Freskim i ndërgjegjes sonë kombëtare në përkujtim të betejës së Albulenës(Ujëbardhës), e cila qe zhvilluar më 2 shtator 1457.
Bedri TAHIRI
Çdo popull e ka heroin e vet kombёtar. Edhe ne shqiptarёt e kemi heorin tonё tё lavdishёm kombёtar- Gjergj Kastriotin. Ai ёshtё hero i tё gjithё shqiptarёve, kudo qё janё e gjallojnё nё rruzullin tokёsor. Heroi ynё ka pёrmasa mё tё mёdha se sa heronjtё e popujve tё tjerё. Kjo ёshtё shumё e vёrtetё, ngase Ai nuk e mbrojti vetёm kombin tonё nga zhbёrja, por, pёr njёzet e pesё vjet rresht, mbrojti edhe gjithё krishterimin evropian nga hordhitë e përtej Dardaneleve qё nё kёto anё sollёn natёn pesёqindvjeçare. Mu pёr kёtё, gjatё gjithё historisё, tё gjithё u munduan tё na e grabisin e tё na e pёrvetёsojnё Heroin me dredhia e me falsifikime. Por, kot, shpirti i tij i bardhё dёborё ishte ngulitur thellё nё zemrёn e çdo shqiptari tё vёrtetё. Kjo, mjerisht, po ngjet edhe sot, por, sërish kot se koti, ngase Gjergji ynë mbetit ai që ishte: HEROI KOMBËTAR I SHQIPTARËVE.
Nuk po e zgjas mё tepёr, se kjo tashmё dihet botёrisht edhe nga çiliminjtё nё djepa, por, nёse nuk ju mёrzisё, po e paraqes pa ndryshime njё tregim tё shkurtёr qё e pata botuar nё vitin 2001, nё revistёn “Shpresa”, kur Heroi ynё kombёtar kapёrceu kufirin e mallkuar vёllandarёs dhe arriti nё Prishtinё.
KRENARIA JONЁ
Njёzet e katёr luftёra bёri
Njёzet e katёr vdekje theu
Çka mangut linte Gjergji
Plotёsonte natёn Skёnderbeu.
(Ismail Kadare)
…Janari i egёr i vitit 1468, krahas dёborёs sё madhe, solli edhe shumё tё zeza, qё rёnduan ashpёr mbi supet e Arbёrisё sё molisur nga betejat e pareshtura. Rrethimi i tretё i otomanёve e kishte sfilitur fare, sa e kishte vёnё buzё varrit. Kryezoti po lёngonte nё shtrat. Çdo lajm i hidhur nga fushёbetejat ia çante zemrёn nё dysh, por kot. Shtati prej vigani, qё kurrё nuk njohu pёrkulje, kishte ngecur pa fuqi dhe s’ngrihej dot. Fare pranё, Donika sypёrlotur, dhe i biri trembёdhjetёvjeçar, Gjoni i padjallёzuar. Tutje, ulur nёpёr frone tё mёdha druri, princёr e kapedanё flokёthinjur e mustaqedredhur qё nuk bёzanin. Heshtje e rёndё, plumb. Vetёm kur ia sollёn lajmin e fitorёs pёrfundimtare mori frymё lirshёm. U ngrit cazё nё bёrryla, ua hodhi njё sy tё gjithёve, sa ishin aty, dhe me zё tё ngjizur tha:
-O bashkёluftёtarёt e mi besnikё, o princёr e kapedanё tima! Unё po ua lё shёndenё. Amanet Atdheun dhe birin tim tё njomё. Po u lё tё rrethuar nga armiqtё, por, nёse bashkoheni dhe lidheni tok, siç kemi qenё deri sot, do t’ia dilni mbanё. Pёrndryshe, po u pёrçatё, do t’u marrё lumi. Lirinё, qё nuk ua solla unё, por e gjeta midis jush, ruane mё shumё se jetёn! Kujdes dredhitё…pusitё…pabesitё…xhelozitё…ndasitё…
Dhe, ditё e zezё agoi. Me shtatёmbёdhjetё janar Lezha u gdhi nё zi. Dielli ngatёrroi rrugёn. Lumenjtё ndaluan gurgullimёn. Zogjtё harruan kёngёn. Gratё u veshen me tё zeza, ndёrkaq burrat shkurtuan gunat mbi bёrryla. Kali, ngelur jetim, kalёroi e kalёroi derisa mbeti pa frymё. Lekё Dukagjini, flokёshprishur e mjekёrrshkulur, me zё hakёrrues dha kumtin e kobshёm:
-Mblidhuni, mblidhuni me vrap, o princёr e sundimtarё arbёrorё. Sot u bёn copё e grimё dyert e Epirit dhe tё Maqedonisё, sot u rёxuan muret dhe fortesat tona, sot fluturoi tёrё forca dhe fuqia jonё, sot u pёrmbysen forcat e pushtetet tona, sot u shuan sё bashku me kёtё njeri çdo shpresё jona…
Vёrtet, dhjetё vjet mё vonё, gjёrat morёn tatёpjetёn. Çdo gjё u rrokullis nё greminё. Barbarёt i pёrmbysen tё gjitha. Etnosi ynё zu tё nёpёrkёmbej. U sulmuan gjuha, tradita, kultura, besa. E gjurmuan dhe e gjetёn edhe varrin e kryetrimit. Tёrё mllef, urrejtje e frikё u vёrsulen mbi tё, si bishat e tёrbura dhe e zhvarrosen. O tokё, lёshona! Copё e grimё e bёnё skeletin e tij. Pёr çudi, nga frika se po ringjallej a nga dёshira qё tё bёheshin trima si ai, eshtrat ia thёrrmuan dhe i bёnё nuska pёr t’i bartur me vete. Kёshtu, trimi, qё lavdinё dhe trimёrinё nuk ia zuri njё varr i vetёm, u shtri gjithandej nёpёr Evropё e deri nё Azi.
