Gjeneva do të fillojë vaksinimin nga mosha 45-vjeç

Kantoni i Gjenevës ka njoftuar se po zgjeron fushatën e tij të vaksinimit. Personat nga mosha 45 vjeç tani do të jenë në gjendje të vaksinohen kundër Covid-19.

Nga Mirishahe Limani Hiler, Gjenevë

Zyrtarët shëndetësorë morën këtë vendim pasi konstatuan se shumë pak njerëz mes moshës 55 dhe 64 vjeç ishin në listat e pritjes, njofton sot Radio televizioni zviceran.

Kantoni synon të adaptojë shkallën e injeksioneve në stokun e dozave që ka në dispozicion, dhe kështu të shmangë përfundimin me më shumë doza sesa kandidatët për vaksinim.

Kur dhe ku bëhet vaksinimi?

Javën e ardhshme, Gjeneva do të hapë një vaksinodrom me kapacitet të madh në Palexpo , njoftoi Drejtori i Përgjithshëm i Shëndetësisë Adrien Bron. Kantoni do të ketë më pas shtatë qendra vaksinimi dhe një qendër shtesë pritet të hapet në maj.

Në nivelin epidemiologjik, situata mbetet e tensionuar. Edhe pse nuk shënohet ndonjë përkeqësim në pjesën e shtrimeve në spital, autoritetet vërejnë një trend të vazhdueshëm në rritje në numrin e rasteve.

Momentalisht kantoni i Gjenevës ka 436 raste të reja të konfirmuara dhe 1 vdekje të re në 72 orët e fundit. Shkalla mesatare e pozitivitetit të testeve të kryera ishte 8.6% gjatë javës së fundit për 16,213 teste të kryera në kanton, përcjellë shifrat e përditshmja frengjishtfolëse Tribune de Genève sot më 12 prill.