Ansambli «Gëzuar» nga Gjeneve, kremtoi denjësisht 10- vjetorin e themelimit

Për të përjetuar nga afër atmosferën e jubileut të Ansamblit të Valleve “Gëzuar” nga Gjeneva u desh në dy drejtimet të bëj me tren rreth 600 kilometra. Dhe ia vlejti, pasi trupa artistike me koreografitë e përzgjedhura nga profesor  Xhemali Berisha, doli me një program të përzgjedhur që u prit me duartrokitje të gjata nga të pranishmit

Teksti e fotot: Rexhep Rifati

Ky jubile, pos artistëve e drejtuesve të ansamblit, kishte tubuar edhe përfaqësuesit të ansambleve simotra nga mbarë Zvicra, si dëshmi e një zhvillimi të hovshëm të amatorizmit kulturor në mesin e shqiptarëve të shumtë që jetojnë në shtetin helvetik.

Paraprakisht, pasi me një fjalë rasti përshëndeti të pranishmit,  kryetari i këtij ansambli,  Ismet Kurteshi falënderoi anëtarët dhe prindërit e tyre për angazhim të përbashkët me qëllim që edhe në dhe të huaj të ruhet e kultivohen me dashuri e angazhim vlerat siç janë gjuha, traditat e në këtë rast edhe vallja e kënga shqiptare.  Më pastaj ai vuri në spikamë angazhimin dhe rolin e madh prej një artisti, të Xhemali Berishës: Këtij Mjeshtri të valles popullore shqiptare i cili nga vogëlushët tanë nxori artist të vërtetë skene. Pasi më parë në Kosova në vitet e 70-ta, kontribuoi me të madhe që Kosova të zë vendin e dytë në Festivalin ndërkombëtar të Dizhonit në Francë, ndërsa që me të ardhur në mërgatë aktivitetin e përqendroi në Gjenevë, ku edhe dhjetë vite më parë nga një grup fëmijësh, sot arriti të ketë një ansambël rinor me renome, i denjë për të na përfaqësuar edhe në nivel kombëtar. Me një përshëndetje të pranishmëve iu drejtua edhe profesor Xhemali Berisha i cili meritat ua atribuoi prindërve, anëtareve dhe drejtuesve të ansamblit.

Pas një programi tejet simpatik, të përbërë kryesisht nga mosha të reja, që u prit me duartrokitje nga të pranishmit, u shtrua një darkë e përgatitur nga nënat shqiptare, që i kanë fëmijët në këtë trup artistike.  Në fund të programit u ndanë mirënjohje për ata që me vite kanë kontribuar në këtë ansambël apo që e kanë ndihmuar ansamblin në forma të ndryshme.  Mirënjohje u ndanë edhe për ansamblet simotra.