Program festiv në Mönchaltorf kushtuar Ditës së pavarësisë së Kosovës 

520

Mbrëmë në lokalitetin Mönchaltorf, të kantonit të Cyrihut u mbajt një tubim me një program të pasur artistik në kuadër të 11 vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, ku morën pjesë edhe Selim Pacolli , nënkryetar i Prishtinës dhe , Islam Spahiu , shef i misionit të Konsullatës së Kosovës në Cyrih.

Teksti e fotot Rexhep Rifati

Nikoqire e këtij festimi ishte Shoqata Kulturore shqiptare “Atdheu” së bashku me SH.K.A “Rilindja” nga Vinterthuri, që udhëhiqet nga Gëzim Kasumaj  dhe stilisten e modës me veshje kombëtare, Flora Balaj. Ishte ky një eveniment  simpatik kulturor i përshkuar me fjalë rasti dhe një program i përzgjedhur me kenë e valle, defile mode.

Paraprakisht Bajram Kllokoqi kryetar i Shoqatës “Atdheu”, përshëndeti në emër të nikoqirit praninë e Selim Pacollit, nënkryetar i komunës së Prishtinës, shefin e misionit konsullor të Republikës së Kosovës në Cyrih, Islam Spahiu, si dhe mësuesin vendas Michael Schafner dhe përfaqësuesit e Lapshit për kantonin e Cyrihut, në krye me Naser Ulajn dhe përfaqësuesit e shoqatave kulturore dhe artistike. E pranishme ishte edhe Shukrije Ramadani, konsulle e Kosovës në Cyrih.

Me këtë rast po e japim një pjesë të fjalës së Bajram Kllokoqi i cili pasi dha një njoftim të shkurtët për vendin ku jeton e vepron një pjesë e komunitetit tonë dhe ku vepron shoqata “Atdheu” që drejtohet nga ana e tij, potencoi se “vendi ku jetojmë dhe punën e shoqatës sonë: Këtu në Mönchaltorf, në nivel të komunës ka mbi 4000 banorë dhe se këtu jetojnë përafërsisht 35-40 familje shqiptare me rreth 200 banorë shqiptarë, të ardhur nga trojet tona etnike. Ndërsa sa i përket shoqatës sonë “Atdheu”, kjo  u formua në vitin 2011 dhe u regjistrua në mesin e 60 shoqatave që veprojnë këtu në Mönchaltorf dhe gëzon të gjitha të drejtat si shoqatë kulturore që prezanton kulturën tonë shqiptare. Më pastaj i bëri një vështrim kushteve të migrimit nëpër të cilin kaluan shqiptarët deri tek integrimi dhe prosperitetit i vazhdueshëm i shqiptarëve në këtë vend.

Më tej Kllokoqi tha se edhe  më tej: “do të vazhdojmë rrugën e integrimit dhe të prosperitetit të mëtejshëm të këtij populli dhe shteti mik që na u gjind në ditët më të vështira. E rëndësishme është se sot shqiptarët në Zvicër, që përbëjnë një nga komunitetet më të mëdha me prejardhje të huaj janë  një faktor i rëndësishëm në të gjitha rrjedhat e zhvillimit të shoqërisë zvicerane, veçmas brezi i ri përmes shkollimit e punësimit. Porse detyrat tona si prindër nuk përfundojnë këtu, ngase kemi obligim dhe detyrë parësore që fëmijëve tanë të lindur këtu të iu tregojmë kulturën, traditën dhe historinë tonë: se kush jemi dhe nga jemi dhe që ata të bëhen pjesë e pandashme e identitetit dhe kulturës sonë kombëtare.

Në vazhdim përshëndetën mysafirët e pranishëm e Selim Pacollit, nënkryetar i komunës së Prishtinës, i cili foli veçmas për kontributin e mërgatës sonë, në periudhat më të rënda në të cilat u gjend Kosova, por edhe sot në fazën e zhvillimit të saj, ndërsa shefi i Konsullatës së  Republikës së Kosovës në Cyrih, Islam Spahiu, përkujtoi se shqiptarët po bëhen faktorë të rëndësishëm zhvillimi në kuadër të shoqërisë zvicerane, në të gjitha fushat e jo vetëm në atë të sportit. Poashtu një fjalë të shkurtër rasti e mbajti edhe mësuesi Michael Schafner, i cili kishte shërbye edhe në Kosovë në kuadër të pjestarëve të ushtrisë zvicerane, i cili pa ashtu falënderoi prindërit shqiptarë për bashkëpunimin e mirë në mësimin e rregullt në gjuhën gjermane.

Do theksuar se programi në tersi ishte mjaft cilësor, ngase SHKA “Rilindja”, ndonëse një trup e re artistike, shquhet si për  grupin e folklorit me instrumentist me përvojë ashtu edhe me grupin e valltareve të reja që me kreacionet e tyre në skenë po gëzojnë simpati gjithnjë e më të madhe në mesin e shikuesve. Një mbresë të veçantë mbrëmë sollën edhe modelistet me veshjet e tyre nga treva të ndryshme shqiptare, të përzgjedhura me shije nga Flora Balaj. Ndërsa që programin e moderoj aktori Ramadan Morina, derisa edhe unë pata një ekspozitë fotosh të odave, sofrave dhe veshjeve të hershme shqiptare. /www.prointegra.ch/