Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu, ka kujtuar marrëveshjen për normalizim të marrëdhënieve Kosovë-Serbi të nënshkruar në vitin 2013 mes kryeministrit të atëhershëm Hashim Thaçi dhe atij të Serbisë, Ivica Daçiq, derisa e ka quajtur atë marrëveshjen më të dëmshme që nga paslufta.
Sipas saj, kjo marrëveshje synonte të instalonte bosnjëzimin e Kosovës, me ç’rast siguronte autonomi për serbët në Kosovë. Ajo thotë se ekonominë, sigurinë e shëndetësinë dhe arsimin, sipas kësaj marrëveshje, duhet ta kontrollonin vetëm serbët, në vendbanimet me shumicë serbe.
“Fillimisht decentralizimi i ndau banimet serbe nga ato shqiptare në baza etnike, e me këtë marrëveshje u krijua mundësia për një bashkim të këtyre komunave, duke krijuar një zonë autonome me shumë kompetenca, një pushtet praktikisht të veçantë, sfidues ndaj unitetit republikan të Kosovës”, ka shkruar ajo.
Sipas saj, projekte të tjera të dëmshme ende po vazhdojnë t’i sillen Kosovës.
“Edhe pse Gjykata Kushtetuese pas kundërshtimit të fuqishëm qytetar e opozitar në Kuvend e jashtë tij e hodhi poshtë këtë marrëveshje tradhtare, e cila shkelte në 23 nene frymën e Kushtetutës, por ky projekt e projekte tjera të dëmshme vazhdojnë t’i sillen Republikës së Kosovës”, ka shkruar ajo.
Haxhiu thotë se, krahas kërcënimeve të tilla edhe më i fuqishëm është vullneti i qytetarëve që sot sikur atëherë nuk do të lejojë as kryeministra e as presidentë që ta cenojnë sovranitetin dhe integritetin territorial të vendit.



















