Në zemër të qytetit të Sarandës ndodhen dy drurë piperi, që këtu e 145 vjet më parë ishin sjellë në formë fidanësh nga Maroku dhe qenë mbjellë nga duart e poetit tonë të madh, Naim Frashërit, derisa punonte në këtë qytet si doganier, meqë rast edhe realizova disa , ku për fat të keq mungonte qoftë edhe një tabelë informacioni
Nga Rexhep Rifati
Gjatë qëndrimit dyjavorë për pushime në Sarandë me rrethinë vizitova edhe disa lokalitete e monumente, por gjithnjë kisha kërshërinë të vizitoj edhe pemën që mbolli Bilbili i gjuhës shqipe, Naim Frashëri, që për afro një shekull e gjysmë ka mund ti mbijetojë kohës, por ku për fat të keq mungon qoftë edhe një tabelë apo mbishkrim sado e vogël për te. Bëhet fjalë për pemën e piperit në Sarandë.
Me disa rreshta në librin e tij këtë pemë e ka shënua edhe poeti që ndërroi jetë muaj më parë, Moikom Zeqo, i cili kishte mësuar nga eksperti Jashar Bello, përgjegjës i Gjelbërimit në Bashki, i cili ka konfirmuar se ajo që thuhej nga banorët në formën e një gojëdhëne, është fakt. Pema është 145-vjeçare dhe është mbjellë në kohën kur, Naim Frashëri punonte doganier në këtë qytet.
Edhe në buzëmbrëmjen e 20 Korrikut 2020, kur vizitova këtë pemë të rrallë me një kujtesë historike, pashë se ajo është në një gjendje jo edhe aq të mirë, marrë parasysh edhe kohën kur është mbjellë, por sidoqoftë, mungesa qoftë edhe një tabele sado të vogël informacioni nuk mund të arsyetohet. Ndërsa që vetëm disa metra larg pemës ndodhet edhe muzeu “Tradita”, ku bë ballinën e murit është gdhendë portreti i Naimit, edhe në shenjë të punës dhe jetë së tij në këtë qytet, perle të detit Jon. Po aty realizova një foto të bërbashkët me aktorin e madh sarandjot, Anastas Nika, djali i të cilit, Anxhelo më shoqëroi gjete vizitës që i bëra drurit të rrallë të piperit mbjell nga Naim Frashëri.
Për të shkuar deri te kjo pemë, mund të orientohesh vetëm nga banorët e zonës, pasi nuk ka një tabelë që e identifikon atë, apo që rrëfen historinë e saj, por edhe një bust i ish- ministres së punëve të jashtme të Shteteve të Bashkuara, Hillari Klinton, që gjendet përballë oborrit ku gjendet pema e mbjellë nga Naimi.
Pema e rrallë që Naim Frashëri mbolli në Sarandë, një monument që sot kërkon shpëtim
Dëshmia e Moikom Zeqos: “…Do të përmend me nderim mikun tim, shkencëtarin e bujqësisë Ahmet Osja, i cili qe i pari që më kumtoi se në qytetin e Sarandës ndodhen dy drurë piperi, këto drurë ishin sjellë në formë fidanësh nga Maroku dhe qenë mbjellë nga duart e Naim Frashërit.
Me këtë rast për portalin tonë po e japim edhe një shkrim të gazetares Alba Malltezi, që bënë fjalë për këtë pemë të rrallë, mbjell nga dora e të madhit Naim Frashëri:
Pema e madhe e piperit është aty, në zemër të Sarandës, në vendin e braktisur që është ende në një ankand shtetëror të bërë e të anuluar. Mund të këtë sot 145 vjeç dhe mezi mbahet në këmbë. Kushedi kush e dëshiron këtë vend në kërthizë të qytetit e shpresojmë që një njëri i mirë ta marrë e ta vlerësojë. Apo ndonjë që as nuk do t’ja dijë për pemën e piperit?
