishte në qendër të qytetit e më vonë u bart në Sheshin “Haxhi Zeka”, ku tani është, dhe shfrytëzohet për muze etnografik.

Ky objekt i kthyer në muze shquhet edhe me hajatin e një shtëpie mesjetare, si hapësirë e lirë dhe e hapur në përdhese, ngritur mbi shtylla druri, e që duhet parë si një vazhdimësi të tremes-peristilit të shtëpisë antike. Përndryshe muzeu përbëhet nga Sektori i Etnologjisë, me një koleksion nga sektori i Historisë dhe një numër shumë të vogël nga eksponatet e Arkeologjisë. Sipas disa të dhëna, pas luftës, në vitin 2000, u hap ekspozita e parë etnologjike me karakter të përhershëm, në të cilën janë ekspozuar mbi 450 relikte të ndryshme muzeore.

Në mesin e eksponateve, në këtë muze, vlen të përmenden armë, që  datojnë që nga shek. XVIII – XX dhe janë të punuara e të zbukuruara me një mjeshtri të rrallë nga mjeshtërit vendas. Prej armëve të ftohta, paraqiten: jatagani dhe thika, ndërkaq prej atyre të zjarrit: pushka e gjatë me emrin “karajfile”, pastaj thupra baroti, etj.

Në këtë shtëpi të stilit tradicional të  “konakut“ ruhen koleksionet e artefakteve etnografike si dhe rekonstruktime nga të cilat mund të krijojmë një lidhje me elegancën e jetës qytetare të së kaluarës në Kosovë. Sot atë mund ta vizitoni dhe të shihni  të ekspozuara në galeri të ndryshme artizanale tradicionale kombëtare dhe veshjet karakteristike të Rugovës e të Rrafshit të Dukagjinit. Ngjyrat dhe mjeshtëria e tekstileve dhe produktet artizanale nga metali dhe druri i gdhendur shndrisni në dhomat e vjetra të muzeut.

Muzeu përmes faqes së tij në fb bënë me dije se 17 Shkurti, Dita e Pavarësisë se Kosovës, u shënua me zbulimin e mbishkrimit te ri, vitrinave ekspozuese dhe punimeve tjera restauruese, te kryera kohë me parë në këtë muze.  Ndej edhe muzeu falënderon Ambasadën Amerikane ne Kosove dhe MKRS-Departamenti për Trashëgime për mbështetje financiare si dhe QRTK-IMM te Pejës dhe OJQ “ Human” për angazhim ne realizimin e këtyre projekteve.

Krahas fotove që shkrepa me 8 Nëntor 2018, huazove edhe disa foto nga vet faqja e muzeut , ku shihet se ky muze vizitohet mjaft shume jo vetëm nga nxënës e studentë por edhe vizitorë të huaj që janë kureshtar të mësojnë për trashëgimin etno- kulturore të këtij regjioni. Ndër këto foto hasa edhe një nga vizita një grupi nga Amerika dhe Australia.