Shkruan: Ornela Radovicka
Qëndra albanologjike mbi gjuhën dhe kulturën arbëreshe themeluar nga Antonio Bellusci 1980
Parathënie: Në këto pak rreshta do të shkëputem nga ai spjegimi akademik të mbushur e të ngarkuar me fjalë popmoze, e do mundohem brënda limiteve të mija për të dhënë sado pak një spjegim trasparent mbi çështjen së gjuhë arbëreshe në shtatë krahinat arbëreshe me pakicë minoritare historike.
Për të kuptuar bilinguism\dygjuhësin arbëresh, nuk duhet shumë.
Unesco e ka shpallur gjuhën arbëreshe si gjuhë në rrezik zhdukje!
Më e keqja ishte se deri dje nuk pranohej ky fakt nga akademikët, nuk flisnin për këtë plagë kaq të rëndë, dhe anashkaloheshin këto situata tragjike të gjuhës. U desh të ndërhynte Unesco që të evidencohej kjo hemorragji! Ndoshtaakademikët nuk kanë patur kohë, sepse nga maja e katedrave të gjuhës dhe letërsisë shqipe gjithë këto dekada iu është dashur ndoshta vetëm të investojnë mbi veten e tyre.
Për ta përjetuar këtë bilinguism\ dygjuhësinë arbëreshe mjafton të shkosh e të vizitosh fshatrat arbëreshe, të zbrisni në shpirtin e njerëzve, të futeni në sokake më të thella dhe më intime, të prekni ato skuta të ndjeshme dhe vibruese, e do shohësh se në ato qoshe të gjitonisë ku dikur frymonte jeta, sot pothuajse janë bosh. Në atë heshtje që të vret do të keni kohë hetimi dhe interpretimi, mbi doktrinën e sigurt historike, etnografike, etimologjike që do t’iu përcjellin këto territore, ndoshta do të lëvroni me një shpejtësi dhe me një besnikëri të reflektimeve të shpirtit tuaj pa hequr atë dozë sinqeriteti të situatës e do shikoni , se ka mbetur fare pak nga format e atij arqipelagu që quajmë Arbëria dhe Arbëreshë të Italisë, të atij territori ku pak dekada më parë flisnin gjuhën më të lashtë në Europë.
Kush ishin arbëreshët?
Arbëreshët janë ajo popullsi shqipfolse ballkanike të cilët lanë vatanin e tyre,gjatë shekujt XIV-deri në 1743 dhe u vendosën në territorin Italian.
Erdhën në këto troje si Stratiotë, ikën nga territori i tyre për shkak të kushteve historike (Rënia e Krujës, Vdekja e Skënderbeut, Pushtimi turk) por edhe për motive ekonomike.
Erdhën si nga deti Adriatik, nga deti Jon, nga pjesa e Moresë nëpërmjet Detit, dhe nga veriu ku ishin venedikasit.
Profesioni më i përhapur e tyre ishte Stratiot.
Gjatë atyre shekujve themeluan më tepër se 100 koloni.
Arbëreshët mbajtën gjallë identitetin nëpërmjet zakoneve, riteve, e mbi të gjitha nëpërmjet gjuhës, ku të dhënat tregojnë se deri në vitet 1960-1970 në katundet arbëreshe,në familjet e tyre e midis tyre flitej arbërisht. Gjuhën italjane e mësonin kur shkonin në shkollë.
Martesat i kryenin mes tyre dhe ky rit zgjati deri rreth viteve ’50.
Në shumë ngulime arbëreshe u ruajt Riti Bizantin që përbëne rreth 33 parrokje.
Ngulimet arbëreshe sot numërohen rreth 52 katunde prej tyre, të cilat janë vendosur në territoret e shtatë krahinave;Abruzzo, Molise,Campania, Basilicata, Puglia, Calabria e Sicili.
Kjo popullsi sot quhet arbëresh, dhe ngulimet ku ata janë vendosur quhet Krahina me pakicë historike territoriale.
