Edhe 25 bursa studentore nga Klubi Rotary Ferizaj

Në vitin e 9 të themelimit të Fondit të bursave studentore, Klubi Rotary Ferizaj, e kurorëzoi sot këtë përvjetor edhe me 25 bursa të reja, falë donatorëve bamirës nga brenda dhe jashtë Kosovës. Klubi ferizajas që nga viti 2015 , falë dhjetëra donatorëve nga diaspora, bizneseve dhe anëtarëve të vet Klubit për këto 9 vite akademike ka dhënë 289 bursa për studentët e komunës së Ferizajt dhe të Shtimes në vlerë të përgjithshme prej 154.650 euro.  Përndryshe projekti e ka bazën që nga vitet e paralufte, kur qenë ndarë mbi 110 bursa solidare.

Teksti e fotot: Rexhep Rifati

Sot në një ceremoni thuaja se festive u bë nënshkrimi i kontratave me 25 studentë përfitues të bursave vjetore në shumë prej 700 eurosh, mjete këto që në baza vullnetare i ofrojnë donatorët nga këto dy komuna apo edhe nga mërgata jonë, madje jo vetëm nga shtetet evropiane, por edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Ceremoninë e kontraktimit të bursave në emër të kryesisë Klubit Rotary Ferizaj e hapi kryetari i këtij klubi, Rexhep Limani, i cili ju uroj mirëseardhje dhe suksese në studime studentëve, ndërsa administruesi i fondit, që me shumë përpikëri e menaxhon këtë projekt që nga fillimi, Afrim Konjufca, foli për obligimet e përgjegjësinë që duhet të kenë edhe vet studentët, në mënyrë këto mjete të shkojnë në duart e atyre që kanë më së shumti nevojë dhe që tregojnë sukses më të mira në studime,

Në emër të donatorëve bëra edhe unë një përshëndetje, duke u uruar studentëve suksese sa më të mira në studime por edhe duke falënderuar edhe donatorët tjerë e në rendë të parë kryesinë e klubit që me shumë përgjegjësi e seriozitet që nga fillimi iu ka rrek këtij projekti i cili tash po hynë në dekadën e parë të veprimtarisë, ndërsa që disa nga komunat që patën filluar me këtë projekt kanë ngel në gjysmë apo e kanë ndërpre aksionin, që duke shëmbëllyer Ferizajn patën bërë hapa të mirë në fillim.

Ndaj edhe me këtë rast nga pozita e donatorit, falënderoj sidomos mërgimtarët për kontributet e tyre në këtë fond sa arsimor e edukativ aq edhe humanitar, duke mos e ndarë nga ky falënderim assesi vet klubin i cili jo vetëm që menaxhon por edhe vet kontribuon me një numër të konsiderueshëm bursash nga ana e anëtarëve të tij.