Në kohët e fundit, përkundër përpjekjeve të mëdha që po bëhen për konsolidimin e normës standarde shqipe, ende, në gjuhën e folur por edhe në të shkruarën, po vërehen disa shkarje gjuhësore, të cilat, në vend se të largohen, kemi përshtypjen se po nguliten edhe më thellë në strukturën e gjuhës sonë. Kjo gjë pa vështirësi mund të vërehet, si në mjetet e informimit publikë, po ashtu edhe në revista dhe në periodikun tonë përgjithësisht.
Nga Sami ISLAMI, Londër
Në këtë aspekt, mendoj, se me mjaft interes do të ishte t’i hedhim një vështrim të shkurtër përdorimit të drejtë të foljes “shërbej” (shërbehem) në gjuhën shqipe. Dihet fare qartë se kjo folje , si për nga kuptimi, po ashtu edhe për nga situata e përdorimit në shqipe është e përcaktuar, dhe, për sa na japin edhe fjalorët (Fjalori I gjuhës shqipe, Fjalori serbokroatisht –shqip, Fjalori shqip –serbokroatisht) gjejmë këtë shpjegim: Shërbej, punoj si shërbyes a si nëpunës i shtetit, i bëj shërbim, i sjell dobi, i hyj në punë etj. (Fjalori Gjuhës Shqipe, f. 521), ose serbokroatisht služiti-služim- jam në shërbim- (koga) za stolom, shërbej në ndonjë tryezë, sofër: čime vam mogu -? Çka urdhëroni? – sllužiti se (čime), shtie në punë, përdor; -prigodom, përfitoj nga rasti; sllužite se! urdhëroni! Merrni! (Fjalori serbokroatisht-shqip, Prtishtinë, 1974, f.796) etj.
Përveç kuptimit të mirëfilltë që ka, kjo folje po del edhe me një kuptim mjaft çoroditës që s’përkon aspak me natyrën e kësaj foljeje. Për shembull: “Po shërbehem me tekste shkollore”, “Është shërbyer me material nga gazeta”, “Shërbehuni” (kur i ofrohet dikujt për të pirë etj.), “…Kjo analizë e fjalës me elemente primare gjuhësore mund të bëhet vetëm në raste kur mund të shërbehemi me materiale të gjuhës greqishte (duhet gjuhës greke!)” (“Rilindja”, 25.08.1981, f. 12), Suksesi u arrit duke u shërbyer me ide të punës së bashkuar” etj.
Folja “shërbej” (shërbehem) në të gjitha rastet që i përmendëm më lart është përdorur gabim, sepse njeriu mund t’i shërbej dikujt, për diçka por jo ta shërbejë vetveten, siç po del në shembujt që i morëm në shqyrtim. Kjo është njësoj sikur kur folëm për përdorimin gabim të foljes “lajmërohem”, që në fakt njeriu nuk mund ta “lajmërojë” vetveten.
Të kthehemi tek folja “shërbej”. Meqë njeriu nuk mund t’i “shërbejë” vetvetes, siç thamë më lart, diateza që do të mund të shkonte me këtë rast, do të ishte diateza pësore , p.sh jam i shërbyer (nga dikush) etj.
Është gabim pra të thuhet dhe të shkruhet “Po shërbehem me tekste shkollore”, sepse konstrukti “pos shërbehem me” nuk është shqip, por i huaj. Kujtoj që ky konstrukt hyri në shqip nga serbokroatishtja “posllužim sebe” edhe pse kam dyshim që edhe në këtë gjuhë të jetë i saktë. Në shqip nuk ka nevojë të merret kjo folje në këtë formë, për të shprehur këtë qëllim, por duhet kërkuar rrugë të tjera që shkojnë me frymën e shqipes. Ja disa variante: “Po shfrytëzoj tekste shkollore “, “Po konsultoj (ose po përdor) tekste shkollore” Po ashtu, në vend të fjalisë “Është shërbyer me material nga gazeta” mund të themi “Ka shfrytëzuar (ose ka përdorur), ka konsultuar material nga gazeta”.
Me interes të veçantë do të ishte trajtimi i kalkut “shërbehu” (shërbehu me këtë ose atë gjë”). Ky kalk mund të dëgjohet gjithandej, në bisedat e përditshme në shoqëri por edhe në shkrime. Zakonisht përdoret kur dikujt i ofrohet të zgjedh diçka nga pijet, ushqimet a shërbimet e ndryshme. Ky kalk , vjen nga shprehja serbokroate “ posllužiti se”! “Me çfarë mund t’ju shërbej” (Čime vam mugu poslužiti). Në shqip thjesht do të mund të shpreheshim me: “Çka dëshironi?” Çka urdhëroni”, “Merrni” etj. por jo “shërbehuni”!
Le të marrim edhe një shembull tjetër: “Suksesi u arrit duke u shërbyer me ide të punës së bashkuar”, konstrukti “duke u shërbyer” mund të zëvendësohet me trajta të tjera shprehimore, të cilat janë të natyrës së gjuhës sonë. Kështu mund të themi : “Suksesi u arrit duke pasur për bazë idetë e punës së bashkuar “,( ose duke shfrytëzuar ide të punës së bashkuar) etj., por vazhdimisht duke pasur parasysh mënjanimin e trajtës së gabuar “duke u shërbyer”. Edhe fjalia tjetër do të duhej të dilte kështu: “Kjo analizë e fjalës me elemente primare gjuhësore mund të bëhet vetëm në raste kur mund të shfrytëzojmë (në vend “të shërbehem me”) material të gjuhës greke (jo greqishte , se fjala “greqishte është ndajfolje dhe ndajfoljet u referohen foljeve e jo emrave!). Prandaj derisa gjuha serbokroate përmes konstrukteve “služiti se” ose “poslužiti se” (që e ka kuptimin e “shërbimit”, mund të shpreh raporte pësore vetvetore në gjuhën shqipe kjo gjë nuk mund të arrihet, për arsyet që i përmendëm më lart. Në pikë të fundit folja “shërbej” në diatezën pësore vetvetore ka një përdorim më të kufizuar. Edhe nëse haset kjo folje mund të shfaqet në diatezën pësore dhe atë në format “jam i shërbyer(nga dikush)”, ose “është i shërbyer”, por jo “shërbehem” ose “shërbehet”.
“Shkëndija” Nr 21 , 25 dhjetor 1981, faqe 10