Rifillim
Hap ngadalë një derë…
si të mos zgjoj atë që fle pas saj.
Kaloj pragun…
dhe e kaluara më ndjek,
me copa të mëdha, të parregullta,
si një pazëll i stërmadh,
që s’dihet nëse do plotësohet ndonjëherë.
Por nuk më ndalon më
veç më kujton
sa herë kam nisur nga e para…
S’jam më ajo që isha dje,
por as një tjetër e panjohur;
jam një vijë e hollë
mes kujtimeve dhe mundësive të reja…
mes asaj që kam qenë
dhe asaj që po mësoj të bëhem.
Aty rri
në mes,
pa u kthyer pas,
pa mbërritur ende…
Në pritje të ditëve të reja,
që s’i njoh,
por sidoqoftë, ato do vijnë
edhe pa i ditur…
Copë e papërzier…
Edhe kur dita lë një shije të lodhur,
diku…
mbetet një copë që nuk u përzie me asgjë.
Ajo vetëm rri.
Qëndron.
Dhe kaq mjafton.
Dritaret e shpirtit
Ti bie rrëmbyeshëm,
rrëshqet mbi xhama..
dhe prek dritaret e shpirtit tim..
më sjell pranë kujtime që struken..
dhe veç në zemër rrinë…
Mimozat
Mimozat kanë çelur edhe kësaj here
peneli i zverdh si çdo vit..
Ashtu si ngricat që s’këputen nga dimrat..
Por presin ngadalë që dielli t’i shkrijë..
Lulëzojnë kudo në oborre të heshtura,
në degë të holla në tokën e ngrirë..
mbi porta të vjetra, e mure prej guri…
Na thonë se pranvera erdhi sërish….
Dite dimri
Era endet e trazuar…
ledhaton gjethet me puthje të ftohta..
Retë, karvane mbi qiellin e vrenjtur..
në shpirtin tim derdhin shiun me nota…
Dhe unë rri nën to, e strukur, e lagur,
si një degë pa lule që pret pranverën.
Nuk iki.
Më pëlqen si zbërthehem brenda,
në këtë ditë dimri
që ende s’e ka mbyllur derën.
Vajze deti
Jam vajze e rritur me erën e detit…
Në ujë, mes dallgëve të larta, me shijen e kripës mbi buzë mësova të mos kem frikë…
Kaloj bregun e parë… humbas në të dytin,
dhe nuk ndalem…
aty nisi fëmijëria ime
mes valëve
aty mësova të marr frymë….
Judita Dedi


















