Ky ekspert ekonomie, si njeri i sukseseve të mëdha, qoftë si zëvendës-drejtor i përgjithshëm i ndërmarrjes gazetare-botuese grafike “Rilindja”, ministër i Financave në Qeverinë e Kosovës gjatë viteve të shtatëdhjeta të shekullit të kaluar, drejtor i Bankës Popullore të Kosovës, apo edhe drejtor i Ferronikelit, u shua në moshën 80 vjeçare dhe u varros sot në vendlindje- Obrançë të Podujevës
Teksti e fotot : Rexhep Rifati
Dje në moshën 80 vjeçare ndërroi jetë njëri nga personalitetet e plejadës së vijës së parë të ekspertëve të ekonomisë së Kosovës, profesor Xhemshit Duriqi, me prejardhje nga katundi Obrançë të Podujevës, ku edhe sot u varros me nderime në vendlindje, pasi më parë u mbajt edhe një mbledhje komemorative në Teatrin Kombëtar në Prishtinë. Ai jetoi e veproi pa ndërpre në të mirë të zhvillimit të Kosovës e të kombit përgjithësisht.
Përherë energjik dhe në krye të detyrës
Ai, pas mbarimit të Fakultetit Ekonomik në Prishtinë ushtroi funksione të ndryshme nga zëvendës-drejtor i përgjithshëm i ndërmarrjes gazetare-botuese grafike “Rilindja”, ministër i Financave në Qeverinë e Kosovës gjatë viteve të shtatëdhjeta të shekullit të kaluar, drejtor i Bankës Popullore të Kosovës dhe drejtor i Ferronikelit, duke u treguar kudo që punoi shumë i suksesshëm.
Përfaqësues i plejadës atdhetare që nuk pranonte paratë e Serbisë!
Xhemshiti i përkiste asaj plejade të ekspertëve të ekonomisë në Kosovë, që edhe në rrethanat e ish- sistemit monist jugosllav bënë shumë për zhvillimin ekonomiko-shoqëror të Kosovës. Sa në një rast më shpjegoi se kur ndodhën vërshimet me pasoja të rënda në Kosovë, Serbia akordoi një shumë qindra milionëshe për mbulimin e dëmeve, por Xhemshiti duke qenë në krye të ministrisë së financave nuk i pranoi ato mjete, sepse siç më pat tregua, se Kosova nuk pranonte asnjë ndihmë financiare nga Serbia apo edhe përmes Serbisë , por vetëm përmes Fondit federativ për zhvillimin e viseve më pak të zhvilluara. Ai do të kujtohet si njeri që nxori nga gremina dhe e vuri në funksion të zhvillimit të Kosovës, gjigantin e Ferroniklit, i cili nga një gjenerues humbjesh u kthye në njërin nga kolektivet më rentabële e zhvillimore të Kosovës.
Parakusht për Serbinë, kompensimi i dëmeve të luftës
Ai në intervistat e pasluftës, nga pozita e një njohësi të raporteve me Serbinë, thoshte se: “Në bisedimet teknike që tashmë kanë filluar ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, duhet patjetër që autoritetet kosovare të kërkojnë nga Serbia kompensimin e dëmeve të luftës.
Ndaj edhe pala kosovare duhet të kërkojë nga Serbia që të bëjë kompensimin e dëmeve që i ka shkaktuar Kosovës, para dhe gjatë luftës së fundit, kujtonte
Xhemshit Duriqi, ekspert i ekonomisë. Shtonte gjithashtu se: “Në bisedimet që janë duke u zhvilluar ndërmjet Prishtinës zyrtare dhe Beogradit zyrtar, pala kosovare duhet të kërkojë jo vetëm kompensimin e dëmeve materiale, por edhe atyre psikike, politike dhe shoqërore, duke përfshirë këtu edhe humbjet në njerëz
“Duhet të kërkohet patjetër që të kompensohen dëmet direkte dhe indirekte të luftës. Unë fola së pari për dëmet më të dhembshme, për humbjen e njerëzve, pastaj shkatërrimin dhe djegien e mbi 120 mijë shtëpive dhe banesave që llogariten të jenë mbi 3 miliardë. Sepse Më se një dekadë pas përfundimit të luftës, rreth 1800 kosovarë ende rezultojnë të pagjetur.
Vetëm dëmet materiale kalojnë mbi 4 miliardë euro
“Po aq ekonomi familjare që bëjnë 4 miliardë, rrugë, ura, institucione, të mbjella dhe objekte shkencore, arsimore, arkivore, kulturore, sportive dhe objekte ekonomike, të infrastrukturës etj., që arrijnë mbi 40 miliardë euro”, thoshte Duriqi.
Ekonomisti Xhemshit Duriqi thoshte gjithashtu se të përvojat e pasluftës që i patëm me qeveritë tona kanë treguar se shumica e partive politike po e marrin pushtetin vetëm për t’i mbushur xhepat e vet dhe të familjarëve të tyre, që tashmë, sipas tij, janë bërë miliarderë në kurriz të qytetarëve, shënonte shtypi kosovar.
Do theksuar, se profesor Xhemshit Duriqi do të mbetet në kujtesën e brezit tim si një nga figurat më markante prej një intelektuali dhe atdhetari të devotshëm që tërë jetën ia kushtoi zhvillimit dhe përparimit të Kosovës, duke qenë përherë në krah të përparimtares dhe në mbështetje të brezit të ri, ku edhe deri në fund të jetës e mbante shpresën se vetëm forcat e reja të shkolluara mund ta nxjerrin Kosovën nga gjendja e tanishme.
Baba me pushkë e i biri me pendë
Pasi i përkiste një familje të arrirë atdhetare, Fondacioni shqiptare-amerikan me seli në New York të Shteteve të Bashkuara të Amerikës ka nderuar babë e birë: Abdyl dhe Xhemshit Duriqi, të parin që luftoi me pushkë e të dytin me laps, për kontributin e madh për Kosovë e shqiptari përgjithësisht. Do theksuar me këtë rast se baba i Xhemshitit, Abdyl Miftar Duriqi është vrarë nga ushtria serbe në vitin 1944.
Një trashëgimi familjare, të shkolluar me virtyte bujare e atdhetare
Mua si mik të tij, do shtuar se pos idealeve që na bashkonin, patëm edhe shumë miq të përbashkët, veçmas Sali Bajrën, ish- kryetarin e Kaçanikut, që ishin po ashtu pika referimi që na ofruan edhe më tepër edhe si miq e edhe si shok apo edhe si “dosta” siç e quanim zakonisht njëri tjetrin.
Prehu në paqe miku im në tokën e Kosovës, që aq shumë punove, duke e dashtë deri në frymën e fundit.
Ndaj edhe me këtë rast e inkurajoj familjen që ta pranojë këtë humbje më shumë se familjare, sepse profesor Xhemshiti la pas veti një vakum por edhe një bagazh të pakapërcyeshëm veprash të mira sa atdhetare aq edhe humanitare. Por mbi të gjitha la një familje shumë të arrirë, një nga trashëgimit e tija më të çmueshme. Krejt në fund dua të themë si mik i familjes Duriqi, se Xhemshiti la pas vete një trashëgimi familjare, të shkolluar me virtyte bujare e atdhetare.
(Me këtë rast po jap ca nga fotot e arkivit me te, si dhe një faqe interveste në “Rilindje” derisa ishte drejtor i ferroniklit. )