Arbërershin e karakterizon:
- Gjuha e tij më e lashtë në Europë,një gjuhë që flitet më tepër se 6000 mijë vjet. Gjuha e folur ruhet në shtatë krahina, por fatkeqësisht bilinguismi nglet vetëm një “privilegj” i pak personave. Përjashtim bënë Piana degli Albanesi ku gjuha arbërore zhvillohet në shkollë dhe është futur si përdorim edhe administartë
- Eparchia\ Diogjeza e Ungrës përbëhet 30 parrokje.Shtrirë në katër krahina, 5 Provinca, dhe 26 komunitete. Liturgjia përdoret në Greqisht, italisht, arbërisht. Diogjeza është, nën juridiksionin e Papës, dhe për formacionin e saj religjios konsiderohet rasti unik në botë.Papas Giovani Paolo i dytë e ka cilësuar kishën bizantine arbëreshe si harmonia e bashkimit dhe paqes midis Lindjes dhe Perëndimit. Në shumë krahina arbëreshe, riti bizantin është asimiluar.
Roli i arbërshëve në bashkimin e Italisë.
Arbëreshët nuk kanë qenë një pakicë minoritare parasite apo pasive në territoret italiane. Kjo popullsi gjatë këtyre 600 vjetëve mori pjesë aktive në ndërtimin e gjitonive duke dhënë kontributin e tyre në arkitekturën e këtyre ngulimeve, dhe dhanë shembull heroik në Bashkimin e Italisë. Kujtojmë fjalët e Garibaldit drejtuar gjeneral Damis:
“ Këta arbëreshë janë Luanë të pa parë!”.
Arbëreshët treguan se ishin edhe njerëz inteligjent.
- Në Qeverinë e Garibaldit nga pesë përfaqësues, tre prej tyre ishin arbëresh. ( F. Crispi, L. Giura, P. Scura).
- Figurat e ndritura me origjinë arbëreshe të cilët bënë emër ishin: Francesco Krispi, Kryetari i Këshillit të Ministrave,ministri i jashtëm e Ministër i Brendshëm i Mbretërisë së Italisë Antonio Gramshi, deputet, Filozof, politolog, gazetar, gjuhëtar dhe kritik letrar italian, Luigi Giura Luigi Giura, inxhinier dhe arkitekt. Inspektor i Korpusit të Urave dhe Rrugëve të Mbretërisë së Dy Siçilive, ai njihet për projektimin dhe ndërtimin e urës Real Ferdinando, urës së dytë të varur në Evropë, si dhe urës së parë të varur në Evropën kontinentale. Vicenco Torelli gazetar, libretist, shkrimtar, botues, si dhe impresario i oprës, Pasquale Scura këshilltari gjykatës së lart, Stefano Rodota juristi Europeo, Costandino Mortati një nga themeluesit e kushtetutës italiane, Pasquale Baffi, studiues, papirolog dhe diplomat grek me vlera të mëdha; nën republikën napolitane të vitit 1799 dhe ishte president i Komitetit të Administratës së Brendshme. Por përmendim edhe figurat si De Rada, Vicenzo Dorsa, Santori etje, që kanë shoqëruar Italinë në rrugën e saj deri më sot.
- Gjatë Luftës së dytë botërore Arbërshët humbën një të tretën e popullsisë.
- Arbëria me arbërshët e saj ka lenë gjurmë të vlefshme në territorin italian, ndërsa moti i saj i madh nënshkroi lavdinë.
Vitet 60 dhe mos-balancimet rajonale në territorin italian
Pas bashkimit të Italisë, dhe boom ekonomik i viteve 60, u krijua një kontest historik që bëri dyndjen e popullsisë së Jugut drejt veriut. Shumë komunitete arbërshe u shpërngulën drejt Veriut sepse nevoiteshin krah punë për industrinë, dhe sidomos në Piemonte ku ishte industria e rëndë e makinave. Kjo shpërngulje drejt vendeve industrializuar krijoi mosbalancimet rajonale midis Jugut dhe Veriut.
