Vetëdija filozofike mbi njohjen e vetes

Vështrim për veprën filozofiko-estetike “Arratisja nga “vdekja” të z. Zekerija Idrizi, botuar në Tetovë nga Shoqata e Shkrimtarëve “OENEUM”, 2019

Teksti: Prof.dr. Zejnepe Alili Rexhepi
Fotot: Rexhep Rifati

Të shkruash, qoftë dhe ca fjalë, për një vepër të arrirë letrare, me përgjegjësinë e parimeve që të imponon kritika, më parë duhet të rigjesh zërin e arsyes mbi përmbajtjen dhe vlerat e veprës. Kërkimi drejt vlerave humane dhe artistike, gjithsesi arrihet përmes leximit të vëmendshëm, dhe jo veç te një libër që shërben për përmbushje vetanake, por edhe ata libra, që janë formësuar midis mozaikësh të shumtë, si kërkime e dilema mbi të cilat endet fati i njeriut.
“Arratisja nga vdekja”, vepra filozofiko – estetike e Zekerija Idrizit, ngrihet si përsiatje e rrjedhave të kohës, me sensin e të kuptuarit të jetës, filozofisë njerëzore, historisë kombëtare, si dhe gjendjes sociale, nëpër të cilat parakalon, jo veç individi i vëmendshëm, por e tërë shoqëria shqiptare. Në këtë kompleksitet çështjesh jetike, autori, gjegjësisht kryepersonazhi, ndodhet para dilemash të shumta dhe nuk e di se cilës më parë t’i bëjë ballë!?

Promovues idesh të guximshme

Përmbajtja e kësaj vepre, veçmas koncepti autorial me thelb autobiografik, na e krijon bindjen se krijuesit si Zekerija Idrizi janë promovues idesh të guximshme, duke u ndërfutur në dilema eseistike, si fond i patjetërsueshëm i problematikës njerëzore. Gjithsesi, botëkuptimi i jetës shtjellohet përmes heroit lirik – Ilirit, si shqiptar i mbrujtur me atdhetari, besim dhe humanizëm, tre tipare këto që e portretizojnë njeriun e vlerave të çdo kohe.
Autori e dëshmon se edhe kur vepra përshkohet nga të dhëna biografike, duhet shkruar guximshëm dhe me sinqeritet, tërësisht i vetëdijshëm drejt qëllimit, meqë ta mposhtësh heshtjen, nënkupton të shkruash! Ta sfidosh vetminë, nënkupton të ngjitesh mbi ura komunikimi, duke përdorur fjalë magjike që hapin porta parajsore, edhe kur në të dy krahët tu ke mijëra dyer të ferrit. “Arratisja nga vdekja” është një vepër e tillë. E përvijon identitetin e zërit të krijuesit, gjithnjë me reflektime mbi të vërtetën dhe fisnikërinë njerëzore, edhe kur i vetmuar ndjehet brenda vorbullës – jetë, ku dyzimi shpirtëror e degdis tek ca filozofi të ngatërruara. Kjo vepër nuk është përshkrim rrjedhash a ngjarjesh historike, por vepër filozofiko-eseistike, si një ditar ku sajohet tabloja prej një dekade e dramës shpirtërore të individit.

