Nëpërmjet rrëfimeve të trashëguara brez pas brezi dhe kujtesës kolektive të arbëreshëve, kjo ese sjell në vëmendje figurën e zonjës Adelina Basile nga Santa Sofia d’Epiro – një prej atyre grave të heshtura që, me gjilpërë dhe fije, qepën identitetin kulturor të një popullsie të tërë.
Nga Ornela Radovicka,
Qendra Albanologjike
Kërkime mbi gjuhën dhe kulturën arbëreshe
Themeluar nga Atë Bellusci
Një jetë e lindur në traditë
Adelina Basile lindi në vitin 1916, në një familje arbëreshe ku kujtesa historike dhe ndjenja e përkatësisë kulturore jetonin si pjesë e përditshmërisë. Ajo u rrit në një mjedis ku tradita nuk ishte thjesht e trashëguar, por e jetuar, e respektuar dhe e mbrojtur me fanatizëm.
Së bashku me Serafina Baffa, Erminia Miracco dhe Risaria di Pigiono, Adelina Basile ishte ndër rrobaqepëset më të njohura të Shën Sofisë – gratë që veshën vajzat dhe gratë arbëreshe me kostumet e tyre madhështore, duke i dhënë formë një trashëgimie që ende sot rrezaton identitet.
Rrobaqepësia si akt solemn
Këto rrobaqepëse nuk ishin thjesht artizane. Ato ishin kujdestare të një kodi kulturor. Çdo qepje, çdo prerje, çdo gjilpërë e hedhur ishte e matur, e menduar dhe e ngarkuar me domethënie. Sytë e tyre ndiqnin me përqendrim absolut harmoninë mes prerjes dhe qepjes, sepse çdo kostum ishte një vepër arti në vetvete.
Në fijet e ndërthurura me durim e përpikëri bashkoheshin historia, rrëfimi, riti dhe kultura – një dialog i vazhdueshëm mes traditës dhe detyrimit moral për ta mbajtur atë gjallë. Brenda atij rigoroziteti estetik ruhej një dimension i thellë njerëzor, një etikë e heshtur e përkushtimit.
Kostumi arbëresh – një filozofi identitare
Kostumi arbëresh nuk ishte thjesht veshje. Ai përfaqësonte një filozofi jetese. Çdo element i tij ishte një “kod” më vete – një gjuhë simbolike që komunikonte sensualitetin, elegancën, përkatësinë familjare dhe mbi të gjitha humanitetin.
Përmes kostumit përcillej rrugëtimi jetësor i vajzës arbëreshe: nga momenti kur shpallej zonjushë, e deri në martesë. Ai ishte status, rregull, disiplinë – i matur me centimetra dhe i respektuar deri në qepjen përfundimtare. Në duart e këtyre rrobaqepëseve strehohej sharmi dhe fisnikëria e bukurisë arbërore.
Mjeshtret anonime të përjetësisë
Adelina Basile dhe bashkëkohëset e saj qepën me mijëra kostume vezulluese, të cilat sot ruhen dhe vishen në festa si vepra arti të gjalla nga nipërit dhe stërnipërit e tyre. Ato mbajnë firmën e padukshme të këtyre “mjeshtreve anonime”, gra që pa zë, por me përkushtim absolut, i dhanë formë një epopeje kulturore gjashtë-shekullore.
Kujtesa si ese e substancës kulturore
Në memorien e arbëreshëve, kujtimet për këto rrobaqepëse qëndrojnë krah për krah me vjershat, këngët e hershme, ritin, gjuhën arbëreshe dhe vetë kostumin. Të gjitha këto elemente sintetizohen në një “ese substance”, që përbën strukturën e identitetit historik të këtij komuniteti unik.
Brezi i viteve ’50–’60 përfaqëson kulmin e asaj fushe ekzistence komunitare, ku njeriu ishte njëkohësisht ajo që ishte dhe ajo që kishte mundësi të bëhej. Mes shekullit XIX dhe fillimit të shekullit XX shënohet edhe kulmi i antropologjisë kulturore të asaj ure lidhëse mes arbëreshëve të djeshëm dhe të sotëm.





