Më vonë me projktet drejt një Europe të bashkuar rreth vitet 1990, situata nuk ndryshoi, por edhe e thelloi akoma, këtë ndarje dhe si rrjedhojë u bë më i dukshme disniveli ekonomik midis Jugut dhe Veriut. Italia me një pozitë shtrirëse gjegrafike, favorizon më tepër pjesën Veriore të saj me tregjet e mëdha evropiane, kështu që Jugu, gjeografikisht periferik, u bë periferik edhe ekonomikisht”.
Koinè, modeli së cilës krijoi kisha Bizantine në vitin 1967
Në Koncilin e dytë të Vatikanit (1962-1965) u dekretua braktisja e njëgjuhëshe e liturgjisë (greqishtja e vjetër e cila përdorej si gjuhë e shenjtë) duke i dhënë kështu mundësi kishës arbëreshe të përdorte edhe gjuhën e saj amtare. Shumë komuna të ritit bizantin nën Eparkinë e Ungrës morën vendimin për të krijuar një gjuhë të madhe (Koinè) bazuar në dialektet e tyre, e cila do të përdorej për liturgjinë e gjuhës arbërore/shqipe. Ky akt u arrit në vitin 1968, kur ende nuk ishte vendosur formimi i gjuhës standarde shqipe në Shqipëri, gjë që u arrit në vitin 1972.
Për këtë ngjarje shkroi edhe i madh Ernes Koliqi: „Është një ndërmarrje shumë e vështirë për të përgatitur një tekst liturgjik për përdorim popullor në lokalitetet italo-shqiptare, që shtrihen nga Abruzzo në Siçili. Mund të konfirmojmë se përkthyesit e kanë bërë këtë me sukses. Duke pranuar dialektet e ndryshme të karakteristikave të përbashkëta, ata përktheu tekstin liturgjik grek në një gjuhë të folur dinjitoze.”
Kontesti juridik i arbëreshëve në tutelën e shtetit italian
Arbërshët( shqiptarët e lashtë) të shtatë rajoneve të Italisë si:Sicilia, Calabria, Basilicata, Puglia, Campagna,Molise, Abbruzzo, mbrohen nga shteti italian nëpërmjet ligjit 482\99.
Lind pyetja: Derisa egziston ligji për mësimin e gjuhës arbërishte në shkolla, përse nuk janë hapur klasa që të studjohet gjuha arbërore tek arbëreshët?
- Ligji 482\99 për frekuentimin e gjuhës arbërishte në shkollat e krahinave arbëreshe nuk është i detyrueshëm siç egziston në ato krahina kufitare, që kanë popullsi minoritare dhe kanë realizuar pakte ndërkombëtare midis shtetve fqinjë siç ka ndodhur mes Italisë dhe Francës apo me Gjermanisë dhe Francës, ku gjuha e pakicës minoritare është e detyrueshme.Një pakt i tillë nuk egziston midis Shqipërisë dhe Italisë.
- Ligji Italian 482\99 mbron shtatë krahinat me pakicë historike territoriale,dhe nuk ushtron autoritet jashtë krahinave me minoranza storica territoriale siç është rasti i komuniteti i Piemontes me tepër se 10 mijë arbëreshë të pa përfshirë në ligj.
- Ligji 482\99 jep mundësin e promovimit dhe sensibilizimit për gjuhën arbëreshe.
Mjafton që prindërit e fëmijëve arbëresh të kenë vullnetin për ti rregjistruar në klasat ku të mësojnë arbërisht dhe të paraqisin kërkesën pranë drejtorive të shkollës sepse shkollat ushtrojnë autonominë.
Arbëreshët e sotëm bilinguist,analfabet të gjuhës mëmë
Pa u zgjatur shumë dua të them se dy janë faktor kryesor që ndikuan për asimilimin e gjuhës tek arbëreshët ;
- Mungesa e gjuhës folur në familje.
