Blerim Rrecaj: Vallja e qiellit – dy poezi

VETËTIMA E KAPUR

Disi një gjendje kllapie e si përgjumshëm
Ditë diellfortë dhe e djersitur
Qielli papritmas u mërroll e u vrenjt në fytyrë
Një cikël tjetër dite në të sa ka nisur

Dhe vijon kjo pasdite fundgushti
Që u hirtësua e nisi ky shi
Pika të rralla në fillim puthën sipërfaqet
Dhe bukur shpesh po i puthin tashti

Sytë hodha jashtë me pamje nga shiu
Nga hapësirë e ballkonit xhamveshur
U ula në karrigen e bardhë plastike
Të vëzhgoja nëpër republikën e shiut zhurmëheshtur

Bubullima, vetëtima e rrufe
Marshonte vallja e qiellit në drejtim të tokës
Veturat vëzhgatnin në asfaltin e lagur
Ca i zuri rrugëtim i këtij shiu e ca tjerë
strehuan ku mundën kokën

U ktheva në dhomë për pak kohë
Sa ta mirrja telefonin se m’u shkrep diç në kokë
Thashë do ta balsamos një rrufe dritë-filigrantë
Hodha grepin në qiell po nuk e kapa dot

Për njëzet-tridhjetë minuta bëra dy-treqind shkrepje
Ndërroja taktikë e strategji
S’binte që s’binte rrufeja brenda rrjetës sime
Por kur e tërhoqa kish rënë një vetëtimë

Vetëtima e rënë në një të tretën e ekranit
U bë si dritare kur largojmë perden tej për të parë
Një e treta ngjyrë e ndritshme vjollcë e buzëqeshur
Pjesa tjetër mbeti e hirtë e duke qarë

FUNDGUSHT

Dola me fëmijët
Që në duar mbanin një top,
Për në fushën sportive të shkollës,
Shoqëruar nga muzikë veshshpuese
E rrugaçe prej gjeneratorësh.

U hodhëm në lojë si ekipe rivalësh,
Shut, paso, kujdes, qe e s’qe faul,
Jashtë, korner, shtyllë, gol…
Ndërkohë gjatë lojës mospajtime hutaqe lindën,
Ca thonin se kemi e ca tjerë s’kemi shkollë!

Dikush si gjyqtar hyri në mes
Sa për të bërë një përmirësim,
Disi u pajtuan se kemi objekt shkollor
Por përsëri s’u pajtuam për ditën e nesërme,
Njëri thonte kemi e tjetri s’kemi mësim!

Loja vazhdoi e bukur dramatike,
Askush nuk e dinte se çdo të ndodhte nesër.
U duk se u harrua çoroditje e të “mëdhenjëve”,
E kur muzgu zbrazi oborrin e shkollës
Fjalët sërish jehuan për mësimin e për grevën…