Dorëheqja e Ramush Haradinaj nga posti i kryeministrit, ka ngjallë shpresë tek të gjitha partitë politike se vendi shpejtë do të shkojë në zgjedhje. Nëse PAN-i nuk do të arrijë consensus për një kandidat të përbashkët për kryeministër, atëherë vendi mund të përballet me zgjedhje në shtator të këtij viti. Kështu kanë bërë të ditur njohës të cështjeve politike në vend, të cilët ndër të tjera kanë thënë se nuk po shohin deri më tani ndonjë interesim nga ndonjë parti politike për tu bërë pjesë e një konsensusi të mundshëm, në mënyrë që PAN-i të vazhdojë të qeverisë me vendin deri në fund të mandatit.
Vet Ramush Haradinaj, në dorëheqjen e tij ka kërkuar që vendi të shkojë sa më parë në zgjedhje, ndërkohë që ka thënë se ai do të jetë përsëri kandidat për kryeministër dhe për këtë do të vendosë populli. Ndërkohë që edhe të partitë opozitare janë të mendimit që vendi duhet të shkojë në zgjedhje, ku mesa duket edhe parti brenda për brenda PAN-it e kanë po të njejtin mendim.
Është PDK-ja ajo që deri më tani nuk ka dhënë ndonjë dritë lidhur me atë se si duhet të veprohet. Ata kanë përsëritur se janë në pritje të vendimit të presidentit Hashim Thaci, dhe më pas do të vendosin se sit ë veprojnë.
Sipas Kushtetutës së Kosovës, nëse kryeministri jep dorëheqjen, presidenti në konsultim me koalicionin që ka marrë shumicën e votave mund të mandatojë kandidatin e ri për të formuar Qeverinë, i cili duhet të zgjidhet me shumicë votash në Kuvend.



