Mbi tre dekada në familjet arbëreshe në pjesë dërrmuese të familjeve arbëreshe, për mos të thënë fare nuk flitet më arbërishtja. Kjo nisi si shkak të atij theksi bilinguistik\ dygjuhësh nga pala e familjeve arbërshe të cilët kur spostoheshin drejt veriut për arsye studimi o punësimi i bënte ata të ndiheshin inferior ndaj popullsisë italiane.
- Mungesa e ciklit të detyrueshëm në gjuhën arbërishte. Mungesa e një ligji për mësim të detyrueshëm.
- Indiferenca për sensibilizim të gjuhës nga aparati akademik dhe forcat politike.
- Shpopullimi .Politikat gjeopolitike në erën e globalizimit bënë që katundet arbëreshe të shpopulloheshin. Kur je i ri, qytezë e vogël ku je lindur,rritur, ku ke qarë e qeshur, ku ke hedhur hapat e para nuk të ofron më ëndrra dhe mundësi për një jetë më të mirë, prandaj me çdo kusht kërkon të dalësh prej atij ambjenti dhe të shkosh drejt dritave verbuese të qyteteve kosmopolitane të cilat me kthetrat e tyre të tërheqin në grackën e homologimit dhe magjinë e ashtuquajtur “Mirëqënie”.
- Asnjë akord internaconal midis Shqipërisë dhe Italisë për mësimin e gjuhës shqipe.
Bilinguizmi analfabetë ka prekur edhe kishën arbëreshe
Prifërinjtë e dikurshëm të kishës arbëreshe mbanin titullin alabanolog, ishin të përgatitur dhe flisnin gjuhë arbërore.Punonin shumë në parrokjet për përhapjen e gjuhës. Ka shumë për tu permendur, por po zë në gojë At Antonio Bellusci i cili si në Shën Kostandino Albanese, si në Shën Sofia apo Fallconara Albanese ka mbajtur në parrokje klasa ku u mësonte abetaret, shpesh abetaret vinin edhe nga Kosova me kërkesë të tij. Edhe sot në moshën 90 vjec iu mëson arbëreshëve gjiuhën si në rastin më të freskët djaloshit 26 vjeçar Emanuele Rosanova.
Sot, kisha Bizantine arbëreshe deri diku lëviz për të majtur gjallë kulturën dhe gjuhën nëpërmjet inisjativës së Alfabetizazzionit por kjo është shumë pak për rolin e saj për të mbajtur gjallë gjuhën.
Bilinguizmi analfabetë ka prekur edhe kishën arbëreshe. Kisha arbërereshe nga 40 priftërinjë që ka, gjysmat prej tyre nuk janë arbëreshë, janë të huaj, si rrjedhojë mungon ai sentiment i përfshirëjes në të njejtin etni. Priftërinjtë e huaj në kishat arbëreshe bëjnë sa munden, por nuk janë njohës të mirë të gjuhës arbërore, kështu që komunikimi i tyre i zakonshëm është në gjuhën italiane, edhe pse meshën mund ta thonë në liturgjinë arbëreshe.
Një problem tjetër është mungesa e organikës me priftërinjë arbëresh.
Arbëreshët nuk zgjedhin më vokacionin si prift.
Arbëreshët bilinguist analfabet dhe dhe kriza akademike
Sa mësues arbëresh kanë dalë nga dyert e universitetet të katedrave të gjuhësisë dhe letërsisë shqipe në Itali?
Me sa shohim këto katedra kanë qenë të frekuentuar pak student të cilët kanë përfunduar mësues të gjuhëve të huaj spanjisht e frengjisht. Vihet re frekuentues i një numër i madh student e studiues të ardhur Shqipëria të cilët pasi kanë marrë formim, Tituj shkencor, kanë vazhduar karrjerat e tyre nëpër botë!
