Ka-h-je
Me shumë fjalë e pak veprim
Nga udhëkryqi në rrethrrotullim
Dhe anasjelltas
Vend i fjalëve
Pa fjalë
(Heshtja flet ose
sillet vërdallë)
Pak fjalë
(Diç sa për të thënë ose
vështirë me u përmbajt)
Shumë fjalë
(Ku mbërritëm ose
punë të lëna mënjëanë)
Tepër fjalë
(Që endën e përenden nëpër
tërë fshatin global)
Pa hesap fjalë
(Marrëzitë vazhdojnë
të ngjiten nëpër shkallë)
Paralajmërimi
E dinte që jam i lirë
E më tha një shok një ditë
Se është mirë
Të takohem me dikë
S’di a ishte ditë e hënë
A ndofta dhe e shtune
Po e di mirë bëhej fjalë
Për të zënë unë
Një vend pune
Po i thashë shokut
Ta paralajmëroj atë mik
Se kjo çështje e nisur
Mbart me vete dhe rrezik
Se nëpër shumë vende pune
Ku kam hyrë
Në fillim më është dukur verë
Pastaj dimër i vështirë
Edhe unë punëdhënësve
U jam dukur herë-herë
Një ditë si qengj i urtë
Një ditë si rebel që bën poterë
Sidoqoftë
Nëpër gjithë këto vende
Ku kam zbarkuar
Diku më larguan
Diku vetë jam larguar
S’dihet se kush kujt
Ia ka bërë me hile
As kush kujt në fund
Ia ka lënë “kile”
Dhe pas kësaj
Mjegull e madhe mbeti
S’dihet ç’faktorë ndikuan
Mospërshtatja a sinqeriteti
Qëndrova diku më shkurt
E diku më gjatë
Nuk erdhi deri aty puna
Sa të shiheshim në gjykatë
Dhe pastaj objekte punishte e zyra
Një nga një dy nga dy
Disa kanë marrë teposhtëzën
Disa janë mbyllur me dry’
Kështu i thashë shokut
Gjatë bisedës në telefon
Ofshamë e qeshëm
Thamë jeta vazhdon

















