Meqenëse dje nuk isha banesë dhe nuk kisha qasje në kompjuter, po e jap pjesën e ditarit që ka të bëjë me 14 Prill 1999, ndërsa që për 15 prill nuk ka shënime në ditar:
Aty kah mesdita, pranë Shkollës “R. Spahiu”, më ndalon një nxënëse as 13 – vjeçe dhe si me ndrojtje më thotë: “Quhem Sabajeta Peposhi. Kam shkruar një poezi dhe e kam titulluar: “Karvani i mundimit”. Të lutem, ma shih këtë poezi se e kam fort për zemër!
Ndërkohë, në rrugë po kalonin 5 – 6 zetorë mbushur plot-e-përplot me njerëz.
– Ja, – më thotë ajo, – këto pamje ma mbushin shpirtin me pikëllim. Nuk mund të shkruaj më për këto gjëra. Duhet të shkruaj vetëm për gjëra të bukura.
Ia mora fletën e fletores ku nxënësja kish shkruar poezinë dhe vetëm do kohë më vonë e lexova. Në fund të poezisë qe shënuar edhe data kur qe shkruar: 3 prill 1999.
KARVANI I MUNDIMIT
– të shpërngulurve të Kosovës –
Krejt papritmas, të dëshpëruar,
U nisët n’udhëtimin e mallkuar
Shpirti nuk e di ç’thotë
Se mbeti i vetëm në këtë botë
Qenien hynore, foshnjen e njomë,
Kujtim i errët vallë e mundon?!
Zemra e tyre pikon gjak
Lyp një rreze të ndriçojë pak
Ecin dhe ecin pa arsye…
Kush do t’i ndihmojë këto yje?
( Nga portali i Petrit, Palushit, Kukës)



















