Dr. med. Valbona Hysenaj Miftari: Valdete Hoti, burim frymëzimi për të gjithë ne

 ( Dedikim kushtuar humanistes Valdete Hoti Selimi nga doktoresha Valbona Hysenaj Miftari)

 

Nga Dr. med. Valbona Hysenaj Miftari

Në botë kishte dhe ka shumë emra grash që kanë inspiruar shumë breza me radhë.Edhe kombi ynë i dhuroi botës emra grash që lanë gjurmë të pashlyera kudo që ato jetuan dhe vepruan. Serioziteti, dinjiteti, përkushtimi, dashuria dhe pasioni për misionin e tyre, janë parimet dhe vlerat që i karakterizojnë këto gra.

Personazhi im i sotëm është Valdetja, kryetarja dhe bashkëthemeluesja e shoqatës „Parandalo“ e cila sot bashkë me bashkëpunëtorët e saj, e bashkë me ne, kremton jubileun e shoqatës. Ky jubile nuk simbolizon vetëm një numër, por është kurorëzim suksesesh i punës së saj titanike. Veprimtaria profesionale e humanitare e Valdetes si përkthyese dhe ndërmjetësuese ndërkulturore, si bashkëpunëtore dhe koordinatore e projektit „Shpresa“, si anëtare e kryesisë në qendrën për vetëvendosje në jetë, megjithatë daton para më shumë se dy dekadash. Ndërsa roli dhe veprimtaria 10 vjeçare si kryetare dhe bashkëthemeluese e shoqatës PARANDALO po e mban në piedestal humanizmin e saj si dhe njëkohësisht po e promovon dhe forcon edhe imazhin e gruas shqiptare.

Valdetja edhe pse si e huaj në Zvicër dhe me nevoja të veçanta, arriti të thyejë barrierat që sjell jeta në mes të dy kulturave, të shembë stereotipet dhe klishetë e rrejshme që janë ngritur për gratë e që në shoqërinë tonë për fat të keq akoma janë mjaft evidente.
Ajo arriti të integrohet plotësisht në jetën profesionale dhe shoqërore zvicerane. Si përthyese ndërkulturore dhe njohëse e mirë e sistemeve sociale, juridike e shëndetësore, si ndërmjetësuese dhe këshilltare multidimensionale, si organizatore e shumë ligjëratave me qëllim vetëdijesimi, u bë zë i fortë në parandalimin e dukurive negative dhe diskriminimit të çdo natyre.

Kontributi i saj për ish ushtarët e UÇK-së që kishin nevojë për mjekim jashtë vendit, si dhe ndihma vullnetare që ajo u ofron bashkatdhetarëve tanë në Zvicër sot e 20 vjet, i jep asaj padyshim epitetin e një humanisteje të vërtetë.
Valdetja është „Nënë Tereza e ditëve tona“ dhe burim frymëzimi për të gjithë ne.
Me pasionin dhe energjinë e saj të pashtershme është përkushtuar në aktivitetet e saj vullnetare, vetëm e vetëm për të ndezur tek njerëzit dritat e shpresës për një të ardhme më të mirë. Ajo edhe përkundër gjendjes më të rënduar shëndetësore në vitin e fundit, ajo gjithmonë gjen forcën dhe arsyen që të vazhdojë të ndihmojë.
Ajo për dallim nga njerëzit e ditëve tona, ndihmon pa bujë e pa publicitet, sepse ajo nuk ka nevojë për vëmendje mediatike a rrjetesh sociale.

Asaj i mjafton të kuptojë thelbin e problemit dhe nevojën e secilit, të kuptojë gjuhën e shpirtit njerëzor edhe atëherë kur mungojnë fjalët. Ajo e ndjen peshën e mërgimtarit në supet e veta e dhimbjen në zemrën e saj. Jo vetëm pse ajo përjetoi vetë dhimbjen që shkakton largimi nga Atdheu, porse ajo posedon empatinë dhe virtytet e një humanisteje.
Valdetja posedon po ashtu vizionin, aftësitë komunikuese, këmbënguljen, shpirtin e lidershipit e mbi të gjitha pasionin për punën që bën, duke u shndërruar kështu në fuqi frymëzimi edhe për njerëzit rreth saj.

Veprat e Valdetes përgjatë dy dekadave, transmetojnë për ne një mesazh të madh; se secili nga ne mund të jemi ndryshimi, pavarësisht pengesave që na dalin përpara.

Neve na duhen gra të tilla si Valdetja këtu e anekënd botës shqiptare, për të përjetuar transformimin e vërtetë shoqëror, që ende na mungon si komb e të cilin e meritojmë.
Po të kishte më shumë njerëz si Valdetja e më shumë qytetari aktive, padyshim që bota do të kishte komunitete edhe më të forta, edhe më të bashkuara.

Valdete ti je mburrja dhe frymëzimi jonë i madh që meriton shumë respekt.
Faleminderit që i dhurove kombit vlera dhe vepra madhore!
Rrofsh!