Ka ende katedra të cilat nuk kanë patur organin e tyre ku të ballafaqohesh me kërkimet apo punët shkencore të studenteve apo studiuesve ).
Mund të pyesim pa rezerva ku është puna konkrete e akademikve në përpilimin e kurrukulave, për të mësuar arbërishten në sistemin e detyruar shkollor duke ditur që në Itali shkollat kanë autonominë e tyre.
(Ende arbëreshët nuk kanë të përbashkët një Fjalor,Sintaksë, Morfologji, Fonetikë, etje , etje dhenë universitete nuk ka një organ të tyre!!!
Kush e ka stabilizar deri më sot gjuhën standarte arbëreshe në përdorim zyrtar?( rezulton vetëm Piana degli Albanesi, Sicilia , si dhe përdorim të saj në administratë dhe shkollë gjuhën arbëreshe)
Sot për sot janë në qarkullim dy volume alfabetizzazioni. Volumet me siguri kanënevojë edhe çër tu përmirësuar. Në to shohim e dhe paqartësi historike, sepse nuk po kuptojmë, se ku qëndron e vërteta historike. Marrë një shembull. Profesor Mandala flet për mitizimin e kohës skënderbeut, dhe përqëndrohet tek epoka e ngulimeve, dhe deklaron se Figura shumë e rëndësishme e Dimetri Reres nuk ësht është gjë tjetër vetëm fallsifikime dipllome, dhe ngulimet arbëreshe atribuito dy djemëve të Rersit janë fallco, sepse vetë Rersi nuk ka egzistuar. Hidhet poshtë një pjesë e rëndësishme e historisë nga studimet e Prof Mandala. Për Prof Mandala kemi mitizimin e Skënderbeut.
Si për ironi të fatit më vjen në mend një episod. Një grup studiuesish italian iu drejtuan Profesor Aleksander Barbera, njërit prej historianëve më të mëdhenjë për të ditur se ku qëndronte e vërteta dhe ku sh ishte mitizimi i figurës së Frederikut të parë mbretit të dy Sicilieve. Ai iu përgjigj; kurrë nuk do të dimë ku qendron e vërteta dhe ku qëndron mitizimi, sepse çshtë pjesë e historisë edhe kjo. Më vjen për të qeshur, kur mendoj se sa kategorik janë historianët tanë, kur një historian i kalibrit të lartë siç është Aleksander Babrbera jep një përgjigje të thjeshtë, origjinale , ndërsa ne shkojmë si Don Kishoti pas mullinjve të erës kur sot si primarje kemi gjuhën, e jo ti turremi kalit të Skënderbeut se ishte mit apo i vërtetë.
Libri Alfabetizzazioni Shpesh vjen i kritukuar nga Akdemikët e Kalabrisë, se pëmbajtja e tij janë dogma, megjithatë mos harrojmë se këto dy volume janë krijuar nga kontributi i studiuesve kompetent si Profesori i Katedreës së gjuhës dhe letërsisë në Napoli sot në pension Italo Fortino, studiues, hulmtues dhe folës të arbërishtes si Papas E. Giordano, A. Giordano, E. Tocci, V. Bruno, C. Stamile. Pyetja ime se në vënd të vazhdojmë e të kritikojnë këta akedemik, nuk do ishte më mirë të hidhen në kantierë dhe të bëjnë Gjuhën standare arbëreshe, duke kërkuar fjalët arbërisht brënfda arbërisë, e të bëjnë unifikimin e gjuhës? Krijimin e një abetarej. Një modell si bëri kisha Bizantine në 1968 dhe u vlerësua shumë prej Ernest Koliqi?
Çfarë janë duke pritur akademikët? Të vendosen në kantjerë, mos të presin më , dhe të krijojnë një koinè ku të përfshihet e folura e të gjithave krahinave arbëreshe, ku të ngrihet një komision që të spastrohet nga diglosia\dialektalizmat krahinor dhe italianizmat, dhe atje ku nuk arrin gjuha e saj të zëvëndësohet me shqipen. Me siguri është rrugë e gjatë dhe e vështirë, por jo e pa mundur!