I vetëm përballë absurdit

I gjendur vetëm përballë absurdit, autori vihet në kërkim të varianteve të përshtatshmërisë së vetes në kohë dhe përtejkohë, përmes rrugëtimit të heroit lirik- Ilirit, të shoqëruar me Kristinën, një bashkudhëtare e fisme, e cila bëhet frymëzim për të. Në kohë katrahurash, ka momente kur ai e mendon edhe vdekjen. Mirëpo, sa më gjatë mendon për vdekjen, ai kërkon shtegun e arratisjes prej saj, duke parë dritën e përtejme që nuancohet nga kahëzime të përjetshme.
Është mendim ky, që të pushton ndër të parët, teksa e lexon veprën e Zekerija Idrizit, të riut nga Shkupi, kryeqendra e lëngatës shqiptare që përballet me përvujtuninë nën hijen e djallit, atij qyteti me ura të shumta, megjithëse esenca e tyre është ndarja dhe getoizimi i shqiptarëve. I lodhur nga injorimi, një ditë, si shumë të tjerë, ai e mendoi largimin për në ndonjë vend tjetër ku do të gjente rehatinë dhe mirëqenien familjare. Një ëndërr e këtillë vazhdon për shumë të rinj të tjerë, edhe sot. Këtë rrugë të mërgimit ai edhe e provoi. Thjesht u largua, meqë njeriut me një botë të gjerë mendimi dhe vlerash arti, nuk i mbeti ndonjë zgjedhje, përpos të kërkojë mirëqenie larg këtij qyteti, duke e bartur me vete vulën për identitetin e “pahumbur”. Ndonëse kuptimi filozofik i kësaj arratie është shumëdimensionale, si vetë jeta me mijëra shtigjet e veta, që nuk kalohet dot përmes një linje të prerë, Idrizi shkroi me gjuhë të pasur e të thekshme pjesë nga jeta e vet, me sinqeritetin dhe ironinë e fatit, tani përtej kufijve të vendlindjes. Shkroi për kohën kur “Absurditeti dhe fantazmat groteske zënë vend në inteligjencën e tij, që ia mjegullojnë të rezonuarit e shëndoshë, ndërkohë që histeria e degradon deri në paradoksizëm”.
Përshkrimet në vepër janë “…momente nga një periudhë dhjetëvjeçare e përjetimeve të dhimbshme, por që ai arrin triumfalisht, t’i tejkalojë falë inteligjencës dhe besimit të sinqertë në Perëndinë. Disa herë përballet tmerrësisht me tablotë më lemeritëse të “vdekjes”, të “vetëzhbërjes”, por që mrekullisht shpëton, mbijeton… Të tëra dromcat nga “vdekja” e tij “elegante” (e kobshme, fatale), i shënon në këtë ditar”.I

Identifikim rastësor me Dante Aligierin

Në këtë rrugëtim të autorit, përmes protagonistit – Ilirit, mbase identifikim rastësor me Dante Aligierin, kuptojmë se “Arti është e bukura që ka vetëm një fytyrë, kurse e shëmtuara ka mijëra pamje”…, madje, është dëshmuar se e bukura, si koncept estetik, të shpie edhe në mëkat. Kthesa e bukur këtu, është fakti që, mëkatare me çdo kusht nuk është më Kristina – e zgjedhura e Ilirit, sepse ajo është sublime, sikurse Beatriçja. Në vepër nuk ka dogma për mëkatin, andaj autori, nuk duhet të deklarojë sikurse Nortrop Fraj: “Ah, grua, përse më mashtrove të gaboja ndaj Zotit, që tani të dy ta vuajmë dënimin”. Me këtë, me rënien në mëkat, njerëzimi e aktualizon çështjen e së mirës dhe të ligës, si dhe çështjen e vetëdijes…, pikërisht duke e kërkuar rinjohjen e vetes, me dëshirën absurde për pjesëmarrjen e vet në barazimin me zotërat. Në epilog, njeriu, fatmirësisht i shijon ëmbëlsisht frutat e rigjenerimit përmes katarzës.
Nëse pyetemi si ndodh kjo?
-Atëherë, themi se vetë mishërimi i njeriut me ëndrrat dhe parapëlqimet, për t’i plotësuar me çdo kusht ato, pasi njihet edhe për tiparin e Narcizit, nuk e shmang dot adhurimin për “lumturinë jetike”, ndonëse përfitimi me çdo kusht i asaj që synon, nganjëherë e shndërron në kërkues të pakompromis edhe kur ecën drejt vdekjes. Këtu, gjithmonë i referohemi figurativisht lidhjes perspektive të autorit me subjektin lirik.
Në vepër na shfaqet një realitet i ri, rinjohja e vetes në raportet: historike dhe religjioze, përmes Ilirit dhe Kristinës. Ata kanë korrelata të ngushta e miqësore, si dyzim i dy qenieve që duhen, bashkëveprojnë dhe kuptohen më mirë se kushdo.

