KADRI REXHEPI – VEPRIMTAR I PALODHUR DERI NË FUND

Të martën, më 3 prill 2014, u nda papritur nga jeta, veprimtari i palodhur deri në fund, Kadri Rexhepi.

Kadriu i takonte plejadës së veprimtarëve të vitit historik 1981.

Si gjashtëmbëdhjetëvjeçar mori pjesë në demonstratat e vitit 1968 në Tetovë për Flamurin Kombëtar. Nga kjo periudhë nuk është ndalur asnjëherë së vepruari për realizimin e aspiratave

gjithëkombëtare. “Unë nuk kam shikuar cila parti, klub ose shoqatë shqiptare ka organizuar aktivitete kundër armikut, për mua ka qenë e rëndësishme të punohej për çështjen kombëtare, sepse atdheu  dhe bashkimi i trojeve janë mbi të gjitha, – ka thënë  Kadriu në një intervistë. Pavarësisht rrezikut, mori guximin, ta vizitonte në Burgun e Stara Gradishkës, simbolin e rezistencës shqiptare,Adem Demaçin.

Nga viti 1980, për shkak gjendjes së vështirë ekonomike, u detyrua të emigronte në Zvicër. U vendos në fshatin Derendingen të Solothurnit, ku jetoi deri në fund të jetës. Pikërisht në vitin 1980, në një takim me të huaj në Bazel, u takua me Kadri Zekën. Që nga ai moment nisi të shpërndante literaturë dhe gazetën ilegale “Liria”.

Viti 1981, Kadri Rexhepin, e gjeti të përgatitur. Jo vetëm merrte pjesë, por ishte ndër organizatorët e dalluar në rrethin ku jetoi dhe veproi.

Kadri Rexhepi gjatë viteve 1985 – 1986 ka qenë në kryesi të klubit shqiptar “Muharrem Bekteshi”. Ishte edhe njëri ndër themeluesit e klubit “Zenel Hajdini” në Derendingen. Njëkohësisht ka qenë

i organizuar në radhët e Lëvizjes Popullore për Republikën e Kosovës (LPK).

Para, gjatë dhe pas luftës çlirimtare të Kosovës, ai ka ndihmuar pa rezerva Fondin e Republikës së Kosovës, fondin “Vendlindja thërret”, fondin “Zëri i Atdheut” dhe “Liria kombëtare“.

« Tani pas luftës çlirimtare, sidomos pas Pavarësisë së Kosovës, gëzimin më të madh e kam pasur kur e vizitova ambasadorin e parë në Zvicër, z. Naim Malaj. Aty m’u duk vetja si në shtëpinë time. Jo larg Ambasadës, në sheshin para Konfederatës Helvetike,kemi protestuar qindra herë. E tash, aty pranë, valon Flamuri i shtetit të Kosovës, i shtetit për të cilin punuan e vepruan qindra veprimtarë, sidomos nga viti historik 1981”, – shprehet Kadriu i emocionuar në një intervistë dhënë gazetarit Ismet Rashiti.

Ishte anëtar edhe i Shoqatës « Pranvera ‘81 » dhe së fundi anëtar i Këshillit Inicues i «Shtëpisë Rezidencë – Adem Demaçi».

Kadriu iku papritur, por prapa ka lënë një vperimtari të shumanshme atdhetare. Ai do të mbetet i paharruar për bashkëveprimtarët e tij në Zvicër e më gjerë.

Lavdi veprës së tij të përjetshme !

I qoftë i lehtë dheu i Atdheut për të cilin punoi tërë jetën !