“Arbëresha” shënon jubileun me një program mbresëlënës  


“Për te trembëdhjetën herë kjo trup artistike, në çdo janar ngroh zemrat tona me kulturë, art e dashuri, u bë një fole ku u ngrohëm gjithsecili”, me këto fjalë iu drejtua të pranishmëve Nue Uka, kryetari i këtij ansambli që numëron mbi 50 anëtarë aktiv
Teksti e fotot : Rexhep Rifati
Tash e 13 vite jemi mësuar të përcjellim ecjen vertikale nga suksesi në sukses të Ansamblit “Arbëresha”  me seli në Sirnach të kantonit të Turgaut në Zvicër. Por krahasuar me vitet e mëparshme, prezantimi i mbrëmshëm pati një ngritje si në sasi, ashtu edhe në cilësi.
Programi ishte sforcuar edhe me dy koreografi të reja nga profesor Xhemali Berisha dhe Arsim Berisha. Ndërkaq pjesë e programit, ndonëse në cilësinë e mysafirëve, ishin dy nga valltarët më të mirë të  Ansamblit Kombëtar ”Shota” të Kosovës, Besnik Graiqevci dhe Feim Leka.
Me këtë rast në emër të Misionit Katolik Shqiptar përshëndeti famullitari Don Albert Demaj, kurse në emër të Qendrës së Kulturës së Kosovës në Cyrih, drejtoresha, zonja Shukrije Ramadani, kurse me një minutë heshtje ju bënë nderime, ish kryetarit të palodhshëm të ansamblit Lulëzim Saliquni, që pak vite më parë kaloi në amshim.

Në çdo janar të acartë ngrohim zemrat atdhetare

Më pastaj Nue Uka, kryetar i ansamblit, mbajti një fjalë rasti, duke përmend që në fillim se: “Në çdo janar të ftohtë e të acartë, ne ngrohim zemra tona atdhetare, me kulturë, art e dashuri për atdheun. Dhe këtë e bëjmë në çdo përvjetor të Ansamblit “Arbëresha”.
Ukaj përmendi se: “ secili përvjetor është një mundësi e mirë për t’u gëzuar për sukseset që kemi pasur deri me sot, për dashurinë e madhe që dhamë për ansamblin, i cili u bë një fole ku u ngrohëm gjithsecili.

Traditat të pranishme në familjet tona

Pa dyshim nuk është gjë e lehtë që në mërgim, me punë e angazhime të mëdha, me sfida e kohë të kufizuar, të gjejmë mundësi, për të mbajtur një Ansambël, i cili kërkon kohë, financa, përkushtim. Mirëpo Ansambli me vlerat që ka promovuar ka bërë që gjuha, kultura dhe traditat shqipe të jenë të pranishme në familjet tona. Fal punës dhe përkushtimit tonë ia kemi dalë që të bëjmë punë të madhe, të organizojmë aktivitete të shumta dhe të marrim pjesë në manifestime të mëdha. Kështu Arbëresha respektohet dhe vlerësohet në Zvicër dhe me gjerë.
Ansambli “Arbëresha”, me punë të palodhshme dhe me përkushtim e dashuri, është shndërruar vatër dhe ngroh zemrat e bashkatdhetarëve tanë, me këngë e valle,  me shfaqje, duke bërë që të kemi përherë një copë atdhe, në ftohtësinë e jetës në mërgim.
Ne gjithë e dimë se të organizohesh në diasporë, duke shpenzua kohë e të holla, e duke mos fituar asgjë, është sfidë e veçantë, por sigurisht edhe një punë e çmuar për të cilën ia vlen të bëhet çdo gjë.
Trembëdhjetë vite, janë vite të bekuara, të mbushura me shumë gëzime e suksese,  sepse kemi përjetuar momente të mira, kënaqësie e bukurie, me art e gjuhë, duke promovuar kulturën dhe identitetin tonë shqiptar. Dhe sigurisht, kështu kemi ndikuar që fëmijët tanë të mësohen dhe të jetojnë me këto vlera.

Vazhdim i traditës

Ansambli “Arbëresha”, po vazhdon traditën e krijuar ndër vite. Ne sot gjithëve u themi faleminderit. U themi faleminderit atyre që na kanë përkrahur. U themi faleminderit miqve të shumtë që rrinë pranë nesh.
U themi faleminderit sidomos anëtarëve të Ansamblit që janë aktivë.
U themi faleminderit atyre që na kanë përkrahur financiarisht.
U themi faleminderit koreografëve që na ndihmuan në këto 13 vite: Agron Bajramin, Arsim Berisha, Kreshnik Sadikaj si dhe Profesori Xhemali Berisha. Faleminderit gjithëve.

Me punë e vlera të reja

Ne jemi para jush që t’iu themi se Arbëresha do të vazhdojë të jetë me ju dhe pranë jush. Me risi. Me ide të reja. Me punë e vlera të reja. Për të ruajtur kulturën dhe gjuhën tonë. Për të bërë më të hareshme jetën tonë.
Mirëpo, në gjithë këtë mision, ndihma e juaj, si çdo herë, është e nevojshme. Ne presim të jeni pranë nesh edhe në të ardhmen. Faleminderit gjithë juve që keni përcjellë aktivitet tona. Kjo na ka forcuar.
Një Përshëndetje speciale për Valltaret e Ansamblit Kombëtar nga Kosova Besnikut dhe Lekes qe janë sot në mesin tonë. Një ashtu një përshëndetje edhe për Grupin PRO Band me Ganen. Gëzuar!”
Programin në një atmosferë tejet festive, pjesë tejet simpatike dhe  argëtuese e programit ishte edhe grupi “Aktrimi” i Cyrihut, që udhëhiqet nga Ramadan Morina u moderua mjaft mirë nga të rinjtë:  Pjeter Delija dhe Arbëresha Uka. Në përmbyllje vazhdoi me programin argëtues të Grupit PRO Band.