Pakkush e di që Rilindasi ynë Kombëtar, Naim Frashëri, ka jetuar e punuar në Sarandë për pak vite në të largëtin 1874-76. Ishte nëpunës i doganës së qytetit jugor dhe në këtë kohë mik i çmuar i Hasan Tahsinit. Me disa ditë pushime në qytetin tonë në breg të detit Jon, edhe unë duke shijuar bukuritë, mikpritjen, ushqimin, kërkova me ngulm të gjeja ndonjë gjurmë të Naimit. Librin e Moikom Zeqos mbi Naim Frashërin e Bektashizmin “Syri i Tretë” e kisha lexuar, por një rilexim pas ikjes së tij nga kjo jetë, më erdhi natyrshëm ta bëja. Dhe aty, në faqen 281 ka një dëshmi befasuese, një sinjal, një shenjë: “… Do të përmend me nderim mikun tim, shkencëtarin e bujqësisë Ahmet Osja, i cili qe i pari që më kumtoi se në qytetin e Sarandës ndodhen dy drurë piperi, këto drurë ishin sjellë në formë fidanësh nga Maroku dhe qenë mbjellë nga duart e Naim Frashërit. Naim Frashëri tani nuk është më, por drurët e piperit janë, të cuditëshme si dy qënie jashtëtokësorësh në këto brigje jonike, si dy emigrantë të habitshëm dhe të pa shpërbëshëm në klimën dhe peizazhin jonik…”, shkruante Moikom Zeqo në 2001, 19 vite më parë.
Në Sarandë pak e dinë këtë histori. Disa nuk e kanë dëgjuar asnjëherë, por gazetari i Report Tv Limos Didani e gjeti pemën e vjetër të piperit. Ishte këtu. Në qendër të qytetit bregdetar, në një vend të braktisur e ndoshta më të lënin pasdore se kudo.
Këtu jam edhe unë. Pema është e vuajtur, e gërryer, e vjetër, është vetëm 1, ndryshe nga dëshmia në libër. Ndoshta ka qenë dhe një tjetër më parë, tani nuk është më. Të jetë kjo pemë piperi vallë e mbjellë me duart e Naimit, siç dëshmon agronomi e shkencëtari i bujqësisë,(për fat të keq edhe ai nuk jeton më), Ahmet Osja? Ekspertët mund të llogarisin kollaj moshën e saj për të kuptuar nëse është pema që mbolli Naim Frashëri, apo një rimbjellje në kohë? Nëse do të ishte pema e piperit gati 145 vjeçare do të kishte një vlerë të jashtëzakonshme natyrore, nëse do të ishte vërtetë pema e Naimit, vlera dhe misioni për ta shpëtuar e rivlerësuar është e shumëfishtë, e jashtëzakonshme për Sarandën e Shqipërinë mbarë.
Nuk e di sa e rastësishme është ardhja ime këtë vit këtu, nuk e di nëse dy burra të nderuar si Moikom Zeqo dhe Ahmet Osja kanë të drejtë, por unë dua shumë ta besoj që këtë pemë të bukur, të vjetër, plot plagë e dhimbje, këtë pemë të piperit ta ketë mbjellë Naim Frashëri siç thonë, më i miri dhe më i madhi nga poetët tanë. Kanë shkruar dhe e kanë admiruar të gjithë Naimin: Lasgush Poradeci e kishte idhull, Kadareja “vdiste” për të, Dritëro Agolli e kishte në zemër, Rexhep Qosja e Dhimitër Shuteriqi janë ndër më të mëdhenjtë studiues të tij. Që Naim Frashëri punoi në Doganë, është pak e sikletshme ta thuash sot, sidomos në ditët kur doganierët nuk mund të jenë kurrsesi naimë, e megjithatë, Dogana, Saranda, pema e piperit janë dëshmi të një Shqipëria të mirë, të pastër, të drejtë, të bukur e njerëzore. Moikom Zeqo fliste shumë me gazetarët, i donte shumë si lajmës të të vërtetave, të fakteve. Sigurisht fliste me ata gazetarë që dinë të dëgjojnë, jo me kë vetëm flet e flet papushim. Kërkonte gjithmonë t’i ngacmonte, t’i inkurajonte për të gjetur lajmin e mirë, lajmin që do t’i shërbejë më shumë Shqipërisë.
Saranda është kthyer në këto ditë të nxehta në një kantier ndërtimi: Pikërisht Bulevardi “Naim Frashëri” do të bëhet më i bukur se kurrë. Dy shqiptarë të nderuar dëshmuan dhe na e lënë amanet se atë pemë të rrallë piperi, vetëm Naimi e ka mbjellë me duart e tij. Ndërsa ne shqiptarët modernë po mbjellim pemë në çdo cep, sa bukur dhe mirë do të ishte të ruanim dhe shpëtonim pemën e tij. Pema e rrallë dhe e bukur dhe me vlerë e Naim Frashërit në Sarandë.