KOSOVA E GATSHME PËR TA SHKRUAR NJË FAQE TË RE NË HISTORINË E SAJ

Radio televizioni zviceran për Kosovën:

Më pak se një vit e gjysmë pas zgjedhjeve të fundit, këtë të diele në Kosovë, do të zhvillohen Zgjedhjet e parakohshme parlamentare ku Aleanca midis presidentes të përkohshme Vjosa Osmani dhe kreut të partisë opozitare “Vetëvendosja” i tërheq skajshmërisht të rinjtë dhe pjesë të madhe të popullsisë.

Përkthimi dhe përshtatja, Mirishahe Limani Hiler

Është një shpërthim i madh entuziazmit që po e përshkon Kosovën këto ditë. “Vetëvendosje”, është fjalë në buzët e një brezi të tërë. Të rinjtë, banorët e qyteteve dhe gratë kryesisht do të votojnë në favor të kësaj partie opozitare.

Vetëvendosje, aleate e formimit të grupit të ri të presidentes së përkohshme Vjosa Osmani, mund të fitojë një shumicë të ngushtë të vendeve në parlament të dielen. Presidenti i partisë Albin Kurti dhe Vjosa Osmani paraqesin veten si një forcë e re alternative për modernizimin e këtij vendi të vogël, të rrënuar nga korrupsioni, njofton RTS.

Fundi i kthesave?

Këto zgjedhje të parakohshme parlamentare janë kulmi i një serie ndryshimesh dramatike në jetën politike kosovare gjatë vitit të kaluar. Kështu, Albin Kurti bëri një periudhë shumë të shkurtër prej katër muajsh si Kryeministër.

Ish-udhëheqësi i krahut të majtë të studentëve krijoi një aleancë me partinë tradicionale LDK (Lidhja Demokratike e Kosovës) para se të shkarkohej në një mocion mosbesimi. Pas disa zhvillimeve spektakolare, siç është padia e Presidentit të tanishëm Hashim Thaçi për krime lufte, Gjykata e Lartë më në fund ka thirrur zgjedhje të reja parlamentare, që do të mbahen të dielen 14 shkurt.

Një aleancë kundër krimit dhe korrupsionit

Koalicioni i formuar nga Albin Kurti dhe juristja liberale Vjosa Osmani mund të vijë si një surprizë, sepse ideologjikisht, njëri është më i shënuar në të majtë dhe i dyti pretendon të jetë i qendrës së djathtë. Por të dy përfaqësojnë një brez të ri politikanësh që duan të dallohen nga rojet e vjetra.

Që nga fundi i luftës në 1999, politika e Kosovës është dominuar nga ish-luftëtarët. Ndërsa ata ende respektohen për rolin e tyre në fitoren kundër Serbisë, por imazhi i tyre është prishur shumë nga korrupsioni që pllakos vendin dhe akuzat për krime kundër tyre. Albin Kurti, 45 vjeç dhe Vjosa Osmani, 38 vjeç, besojnë se duke i dhënë fund korrupsionit, Kosova natyrshëm do të përjetojë një bum ekonomik dhe social.

Pasojat rajonale

Vjosa Osmani, doktoreshë e drejtësisë, në të kaluarën ka marrë pjesë personalisht në negociata për pavarësinë e Kosovës, dhe Albin Kurti është një sovranist i bindur. Prandaj, nëse zgjedhen, ne presim që ata të marrin pozicione shumë të forta në negociatat me Serbinë nën kujdesin e Bashkimit Evropian. Aq më tepër që konteksti ndërkombëtar ka ndryshuar.

Donald Trump kishte anashkaluar BE-në dhe kishte arritur të merrte një marrëveshje trepalëshe, në thelb ekonomike, të faturuar si një sukses personal. Por kandidatët janë pa kompromis për njohjen e pavarësisë së Kosovës nga Serbia.

Kosovarët nga Zvicra nuk mund të votonin

Diaspora kosovare është shumë e madhe, me një vlerësim se një e treta e votuesve jetojnë jashtë vendit. Sidoqoftë, zgjedhjet e ardhshme zgjojnë një entuziazëm të paparë midis diasporës, me partinë e opozitës Vetëvendosjen e cila josh një pjesë të këtij elektorati.

Por, në Zvicër në veçanti, një pjesë e komunitetit ankohet se nuk ishin në gjendje të votonin. Këta njerëz denoncojnë pengesat administrative, madje edhe një vullnet politik për të heshtur zërin e tyre. Të dielen e kaluar, njëqind njerëz u mblodhën në Sheshin e OKB-së në Gjenevë për të demonstruar.

Ambasada dhe konsullata e Kosovës në Gjenevë nuk iu përgjigjën kërkesave të RTSInfo, por Komisioni Qendror i Zgjedhjeve konfirmoi disa ditë më parë se gati 30,000 kërkesa nga votuesit e diasporës në të gjithë botën ishin të pavlefshme për shkak të mungesës së dokumenteve ose personave nën 18 vjeç. Argumente jo bindëse në sytë e njerëzve që demonstruan.