Mos nxitoni të kërkoni kthimin e kontributeve!

Informatë për qytetarët e Republikës së Kosovës që kanë punuar në Zvicër e që në ndërkohë janë kthyer të jetojnë në Kosovë si dhe për trashëgimtarët e tyre, mbi situatën e krijuar rishtas pas vendimit të fundit të gjyqit federal të Zvicrës.

 Mos nxitoni të kërkoni kthimin e kontributeve!

Edhe pas vendimit të fundit të Gjyqit Federal të Zvicrës qytetarët ë Kosovës që kanë punuar e jetuar në Zvicër dhe që për së paku një (1) vit kanë paguar kontributet në sigurimet shoqërore të Zvicrës dhe në ndërkohë kanë lëshuar Zvicrën apo janë kthyer në Kosovë, nuk do të humbin të drejtën e përfitimit të pensionit të pleqërisë e të trashëgimtarëve.

Ne jemi të bindur se së shpejti do të arrihet një marrëveshje e re mbi sigurimet shoqërore mes Zvicrës dhe Kosovës, e cila do të mundësoj sërish pagimin e pensioneve të invaliditetit, të pleqërisë dhe të trashëgimtarëve. Andaj, nuk ekziston asnjë domosdoshmëri që të kërkoni menjëherë kthimin e kontributeve, nëse nuk ndodheni para moshës së pensionit të pleqërisë, respektivisht nëse nuk ndodheni para mbarimit të afatit të parashkrimit (vjetrimit).

Me tërheqjen e kontributeve hiqni dorë përfundimisht nga çdo e drejtë në pensione.

E drejta në kthimin e kontributeve vjetrohet pesë vite pas rastit të sigurimit (rasti i invaliditetit, arritjes së moshës së rregullt të pensionit 64 vjeç për femra dhe 65 vjeç për meshkuj apo pesë vite pas vdekjes së personit, nga i cili rezultojnë përfitimet për trashëgimtarët). Prandaj nuk është e udhës të kërkoni me nxitim kthimin e kontributeve. Në rast të mosarritjes së marrëveshjes së re kontributet tuaja mund të tërhiqen, para skadimit të afatit pesëvjeçar të vjetrimit pas arritjes së moshës së pleqërisë.  .

Personat e ndryshëm, avokatët ose të vetëquajturit “këshilltarë”, për të marrë nga kontribut-paguesit e kthyer nga Zvicra shuma të caktuara parash, operojnë me deklarata të rreme nëpër portale të ndryshme dhe media në gjuhën shqipe. Pra këto deklarata bëhen vetëm për interesin e përfitimit personal të tyre, andaj ata edhe informojnë me qëllim gabimisht qytetarët e prekur, kontribut-paguesit dhe pensionistët e kthyer nga Zvicra dhe familjarët  tyre.

 Enti federal për Sigurime Shoqërore i Zvicrës përmes Informatës zyrtare në gjuhët vendore si dhe në shqip e serbokroatisht ju informon mbi hollësitë e procedurave me dhe pa marrëveshje ndërshtetërore në mes të Kosovës dhe Zvicrës. Informacionet mund t’i gjeni pranë Entit Federal për Sigurime Shoqërore të Zvicrës të publikuar në këtë faqe të internetit:

http://www.bsv.admin.ch/themen/internationales/aktuell/index.html?lang=de

 Nëse megjithatë keni mëdyshje apo paqartësi në rastin tuaj konkret atëherë mund të drejtoheni përmes E-Mailit: ruzhdi.ibrahimi@unia.ch dhe osman.osmani@unia.ch, apo edhe në info@prointegra.ch dhe brenda një kohe të arsyeshme do të merrni përgjigje mbi mundësinë e veprimit.