Individi përballë mijëra pyetjeve mbi ekzistencën

Në esencë kemi Ilirin – individin përballë mijëra pyetjeve mbi ekzistencën dhe pranë tij Kristinën – besimtaren e devotshme… Të dy, me botëkuptime të ndryshme e qasje vetjake për Zotin, jetën dhe vdekjen, një shembull moralizuaes ky, për të dëshmuar se jo domosdoshmërisht njerëzit duhet të sajojnë “përkeqësimin” e raporteve ndërfetare. Për këtë arsye, duhet riparë modelin e ngritjes monumentale të individit, në raport me librat e shenjtë dhe predikuesit e fesë.
Tërë ky imazh plotësohet në pasqyrim me motivet, ambientet, rrethanat dhe alegorinë, të cilat përshkruhen përmes mendimit dhe perceptimit. Ndërlidhen mbresat dhe reflekset e rafinuara të ekzistencës, të përvetësuara për krijimin gjuhësor, ato shndërrohen në forma shprehjesh me të cilat tejkalohet: kalimtarja dhe asgjëja.

Shtegtimet metaforike dhe estetizmi shpirtëror

Edhe shtegtimet metaforike janë drejtuar kah estetizmi shpirtëror, pavarësisht që nganjëherë, Iliri lëviz nëpër fusha me ngjyra të ftohta, pra drejt tëhuajësimit shpirtëror.
Në disa raste, protagonisti e parapëlqen vetminë që shpesh e fut në ndjenjën e vetëmohimit, gjë që historikisht edhe i mvishet natyrës së shkrimtarit, interpretuar me: rronitje force, pagjumësi, ankth. Të tëra këto rrëfime, herë “monologuese” kryepersonazhi i zhvillon deri në imtësi, herë ballë për ballë me Kristinën e herë të tjera në mënyrë imagjinuese, me bashkëshorten e tij që është vetë Kristina. Ai e pranon, se pikërisht ajo qe këshilltarja më e denjë që arriti ngadalë, por me shumë takt ta motivojë atë t’i rreket “zbulimit” të vetvetes. E gjejmë teksa pohon: “Shpesh monologoj me ty, Kristinë e dashur, që të mbys vetminë time të madhe”. Atëbotë, ia del që të ngjitet në varkën e Noes (Nuhit) për të shpëtuar, për të rilindur sërish e për t’u bërë më vital e më i fortë se kurrë më parë. Atë çast, pohon: “pikërisht tani ti ke rrok tërë filozofinë e qëllimit të ekzistencës tënde, duke krijuar mrekullisht artin më sublim jetësor: nga absurdi e tragjedia ke krijuar artin më racional të jetës dhe ke arrirë të arratisësh mrekullisht vdekjen nga “vdekja” – “vetëzhbërja”. Këtë arrijnë ta bëjnë ata që kanë një intelekt e shpirt hyjnor!”
Kristina bëhet shkas që ai “të vrasë” përfundimisht të gjitha situatat depresive e vetëvrasëse, të gjitha ankthet e makthet, gjithë agonitë, andrrallat e fantazmat djallëzore. Thënë më drejt, ajo ishte MUZA e tij, që ia dhuroi me përzemërsi Fjalët Hyjnore në çastet më delikate, më tragjike e më të dhimbshme të jetës, që përfundon me rilindje morale e krijuese.

