Kërmarini apo Campomarino, përplot murale me figura kombëtare

Në mesin katër bashkive arbëreshe në provincën e Kampobases të zonës së Molisës në Italisë jugore, qyteza arbëreshe Kërmarini apo Campomarino ( me rreth 7 mijë banorë), shquhet me piktura të shumta në muret e rrugëve kryesore, ku pasqyrohet jo vetëm migrimi nga trojet arbërore, por edhe figurat madhore siç janë Skënderbeu e Nëna Terezë.

Teksti e fotot: Rexhep Rifati

Jo vetëm që është karakteristike por edhe kënaqësi e veçantë për çdo shqiptar, që kur viziton katundet arbëreshe në Jug të Italisë, tek secili nga ta gjen diçka unike, të veçantë, që të josh e impresionon. Ngjashëm ishte edhe në vet provincën e Kampobases të zonës së Molisës, ku nga katër katundet, apo bashkitë arbëreshe në këtë zonë me bashkudhëtaret e mi nga Zvicra: Gjergj Prenkoçaj dhe Shefqet Cakolli, pasi kishim vizituar më parë Rurin (Ururi) e Portokanunin diku pas orës 19.30 minuta të datës së 21 Korrikut të vitit 2019 u gjendem në Kërmarini apo Campomarino.

Edhe në muzgun e kësaj mbrëmjeje verore, vetëm dy-tre kilometra nga Adriatiku, mjaft nga banorët kishin shtrirë bisedën para restoranteve me pije të zakonshme ditore, ndërsa që freskia e detit sikur depërtonte rrugëve të kësaj qyteze muret e së cilave ishin përplot murale me figura arti dhe të personaliteteve të shquara kombëtare. Ndaj edeh pikërisht shtëpitë, mjaft nga to edhe shekullore dhe muralet, bashkë me sheshin e katedralet, sikur u bënë pjesë e pandashme e foto-objektivit.

Përndryshe Kërmarini ( në gjuhën italiane Campomarino)  që ndodhet vetëm në veri të përroit të Saccione, shënon edhe kufirin midis Molise dhe Puglias, qyteti ky vetëm rreth 2 km nga deti Adriatiku, në një zonë të sheshtë që favorizon bujqësinë, kryesisht vreshtat e ullinjve.

Nga bashkitë arbëreshe të Provincës së Kampobasos, që ruan në masë kulturën dhe gjuhën arbëreshe, ishte vetëm Munxhufuni që kësaj radhe nuk arritëm ta vizitonim.  Mesa arritëm të mësojmë edhe nga shkrimet e mëhershme, territori i Këmarinit ka qenë i banuar që në mileniumin e parë, por që për ne është i rëndësishëm të dihet  se vetëm në  shekullin e pesëmbëdhjetë qyteti u rindërtua dhe ripopullua nga emigrantët shqiptarë, të detyruar të lënë atdheun e tyre për shkak të hyrjes së Perandorisë Osmane në Ballkan.

Wikipedia bën të ditur se: “ Nga 1461-1470, Gjergj Kastrioti Skënderbeu, heroi shqiptar Princ i Krujës, i dërgoi një forcë ekspeditëse prej rreth 5.000 shqiptarëve të udhëhequr nga nipi i tij Koiro Stres Balsha në ndihmë të Ferdinantit I të Aragoniës në luftën kundër Joan Anzhu.

Koiro Stres Balsha mundi, më 18 gusht 1461, në Liqenin i Gjakut, të vendosura në mes grekëve dhe Troy Orsara e Pulias, partizanët e Gjonit të Anjou udhëhequr nga Piccinino. Popullsia, dhe gjithashtu Këmarini, pësoi atë që ishte atëherë historia e kolonive shqiptare në Itali, migrimi i tretë. Për shërbimet e kryera, iu dhanë Skenderbeut drejtat feudale të Monte Garganos, San Giovanni Rotondos dhe Tranit dhe iu lejua ushtarëve dhe familjeve të tyre për tu vendosur në territore të tjera. Kolonët shqiptarë jetuan në mënyrë paqësore për një kohë të gjatë me popullsinë lokale.

Edhe atë mbrëmje të 21 Korrikut të vitit 2019, Kërmarini apo Campomarino, na la një përshtypje të tillë shekullore, se edhe më tej këtu mbretëronte qetësia e paqja midis banorëve, aq më parë kur shihje flamuj festash në çdo ballkon të shtëpive të këtushme.

Dëshira ime është që sërish ta vizitoj këtë zonë, por që të kemi më shumë kohë për të shijua jo vetëm ambientin por mikpritjen e vëllezërve të këtushëm arbëresh.