Për mua arbërishtja e bukur është kur e dëgjoj ende zonjën Caterina Bellusci, Anna Stratigo, Carmelën, Agostino Giordano, Kosta Belluscio, Antonio Gioseffi, Giusi Skiro, Michele Greco e shumë e shumë të tjerë.
Siç e shikojmë shumica e komuniteteve arbëreshe nuk kërkojnë të studjojnë gjuhën standarte të shqipes së sotme, por arbërishten e tyre. Natyrisht që rruga më është të respektohet vullneti i arbëreshëve.
Personalisht bashkohem me mendimin se për të zgjidhur këtë Odise mbi mësimin dhe përdorimin e gjuhës arbëreshe do të ishte shumë më mirë
Arbëreshi viktim i situatës
Ndërsa “Pleqësia” ata të parët e fshatit, apo akademikët e fryrë nga suksesi sa ë një konferencë në tjetërn, herë si protagonist e shpesh herë si antagonist mes tyre, herë të bashkuar e më tepër të përçarë nuk kuptojnë apo më mirë të themi se harrojnë që ,“çasti” bëhet “ditë” dhe dita bëhet “muaj” kërshtu faktori “kohë”shkon e favorizon asimilimin e arbërshëve. Besoj se nuk ka kohë më për të pritur. Statistikat thonë se nuk po flitet më gjuha arbëreshe, jap një shembull. Në qytezën e Cifti, ku turistët shkojnë e vijn., sipas një kërkimi të bërë nga Qëndra albanologjike A. Bellusci, nën drejtimin e Tommaso Ferrara, pranë disa shkollave asnjë prej fëmijëve nuk e flet arbërishten, pra në Civita\ Kalabri “zero” fëmijë flet Arbërisht.
Arbëreshi i sotëm bikultural\ dy kultura
Është për të ardhur keq se Arbëreshi i sotëm ka një regres mbi historikun, arkitekturën, kulturën e tij.
Dikur arbëreshët a)- mbajtën gjallë Kolegjin Shën Adrian, krijuar për të fabrikuar priftin arbëresh me gjuhë arbëreshe, por që pati edhe një karakter laik në studimin e materieve dhe frekuentimin e kësaj shkolle.(Kolegji e Shën Adrianos për mbretërinë e Napolit ishte aq i dëgjuar, aq sa mund të konsiderohet sot Universiteti i Bocconit).
b)- Ishin pikërisht Arbëreshët ata që mbajtën dy Kongrese të gjuhës arbërore në Unra e Corigliano\ Kalabri, dhe krijuan një alfabet.
c- Letërsia shqiptare u njohë nëpër Europë nëpërmjet një arbërershi, De Radës.
d- Dramën e parë shqiptare “Ermira” ishte po i një Arbëreshi, Santori.
Është për tu ardhur keq se si arbëreshi bikulturalizëm është eklipsuar në kostume dhe folk, ku mungesa e njohjes ndaj kulturës së tij e ka çuar të kontaminohet edhe në këto fusha. Kostumi i tyre i dikurshëm, elementet, simbolet janë reduktuar thjesht folklorike. Këngët e tyre të hershme, polifonia e tyre, rapsoditë po harrohet dhe po zëvëndësohen me këngët e valle popullor shqiptare të sjellë prej shqiptarëve emigrant. Kjo vjen për arsye se dalëngadalë gjatë këtyre tre dekadave po humbet çdo ditë e më shumë me ritme të shpejta ajo kulture e ruajtur me fanatizëm për mbi 500 vjet. Situata në të cilën po përjetojnë dëmton identitetin, etnitetin, dhe kulturën arbëreshe e ruajtur deri më sot.
Arbëreshi me ndjesinë e ringjalljes
Arbërishi është fakt, dhe Cacozza do të këndonte “I them botës jam arbëresh\ Jemi një kulturë që nuk mund të vdes”, por arbëreshi është në agoninë e tij më të rëndë!
