Faruk Tasholli: TË FALA GRAVE TË KOSOVËS

(Satirë në kohë zgjedhjesh)

 

O ju të dashtuna, o ju të bukura

O ju pun‘tore , o ju krahflutura;

Kam pak të fala nga fundi i botës,

Për ju trimnesha, gra të Kosovës!

Hajde po e zamë se unë nuk jam burrë

Po ngomëni nji herë se s’më nguet kurrë!

Ju që mund ta sillni gjithë botën me dorë

Pse s’e ktheni mbarë veç atë trohë Kosovë?!

Juve që rrallë burrat iu marrin me t‘mirë

Mos u mashtroni votat me ju shkue lirë,

Ju që shpresat varni drejt në parlament

A s’u ngitë me burra tash e njiqind vjet?!

Sot ndyshuen kohët bota ka t`paprituna

Ç‘ na u mbush Kosova plot me gra të dituna!

Te kutitë e votimit në zgjedhje kur t‘ shkoni

Vetëm gjininë tuej, ju lus ta votoni!

Le ta merr vesh bota dhe burrat e përjargt‘

Se vetëm gratë Kosovës ia çojnë zanin larg;

Ato që Beogradit ia prishën keq projektin

Kur s’kishin armë tjetër, pos natalitetin!

Dilni gra Kosove, dilni gra kreshnike,

Bani qeverinë si jeni vetë besnike,

Hiqni prej hajnisë burrat në ketë shtet,

Se s‘ua vjedhin nanat bukën f’mijëve t‘vet!

O ju gra Kosove ma t’bukurat në botë,

Niseni nji herë luftën me atë armën “votë”,

Do t’i shihni burrat tek çojnë kry‘ si huta:

N’ballë të shtetit tonë kemi veç Teuta!!!

(Nga fb i poetit Faruk Tasholli, Gjermani)