Shpirti i tij i ndritur edhe mё vonё, si gur sinori, u trazua nga tё tjerёt, qё pёrpiqeshin me çdo kusht ta pёrvetёsonin. I provuan tё gjitha mёnyrat, por pa sukses. Pema s’njihet nga gjethet, por nga rrёnjёt. E ato ishin thellё- thellё nёn shkrepat e thepisur tё Arbёrisё, ku nuk arrinte dot dorё e huaj. Prej andej buronin dhe kujtimet e pashterrura pёr kёtё kryehero. I pёrjetёsuar nё kёngё, nё legjenda, nё tregime e nё monumente tё ndryshme na pёrcolli denbabaden, duke na e mbajtur ndezur flakadanin e lirisё nёpёr shekujt e errrёsuar e tё mbpleksur me gjak.
Emri i legjendarit frymoi pёrherё edhe nё tokёn e lashtё dardane. Mё gjallёrues ishte gjatё luftёs sё ndritshme tё UÇK-sё. Njё ditё nuk u durua mё, edhe vetё ia mёsye kёtej…
28 Nёntor 2001. Kudo qё bukёs i thonё bukё e ujit ujё kishte festё. Qafё- Morini kishte gdhirё pa shtirё gjumё nё sy. Ishte dehur fare nga gёzimi. Fati i ratisi t’i bashkojё shqiptarёt. Aty po takoheshin legjendarёt: Gjergj Kastrioti nga Kruja dhe Adem Jashari nga Prekazi. E madhёrishme. Njё kurorёzim i rrugёs sё gjatё mbi pesёqindvjeçare.
-Mirё sё vjen, o Gjergj vёllai, o princi ynё i madh, qё pёr shumё vjet nderove Arbёrinё dhe mbarё Evropёn!
-Mirё sё ju gjёj, vёlla Adem, o komandant i Ushtrisё Çlirimtare tё Kosovёs, qё me gjakun Tuaj tё shtrenjtё mё hapet rrugё pёr nё Kosovёn trime, qё pёr tё gjallё vetёm njёherё shkela nё kёto troje tё begata!
Malet pёrreth mbanin vesh e dёgjonin nё heshtje. Flamujt kuqezi valviteshin hareshёm e pёrplot krenari. Ballё pёr ballё edhe dy gjeneralёt: Pёllumb Qazimi e Agim Çeku.
Dhe, shpata e Gjergjit vringёllinte.
Dhe, mitralozi i Adem Jasharit bubullinte.
Dhe, kёnga e vallja s’kishin tё ndalur. Po bёheshin tok edhe tre nёntorёt:
KRUJA
VLORA
PREKAZI.
Emёruesi i pёrbashkёt: L I R I A.
Sot edhe mё mirё. Krenar e fytyrёqeshur nёpёr mёsonjёtorёt tona prore rrezaton bashkim, urtёsi, trimёri, bujari e mbi tё gjitha atdhedashuri. Ai, pёr çdo ditё sikur u flet njomёzakёve:
Pa mё shihni se ç’kam veshur,
Koha donte shpatё e trimёri,
Sot, o bukurosha, lypset ndryshe,
Libra, mёsime dhe dituri!
Ç’porosi e mbarё e ç’mёsime tё mira pёr dritat e ardhmёrisё!
I tillё ka qenё gjithmonё Gjergji ynё, simboli i krenarisё sonё kombёtare. Ai nuk qe vetёm yni. Jo, jo. Vite me radhë mbrojti mbarё civilizimin dhe krishterimin evropian. Papati e çmoi shumё, ia dha titullin Kapiten i Pёrgjithshёm i Selisё sё Shenjtё, por i mbeti borxh, nuk e shenjtёroi. Thonё koha shёron plagёt. Tё shohim sa do tё ndreqen padrejtёsitё qё na i bёri mёsuesja e jetёs- Historia.