Marrëveshje bashkëpunimi në TIRANË mes Prointegres dhe Fondit Shqiptar për Zhvillimin e Diasporës

Fondi Shqiptar për Zhvillim i Diasporës, drejtuar nga Majlinda Vogli, firmosi një marrëveshje bashkëpunimi me kryetarin e shoqatës Prointegra në Zvicër, Osman Osmani, me synim bashkëpunimi në projektet që synojnë mbështetjen dhe nxitjen e zhvillimit socio-ekonomik e kulturor të shqiptarëve në Republikën e Shqipërisë, Republikën e Kosovës dhe  jashtë saj, me anë të shkëmbimit të njohurive dhe burimeve në funksion të interesit të ndërsjellë të palëve.

Gazeta “Diaspora Shqiptare”, me të cilën tash e sa kohë ka një bashkëpunim portali ynë prointegra.ch, njofton se dje në Tiranë u nënshkrua një marrëveshje bashkëpunimi nga Fondi i Zhvillimit të Diasporës dhe Prointegra, me seli në Cyrih të Zvicrës. Me këtë rast po e japim tekstin integral:

Pandemia që pushtoi botën në fillim të këtij viti, përtej ndikimit rrënjësor që pati në jetën e secilit individ në tokë, vërtetoi një përshtypje të krijuar prej kohësh në shoqërinë shqiptare: Janë pjekur kushtet që Diaspora Shqiptare, të kontribuojë në vendlindje. Këtë e vërtetuan dhjetëra mjek e profesionistë të cilët çdo ditë, përtej angazhimeve profesionale, luftës me covid etj. ishin në mediat shqiptare për të shpjeguar, për të informuar e për të qetësuar bashkëkombësit e tyre.

Në gjithë këtë situatë pothuajse në shprehjet e të gjithëve lexohej qartë dëshira për të kontribuar në vendlindje.

Sot një hap i parë në ndërtimin e një strukture të veçantë për evidentimin dhe komunikimin e profesionistëve shqiptarë në Diasporë është hedhur. Rrjeti i Profesionistë të Diasporës një projekt i Fondit Shqiptar të Zhvillimit për Diasporën i cili synon të krijojë të bazë të dhënash.

E për të funksionuar ky rrjet duhet të kontribuojnë të gjithë dhe guri i parë i themelit parë u vendos, me profesionistët nga Zvicra.

Ditën e djeshme e Fondit Shqiptar të Zhvillimit të Diasporës, Majlinda Vogli firmosi një marrëveshje bashkëpunimi me themeluesin dhe kryetarin e shoqatës Prointegra në Zvicër, Osman Osmani.

Kjo marrëveshje u lidh në sajë të dëshirës së të dy palëve për të bashkëpunuar për realizimin e projekteve që synojnë mbështetjen dhe nxitjen e zhvillimit socio-ekonomik e kulturor të shqiptarëve në Republikën e Shqipërisë, Republikën e Kosovës  dhe  jashtë saj, me anë të shkëmbimit të njohurive dhe burimeve në funksion të interesit të ndërsjellë të palëve.

“Jam shumë i kënaqur që kemi arritur të shprehim një formalizim, dhe një bashkëpunim institucional mes Prointegrës dhe Fondit Shqiptar për Zhvillimin e Diasporës” u shpreh Osmani.

Ndërsa drejtoresha e Fondit shqiptar për Zhvillimin e Diasporës e vlerësoi gadishmërinë e bashkëpunimit dhe shfrytëzimin e resurseve të përbashkëta për krijimin dhe plotësimin e rrjetit të profesionistëve të Diasporës Shqiptare.

Osmani ritheksoi edhe një herë dëshirën e njerëzve të angazhuar në komunitet si ai për të bashkëpunuar me vendet e origjinës.

“Dëshira jonë është që të jemi të përfshirë në politikat ndërshtetërore që kanë të bëjnë më zhvillimin dhe bashkëpunimin. Me politikat shtetërore nënkuptoj bashkëpunimin me institucionet edhe nga vendi rezident, pra aty ku jetojmë dhe punojmë por edhe nga institucionet e vendit amë. Ne si komunitet, si njerëz të angazhuar si profesionistë apo si aktivistë shqiptaro-zvicerian gjithmonë kemi qenë të motivuar që të japim një kontribut dhe në zhvillimet në vendet amë”, tha ai

Prointergra është një nga shoqatat me aktivitet të gjatë në Zvicër misioni i së cilës është ndërtimi i një Instituti të sheshtë mbarëkombëtare për integrimin, pjesëmarrje dhe mbështetje dhe këshilla për emigrantët, në mënyrë që ata të arrijnë aftësinë e krijimit të një forme të pavarur dhe të suksesshme në jetën e tyre të përditshme, për  ti mundësuar pjesëmarrjen në të mirat sociale dhe mund të arrijnë bashkëjetesën e mirë me vendasit, me qëllim përfundimtar arritjen e (gjithë)përfshirjes në shoqëri.

“Komuniteti shqiptar është shumë i madh, flitet për një numër shkon afër gjysmë milioni. Mirëpo komuniteti është shumë i larmishëm dhe nuk është i organizuar. Mund të them se një organizim shoqëror mungon dhe në vendin amë dhe kjo ndoshta është pasojë që komunitetit jonë në asnjë vend  jashtë vendit tonë  nuk është i organizuar në nivelin e kënaqshëm. Siç janë p.sh. komunitete të tjera që kanë një traditë të organizimit komunitar.

Ne kemi dëshirë që më në fund të fillojmë, profesionistët, aktivistët dhe shoqatat shqiptare të cilët e kanë mbajtur gjallë, frymën kombëtare, gjuhën, kulturën e traditën shqiptare, të cilët janë angazhuar që komuniteti shqiptar te ketë një pozitë më të mirë në shoqëritë ku jetojnë si dhe ndërmarrjet e reja që kanë krijuar përvoja të reja në vendet që janë të zhvilluara, që atë përvojë atë eksperiencë qoftë në rrafshin arsimor, profesional, ekonomik e kulturor ta bartin në vendlindje.  Sepse të gjithë dëshirojmë vendin amë ta kemi të zhvilluar pak a shumë në nivelin e shoqërive ku jetojmë. Shohim cilat janë përparësitë  për jetesë më të mirë dhe duam që edhe familjarët, e shoqëria në vend amë të ecë në të njëjtën rrjedhë.

Nga një bashkëpunim i tillë synojmë të arrijmë në një gjendje ku të merremi seriozisht nga shoqëria dhe nga vendi jonë. Veçanërisht nga institucionet kanë një detyrë publike që të mundësojnë shërbime të tilla. Ne në Zvicër luftojmë për njohjen si komunitet por edhe për njohjen e gjuhës shqipe si të barasvlershme me gjuhët e tjera”, përfundoi Osmani

( Me këtë rast falënderojmë për pjesëmarrje me rastin e nënshkrimit të marrëveshjes kolegen tonë, Yllka Lezo drejtoreshë te  Gazeta “Diaspora Shqiptare”)