Absurdi dhe revolta

Në këtë cikël gjykimesh, autori e trajton çështjen e absurdit dhe revoltës, sipas një skedari parimesh, duke harmonizuar mjaft gjëra sipas parapëlqimeve nga leximet mbi veprat e Niçes mbi artin e të shprehurit, përkufizimin e mendimit që domosdoshmërisht një artist e përforcon në artin e vet. Për të është tejet e rëndësishme që e ka gjetur edhe bashkudhëtaren e jetës në harmoni me atë që ka ëndërruar, pastaj është tjetër gjë se mjeshtëria e shkrimtarit ka një aspekt të trajtimit publik që sjell plot surpriza të pakëndshme, kur mendimin tënd e shndërrojnë në slogane për gazetat e ditës… “Kjo më bën që as në jetën e përditshme unë të mos them më “kjo është absurde”.
Në gjetjen e paradigmave vetëmbrojtëse ndodh edhe evokimi i emocioneve të mëhershme, sikurse ndodh me shumë shkrimtarë, veçojmë Seren Kierkegor-in, kur pothuajse në fund të jetës e shkroi ditarin e tij prej 2000 faqesh, në të cilin imtësisht shtjellon botëvështrimet mbi jetën, apo Jean Amery (1978), që bën vetëvrasje, pasi nuk mundet ta tejkalojë faktin që sa herë në parakrahun e tij sheh numrin e Aushvicit. E njëjta ndodh me shkrimtaren Virginia Woolf (f. 24) e cila para se të vetëmbytej në lumë, në tregimin “Mes akteve”, përshkruan se kjo do të ndodhë për shkak të “zërave kobndjellës”.
Pas leximesh të shumta me histori të tilla vetëvrasjesh, si dhe autorëve ekzistencialistë, Zekerija Idrizit, për ta shkruar “Arratisja nga vdekja” i duhet që të ndjekë disa seanca tek psikiatri, për të njohur “ishuj spiritualë” për pacientë që rehabilitohen përmes bisedimeve, leximeve intensive dhe muzikës hyjnore. Pastaj konstaton: “T’i jap arsye jetës e ta dua botën”, si dhe “Duhet ta fantazojmë Sizifin të lumtur”! Në këtë çështje, për të mos u mposhtur nga “vetmia”, kjo fjalë e brishtë dhe e dhembshme, ai e dëgjon më fort se kurrë zërin e Kristinës “Mos u trishto, jemi bashkë”.

Vdekja në mënyrë elegante

Ky është edhe vendimi përse ai mundi t’i arratisej vdekjes, edhe pse deri në fund të veprës ai dëgjohet teksa pëshpërit: “O Kristina, Bota sot po zhvillohet skajshëm njëdimensionalisht dhe unë po vdes në mënyrë elegante”!
Duke e ditur se autori i “Arratisjes” është teolog me profesion, nuk ka se si mos të të bëjë përshtypje një kapitull i veçantë, si: “Botës myslimane, sot i duhet një Martin Luter dhe një Katarina Von Bora”, autori, përpos shpjegimeve e argumentimeve të shumta, më në fund i drejtohet Kristinës: “Kristina, e dashur, bota myslimane sot, marrë globalisht, gjendet në një letargji e dekadencë të thellë. …Paradoksalisht ka anashkaluar e po vazhdon të injorojë akoma segmentet më kruciale të “parajsës tokësore”, të lumturimit e progresit të kësobotshëm. Madje vijon: një “Luter” mysliman dhe një “Katharina” po e tillë do ta shkundnin, do ta zgjonin e këndellnin botën myslimane nga gjumi shekullor, për të dritësuar portretet dhe imazhet e saja të errëta, që i ka marrë në fazat e itinerarit të vet historik…
“…Në jetë timen kalova nëpër rrathët më të ulët të ferrit dantesk. I gjendur pa grimë shprese për rrojtje, i katandisur në një rreth vicioz nga ku vështirë se do dal dot, në mënyrë misterioze, nga përtejbota, më erdhi drita që më shpëtoi nga vetëzhbërja, dhe jo vetëm. Falë kësaj drite hyjnore, unë u bëra akoma më i fuqishëm, duke u arratisur nga “vdekja”- nga asgjësimi në JETË, apo, sikundër thuhet metaforikisht në atë mitologjinë antike greke “u ringjalla si feniksi nga hiri”…

