JETËSHKRIMI-DËSHMI E JETËS DHE VEPRËS SË NJË INTELEKTUALI

442

Rexhep Rifati: “Një jetë në shërbim të lirisë dhe të zhvillimit”, kushtuar veprimtarit dhe ekspertit të shquar të ekonomisë,  Ilaz Ilazi

Nga redaktori: Prof. dr Nusret Pllana

Çështje të përkufizimit

Duke lexuar veprën kushtuar intelektualit atdhetar, Ilaz Ilazit punës së tij në ngritjen e vlerave që jetës së njeriut i japin kuptim, veprimtarisë së tij të palodhshme, edhe në kohën kur shëndeti i rrënohej dëshmojnë për idealin e tij qytetar, dëshmojnë për përcaktimin e tij për lirinë kombëtare në fund të fundit dëshmojnë për gatishmërinë e tij që të përballej me të gjitha të papriturat e jetës kur një popull lufton për liri.

Do të thotë duke shpaluar momentet jetësore që nga origjina e familjes e deri te akti i fundit i jetës së tij, duke përshkruar qoftë përmes të tjerëve qoftë përmes rrëfimit vetjak, momentet dramatike të ngritjes së tij intelektuale dhe atdhetare shpërfaqen episode jetësore përmes të cilave shpalohet një jetë e tërë e njeriut që e kishte të qartë se liria është kushti themelor i jetës normale dhe të dinjitetshme të një populli.

Hyrje

Rrëfimi i ngjarjeve që përthekojnë jetën dhe veprimtarinë e tij intelektuale dhe atdhetare herë në vetën e parë kur rrëfen vetë personazhi, herë tjetër përmes rrëfimeve të të tjerëve për personazhin që i kushtohet jetëshkrimi rrisin dhe shtojnë larushinë e momenteve jetësore të cilat ose nuk janë ditur ose nuk i kanë thënë vetë, të cilat krijojnë rrafshe të ndryshme të shpalimit të periudhave jetësore duke plotësuar edhe ecurinë e ngjarjeve nëpër ato periudha kohore jo vetëm në planin e jetës së një individi, në këtë rast të intelektualit Ilaz Ilazi por edhe të periudhave të ndryshme të jetës në Kosovën e kohës së veprimtarisë së tij.

Në këtë mënyrë, duke shpaluar momentet jetësore të Ilaz Ilazit, njëkohësisht janë dhënë të gjitha ecejaket e jetës së Kosovës nën pushtimin që quhej vëllazërim e bashkim, kur përveç të tjerave identiteti kombëtar ishte nëpërkëmbur në secilin plan të jetës. Këtë të vërtetë të realitetit të asaj kohe Ilaz Ilazi jo vetëm që kishte të qartë, kur formohet si intelektual, por e kishte edhe pjesë të edukatës së tij familjare, qoftë përmes historisë së familjes qoftë përmes historisë së mjedisit shoqëror ku bënte përpjekje të mbijetonte familja e tij.

Ngjarje nëpër të cilat njeriu dëshmon identitetin e tij kombëtar

Në të gjitha periudhat jetësore, që janë përfshirë në këtë jetëshkrim, kushtuar veprimtarit dhe intelektualit Ilaz Ilazi, drama e jetës së individit shkrihet në vorbullat e jetës së popullit që i takon individi. Mirëpo nëpër këto rropatje jetësore të popullit, roli i individit si përherë në histori, ishte shumë domethënes për të mos thënë ishte vendimtar jo vetëm për jetën e tij personale, por edhe për ecurinë e jetës së mjedisit shoqëror që i takonte. Asgjë më e plotë se ky përkufizim nuk del në jetën, punën, angazhimin dhe veprimtarinë intelektuale dhe atdhetare të Ilaz Ilazit, ku jeta e tij ishte e lidhur ngusht me jetën e Kosovës.

Do të thotë duke filluar nga rrëfimet që flasin për kohën e studimeve të tij, të punës së tij në sistemin shkollor të kohës, për angazhimin në ngritjen intelektuale në profesionin e tij, për punën e madhe në ngritjen dhe ecurinë e punës të disa prej objekteve më jetësore, për Kosovën e asaj kohe deri te angazhimi në veprimtarinë e Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, janë pjesë e bashkëjetesës së këtyre dy rrafsheve që në një mënyrë ose në një tjetër ishin edhe tërësia e jetës dhe veprimtarisë së Ilaz Ilazit.

Me vetëdijen e tij intelektuale se me fjalë nuk kryhet asnjë punë por me angazhim dhe veprim të vetëdijshëm që është qëllim i vetëm i një ideali të caktuar në të gjithë strukturën e këtij jetëshkrimi shpalohen anë të karakterit të tij, të psikologjisë së tij, të përkushtimit të tij, të profesionalizmit të tij, mbi të gjitha të vetëdijes së tij se vetëm veprimi ndihmon rrugën e ardhjes së lirisë veti karakterologjike shumë të rralla nëpër ato periudha kohore nëpër të cilat kalonte Kosova e pushtuar por që mundësojnë të perceptohet drejt jo vetëm rruga jetësore e veprimtarit Ilaz Ilazi por edhe gjeneratës së tij pjesëmarrës në jetën intelektuale dhe politike të kohës. Do të thotë shpalohet thuajse e gjithë ecuria e jetës shoqërore dhe politike në Kosovën e kohës. Qoftë edhe vetëm për këtë aspekt të këtij jetëshkrimi botimi i këtij libri të autorit Rexhep Rifati jep mundësi të kuptohet drejt dhe të përjetohen natyrshëm të gjitha lakadredhat e jetës nëpër të cilat ka kaluar Kosova, andaj edhe personazhi i këtij jetëshkrimi Ilaz Ilazi.

Përfundim

Jetëshkrimi është një literaturë interesante jo vetëm për faktin se është pjesë edhe e jetës sonë ose të pasaardhësve tanë por edhe për të dhënat se përmes jetës dhe veprimtarisë së individit shtresohen gjithë ecejaket e një populli, jo vetëm nëpër periudha të caktuara kohore por edhe nëpër mënyrën e zgjidhjes së aq shumë çështjeve që ka nxjerrë jeta shoqërore e një populli të cilat në kohë të caktuar kërkojnë zgjidhje.

Kështu i kishte ndodhur edhe Ilaz Ilazit, në moshë të shtyrë me peshën e sëmundjes mbi supe, ai duke i qëndruar besnik vetëdijes së tij kombëtare se pa veprim nuk ndryshojnë proceset shoqërore bëhet krah në shërbim të luftës për liri.

Qoftë edhe vetëm për këtë fakt të vogël, kur edhe mosha edhe sëmundja nuk largojnë nga rruga e veprimtarisë kombëtare, këtë jetëshkrim e bëjnë literaturë të vlefshme për brezat e lexuesve shqiptarë por edhe soje shumë të veçantë në arkivin e kujtesës së familjes dhe të kujtesës sonë historike.

Prishtinë, mars, 2019

 (Prof. dr Nusret Pllana është redaktor i librit: “Një jetë në shërbim të lirisë dhe të zhvillimit”, të autorit Rexhep Rifati, që doli nga shtypi pak ditë më parë)