Kushdo shqiptar i çdo treve qoftë kur largohet prej asaj Arbërie me një shirit ku ka skalitur shpirtin e saj te personifikuar, i cili i ngjan një lumi i heshtur, herë herë i vrullshëm dhe herë disi i boshatisur, një shtrat hapësinor, si shpatullat e tij,të thata, por edhe të gjera, që mbajnë peshën e ayre gurëve, ku fati dhe historia nuk kishin qenë aq bujar me ta.
E ndërsa vizitoni ato troje ku tashme kanë ngelur pak shqiponja
Shumë të tjera do ti gjeni në alegorinë e tyre;
të thurura ne tapetet e kishës bizantine,
të gdhendura në muret e shtëpive të braktisuar,
të skalitura në dorezat e dyerve të heshtura…
në epiatfet e varreve
Ato shqiponja do i gjeni në idiomat e komunikimit, në tabelat në gjuhën shqip ku lexohet „Mirë se erdhët“, por mos u entuziazmoni, se do të vini re që shumë prej këtyre folezave kanë rreshtur së kuptuar shqip. Ju lutem mos i gjykoni, por reflektoni, sensibilizohuni,ata janë sa përgjegjës por edhe aq viktima të situatave.
Vazhdojnë të jenë atije,mes maleve të gjallë. Mos harroni kanë 600 vjet që presin. Janë mësues, student, qytetar të thejshtë, por mbi të gjitha, fëmijë që do të jenë nesër e ardhmja e asaj Arbërie. Mjaft është abuzuar me emrin Arbëresh! Ata ngelen një popull dinjitoz e çdo shqiptar duhet t’i jetë mirënjohes atyre arbëreshëve që me shumë mundime, sakrifica, vazhdojnë për të mbijetuar.
Pra disa ditësh u gëzova shumë që në grupin e diasporës të lidhjeve e artistëve në mërgatë edeh dhen edhe një grupë mësuesish. Ishte Koordinatori i 105 pikave shkolllore Z. Vaxhid Seidiu, e shoqja e tij mësuesje Qefsere, Profesori dhe hulumtuesi dhe krijuesi i abaetares Z Hazir Mehmeti, Poeti Musa Jopulli, Kryetar i Lidhjes së Poetbe në Mërgim, Mësuesja Diana Shehu, sekretari i shoqatës në Gjermani ku kanë një pikë shkille, Bashkim Halilaj, Arkitektja Shqipe Bytyqi e disa mësues të tjerë nën drejtimin e Mikut të madh e të palodhur Gazetarit Rexhep Rifati erdhën dhe bënë një vizitë konkrete shkollës. U bëra me krahë për mbështetjen që do na jepnin. Dhe gadishmërinë e Koordinatorit Mësuesit Vaxhid Sejdiu. Kemi ditë që jemi lidhur me të dhe jemi në rrugën e projektit. Besoj se ky projekt do realizohet.
Kur punohet, rezulatet duken. Ndërsa po sistemoja bibliotekën më doli rastësisht një material, ku gjendej fotografia e mësuese Tommasina dhe ky zarf i vitit 1985 kur demostronte që Mësuesja Tommasina Guarino së bashku me nxënësit e saj në Contessa Entellina\ Kundisa mbanin korrespondencë më nxënsit e Kosovës.
Prandaj të lidhur me diasporën me Ju mik Vaxhid, shpresoj se do të lidhen këto ura, në fushë të kulturës, artit, dhe të vazhdimësisë së kësaj peme të madhe shekullore ku degët e saj , tashmë të thara, por ushqehen nga një rrënjë e fuqishme, stoike, e destinuar ti rezistojë çdo stuhie.
*Fotografitë janë marrë nga Albumi i fotografive, me rastin e vizitës së katundeve arbëreshe maj 2024























