Kalaja e Peqinit, që  fsheh poshtë saj surpriza të mëdha arkeologjike

Kjo kala është një projekt i inxhinierisë antike, ndërsa që ndërtimi u krye nga arkitektë romakë. Përbënte ndalesën e parë pas Dyrrahut. Kalaja e Peqinit ishte një fortesë e cila kishte për detyrë të ruante vijën Egnatia dhe me kalimin e shekujve ajo ruan të njëjtin status duke qenë kryeqendër e Claudianës, Biklinit, Peklinit e më vonë Peqinit të sotëm.- “Shekulli” , shkruan se pjesa mbitokësore e kësaj kalaje është thjeshtë dhe vetëm “maja e piramidës” së saj.

Ka një histori të përgjakshme ndërtimi. Njihen disa periudha shembjeje dhe rindërtimit të saj që përkojnë me kohën romake, më tej bizantine e më pas atë osmane. Këtë fortifikim e përmend në shënimet e tij kronikani i shekullit të XVII-të, Çelebiu, i cili thotë: “…muret e kësaj kështjelle shkojnë rreth 12 metra të larta. Brenda rri dizdari dhe ka 70 ushtarë. Ka 5 topa në këtë kështjellë dhe 10 shtëpi të vogla të mbuluara me tjegulla. Ka gjithashtu një xhami të vogël pa minare. Në të majtë të kështjellës ngjitur me një mur ka një namazgja…” Kalaja i ka rezistuar disa luftërave mes të cilave më e njohur është ajo e Ahmet Kurt Pashës së Beratit dhe Bushatllinjve të Shkodrës. Gjithsesi kjo i përket pjesës mbitokësore të kalasë. Nëntoka e saj nuk është zbuluar ende. Studimet më të fundit kanë arritur në përfundimin se Kalaja e Peqinit fsheh poshtë saj surpriza të mëdha arkeologjike. Arkeologët pohojnë se kalaja ka qenë e pajisur me tunele të nëndheshme (katakombe) që shërbenin si dalje disa kilometra larg qytetit, për t`i shpëtuar armikut.

Besohet që të paktën kjo kala të kishte 2 dalje të fshehta; njëra dilte diku poshtë qytetit të sotëm në afërsi të lumit Shkumbin. Ndërsa dalja tjetër mendohet se ishte në anën veriore menjëherë sapo nis mali i Kazies. Gjurmë të ekzistencës së tuneleve të nëndheshme hasen edhe sot, ndonëse erozioni i ka dëmtuar shumë. Në këto katakombe mendohet se ekzistojnë edhe objekte arkeologjike të fshehura nga banorët e qytetit në kohë luftërash si në rastin e vërshimit të gotëve, estrogotëve dhe barbarëve të tjerë. Gjithashtu, edhe pse në një vend pak a shumë fushor, ndryshe nga kalatë e tjera, kalaja e Peqinit kishte furnizime të fshehta me ujë nga jashtë. Këtë e dëshmojnë edhe tubat e qeramikës të gjetura si në kala ashtu edhe përreth saj. Pra, kalaja ka pasur dy mënyra furnizimi me ujë. Furnizimin me pus të favorizuar nga ujërat e lumit Shkumbin dhe furnizimin me tuba duke shfrytëzuar vendburime në periferi të qytetit. Në vitin 1785 kalaja i rezistoi një sulmi për rreth 6 muaj gjë që dëshmon se ajo e kishte të garantuar furnizimin me ujë. Poshtë kalasë së Peqinit dhe përreth saj mendohet se ekzistojnë edhe varre që i përkasin periudhave të ndryshme historike, që nga era romake deri në atë islame. Por këto “thesare” arkeologjike ende nuk janë zbuluar. Kështu pjesa mbitokësore e kësaj kalaje është thjeshtë dhe vetëm “maja e piramidës” së saj, shkruan “Shekulli e