Ushtar i kauzës sonë kombëtare

Pavarësisht të gjithave, mbeta një “ushtar” besnik i idealit tim më të shenjtë religjioz, në përgjithësi, dhe “ushtar” i kauzës sonë kombëtare, në veçanti. Jo vetëm në mërgim, por edhe në Jug të Afrikës po të jem, unë kam me vete lapsin dhe fletoren dhe do të vazhdoj të punoj pareshtur aty ku jam apo kudo që do ndodhem në glob.” Edhe pas dyzimit të unit të tij, kur Iliri deklaron se: “Përpara meje nuk ekzistonte asgjë, përveç kotësisë dhe absurditetit”, e në rrethana të tilla e kujton rrëfimin e Tolsoit në një letërkëmbim të tijin: “Kush është ai që nuk di tregimin lindor për bishat me të cilat ishte takuar një udhëtar në shkretëtirë?! E që kur jeta u jetoka si një luftë, vetëm me synim fitimi?! – mendova. Pas këtij mendimi, nuk dita më të mendoj.Iu afrova kalendarit dhe pashë edhe ditët pasardhëse, të cilat ishin të njëjta, si kjo e sotmja. Fillova të fshija rreth tyre vizën e kuqe të harkuar, atë shenjën vulgare, që i bënte këto ditë të ndryshme prej të tjerave më parë. Të gjitha duhet të ishin të njëjta, si sot: “ditë kalimtare plot pesimizëm…”Nuk thuhet më kot : “”Nëse nuk di të jetosh, nuk di as të vdesësh!”. “edhe sa vite do të shkojnë në dhe të huaj, e unë i gjallë të digjem në burgun pa mure, pa tela e pa roje..!?”
“Im Zot, atëherë, më trego, ç’sens (ç’kuptim) ka ferri yt i përtejmë përpara ferrit tim tokësor ???! Ferri im është aq lemeritës sa dhe ferri Yt do pësonte drithërimë nga frika!…Më lehtë do ta kisha pasur sikur të më kishe marrë shpirtin e t’isha prehur përjetësisht në gjumin e varrit… Pavarësisht dënimit Tënd kapital për mua unë nuk do heq dorë dot nga uni im personal, por do të ndjek shtigjet e katarzës morale për të mëkuar vragët e shpirtit…”
verseti i librave të shenjtë: “Prushi i ferrit do marrë flakën nga trupat e njerëzve të mjerë shpirtërisht dhe nga gurët shkëmborë..!

“Dhe ti “vdekje” vdis!
Se, në memorien tënde unë do vallëzoj për “vdekjen” time, për t’shijuar nektarin e pavdekësisë”!
Një përmbyllje domethëse, autori, përmes zërit të Ilirit vendos kapitullin e fundit, me titull: “Zoti i kupton të gjitha gjuhët e Botës – Orienti dhe Oksidenti janë në duart e tij”!
“Ai që njeh veten dhe të tjerët
Gjithsesi se edhe këtu do të njohë:
Orienti dhe Oksidenti
Nuk janë më për t’u ndarë.
Orienti është i Zotit!
Oksidenti është i Zotit!
Hapësira e Veriut dhe e Jugut
Pushojnë në paqe në duart e Tij!”

Kjo është Kështjella e jetës!

Dhe, në këtë “KËSHTJELLË”, unë dhe ti do marrim jo rrallë herë arratinë për të shpëtuar nga “vdekja elegante”, nga “apokalipsa”! Nuk do arratisemi atje për t’u vetëmbyllur hermetikisht si ata që mbërthehen në ato “kullat e fildishta” apo në ato “fotelet e kabinetizuara”, ku injorojnë sfidat e kohës. Jo! Arratisja do ketë vetëm atë sensin prometeik, për të shpërndarë më pastaj shkëndija drite në këtë botë të sotmen plot terr, tym e mjegullnajë “apokaliptike”. Pra, është nga detyrat më fisnike të epokës që të përpiqemi të arnojmë plasaritjet e “Kështjellës”, në mënyrë që t’i dhurojmë asaj artin më të bukur arkitektural…

Vepër mbresëlënëse, me një dritëmagji mendimesh

Kjo vepër është mbresëlënëse, me një dritëmagji mendimesh që reflektojnë mbi jetën, përmes të cilave thellësisht e njohim shkrimtarin, me një profilizim të formësuar njerëzor dhe kombëtar. Përkushtimi i shkrimtarit, në gjetjen e një ideje novatore, mund të merret më shumë si rigjetje konceptesh të mëhershme dhe kam bindjen se lexuesi i vëmendshëm do ta vlerësojë si libër të arrirë të kohës, veçmas për frymën postmoderne. Mbase, kjo veprës i sjell jetëgjatësi vlerash, madje jo vetëm në letërsinë shqipe!