Kujtime me shi

Kujtime me shi

Disa herë shiu
Ma dha vërvishtën
Për të gjetur
Ndonjë strehë…

Kjo ditë me shi
Më solli ca kujtime
Nëpër streha stinësh
Shpirtin si flutur ma vërtitën…

Litari

Besoj se ka ndodhur
Ende pa filluar klasën e parë
Pata kërcyer për ta prekur
Litarin e rrobave në oborr
Dhe s’pata mundur ta prekja
Ndoshta për nja 10-15 centimetra
Pata parë dhe njëherë në drejtim të tij
Dhe më s’pata provuar
Vështroja atë litar që priste rrobat tona
Për t’u kacavarë e për t’u tharë diellisht
Dhe hapësirën e (pa)mundësisë
Këtë tampon zonë mes dy kufinjsh
Rriskë e qiellit si lumë i kaltër
Si lumë i bardhë o i hirtë

Veturat

Nga veturat që kemi pasë në familje
Më shumë kujtoj
Një Audi 80
Që e pat sjellur babai nga Gjermania
Një Golf që e pat sjellë vëllai nga Gjermania
E para para luftës e dyta pas luftës ‘99
Të dy veturat e lartcekura kishin ngjyrë të kuqe
Po të kthehem edhe pak para lufte
Njëri nga axhallarët voziste një fiqë
Ngjyra s’ më kujtohet po ndoshta e bardhë
Dhe para saj një kikirez të verdhë
Mund të kthehem para e pas nëpër kohë
Te këto mjete udhëtimi
Nëpër drejtime pikënisjejeembërritjeje

Dredhëzat

Unë me dy shokë filloreje
Ndoshta dhe me tre
Ktheheshim nga Gërmia këmbë
Për në qytezën tonë në Fushë Kosovë
Njëri nga ne tha se
Askush s’ka për të na besuar
Për këtë ecje të gjatë
Kur mbërrijmë në oborrin e shtëpisë sime
Te ajo pjesë toke e tij në kopsht
Sa fruta të sapo pjekura dredhëzash
Kemi këputur e kemi ngrënë
Duke zbuluar fletët e gjelbërta të tyre
Gjyshi gjyshja nëna e sekush nga familjarët
I gëzoheshin çasteve të ëmbëlsisë sonë

Topi

Me ca shokë të shkollës së mesme
Zbrisnin rrugës së asfaltuar
Prej fushës mes parkut
Prej “koshave” siç e thërrisnim
Me një top basketbolli
Që e endnim nëpër duar
Njëri e mori e shutoi
Topi shkoi teposhtë
Njëri vrapoi ta merrte
Pa kuptuar mirë pse ndodhi ky veprim
“Më i ri nuk bëhet” njëri tha e qeshën disa
Dikush rrinte në mes pa ndonjë qëndrim
E kur u pata kthyer në shtëpi
Lodhje e këndshme endej brenda meje
Pata bërë një gjumë të ëmbël
Për të cilin flisnin familjarë e mysafirë
Për lodhjen dhe pushimin e mirë
Të asaj pasditejeje të vonë kur u zgjova

Gazetat

Në Tiranë me cimerët
Vijonim jetën studentore
Të turbullt e të çrregullt
Shfletonim e shihnim
Gazetat që i blinim
Mbrenda dhomave
A brenda kafeneve
Bleja dhe një gazetë
Që dilte çdo të martë
Në çdo një a dy javë
Dhe merrnim një gazetë trakt
Që shpërndahej
Në ndonjë protestë a ndonjë tubim
Në përkrahje të luftës kundër robërisë

Ballkoni

Vijonim studimet
Në Shkollën e Lartë të Gazetarisë
Fillimisht në atë sallë kinemaje
Profesorët në skenë dukeshin
Si aktorë teatri
Ndonjëri edhe merakosej
Se si po e luan rolin
Ne studentët spektatorë
Të një shfaqeje në teatër
Gjatë pushimeve mes orëve
Dilnim në atë ballkon të hapur
Si aktorët në passkenë
Bisedonim e po njihnim njëri-tjetrin
Në kohën e lirisë së sapoardhur
Shihnim rrugët mjedisin poshtë
E edhe ndonjë objekt
Që kishte zënë shtat e rritej
Dita ditës

Tash e pastaj

Dikush vuan për x çështje
Dikush vuan për y problem
Dikush vuan për z nyje
Dikush për diç që s’i bije në fije
Ndërkohë luftë nëpër botë
(S’)do zgjasë seç po thonë
Enden pyetje e pyetje
E çfarë tjetër thuhet
Për të sotmen dhe ditën që pritet të vije