Blerim Rreci: Shport me drimca

Kthimi i kampionëve

U kthye ekipi olimpik i Kosovës
U kthyen kampionët në atdhe
Krenarë me kampionët tanë
Sa janë madhështor
Po aq të thjeshtë janë

Porosi e të panjohurit

Një vazo hijerëndë
Në një hyje ndërtese
Mbështjellë me mbishkrim
Me një këshillë në letër

“Mos i prishni janë për ju
Ujit kur të mundesh”
Porosi e të panjohurit
Një dashamiri lulesh

Një vrimë llamarine

Dikush pëshpëriti
Prej një pjese Prishtine
Pse kaq shumë po betonizohesh
Ti e dashura ime
E kaq shumë vazhdojnë të mbijnë
Gardhe prej llamarine

Shesh i kamerave

Një qytetar kështu u ankua
Derisa ecte nëpër shesh
Pse nuk shpërndahen
Këto kamera mediesh
Në Rrugën A, B, C
Dhe kështu të vazhdohet
Nëpër rrugët-alfabet

Peisazh me aeroplan

Dielli perëndon
Si ditë e mërgimtarit
Një shkrepje seç e zuri
Një fluturim aeroplani

Hëna në periferi

Hëna gjatë ecjes
Na bën shoqëri
Rrugës këtej në periferi

Rri si e ngrirë e në profil
Si vajzë para piktorit
Për portret-vizatim

Hëna vazhdon me ne të rri
Edhe pasi mbërrijmë
Te kjo shtëpi për një gosti

Shfletime

Në një cep të sheshit
Shfletohet një gazetë
Shfletohen telefonë
Aty-këtu bisedë
Është vapë e gusht
Një shkrepje blic shfleton
Një pamje nate
Si rrufe në qiell të kthjellët
Ditënumëruar e hapshpejtë
Siç thuhet për mërgimtarët