Ndjesi dhe heshtje
Njoh shumë njerëz, por pak janë miq,
shoqëri në dukje që vetminë ta jep…
Rrugë të asfaltuara që çojnë në rrënqethje,
shtigje me gur që mbajnë dashuri dhe jetë…
Heshtje e boshte që nuk japin ndriçim,
fjalë të rënda që thyhen pa ndjenja…
Lumturi që shpërthejnë pa paralajmërim,
dhimbje që zgjojnë shpirtin përbrenda…
Midis të mbajturës dhe mirëmbajtjes,
qëndron ndryshimi që shpesh kuptojmë…
Arritja vjen nga çdo përpjekje,
nga gjërat e vogla që shpesh i harrojmë…
Ekzistencë e vetëdijshme
Veten e shoh si pasojë vendimesh,
jo si përjetim, por si rezultat,
mes asaj që mendoj dhe asaj që veproj,
aty formohet identiteti im i saktë.
Jam një ndërgjegje që vëzhgon vetveten,
një mendim që analizon inteligjencën,
jo e lirë plotësisht, as krejt e kushtëzuar,
midis dy skajeve ndërtoj ekzistencën.
Nuk kërkoj kuptim jashtë asaj që bëj,
Dhe justifikim për çfarë kam qenë,
E pranoj veten si proces në rrjedhë,
Që vazhdon të qëndrojë, pa u shpjeguar çfarë ndiej.
Nga Judita Dedi


















