Blerim Rrecaj: Loja me aeroplanë prej letre

Ishim duke ndejtë në dhomë
Të afërm e familjarë
Dikush kërkoi një letër
Dhe ndërtoi një aeroplan

E hodhi në ajër
Përcollëm fluturimin e tij
Ateroi fluturakja e bardhë
Në një pistë dhome diku mbi tepih

Na u kujtua kjo lojë e harruar
Kërkuam e na erdhën letra tjera
Secili ndërtuam fluturaken tonë
Vazhdoi kjo lojë u nxeh atmosfera

Njëra si bartëse udhëtarësh shkonte drejt
Tjetra vërtitej rreth e qark
Një tjetër binte pingul duke bërë zhurmë
Sikur të ishte aeroplan luftarak

U mbush dhoma fluturime të llojllojshme
Humbëm duke vështruar ato
Ne pilotët nisnim aeroplanët
Pastaj ato fluturonin pa pilot

Binin aeroplanët që hidhnim
Në ballë, në flokë, nën e mbi kokë
Rrëzonin një shishe plastike uji rugove a tepelene
A kryshyteshin diku në një gotë

Vazhdojnë të mos ndalen fluturimet e bardha
Duke goditur në gjygym, radio, televizor
Derë, dritare, ndërprerës, shtekerë
E duke dalur edhe në korridor

Dikush u tegua i papërmbajtshëm
Dhe me vrull doli në ballkon
E hodhi fluturaken që i uruam rrugë të mbarë
Dhe për sonte kaq dhe kjo lojë mbaroi