Sot Haradinaj do të takohet me kancelaren Merkel

Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj, sot do të qëndrojë në Berlin, për tu takuar me kancelaren gjermane Angela Merkel. Vizita e tij njëditëshe, ka për qëllim thellimin e marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Gjermanisë, ndërsa pritet të diskutohet edhe lidhur me raportet Kosovë-Serbi.

Haradinaj ka thënë se Gjermania vazhdon të jetë njëri ndër partnerët kryesor të Kosovës dhe falë këtij bashkëpunimi të ndërtuar në besim, po veprojmë në zhvillim ekonomik, integrim evropian dhe siguri, bashkë për të ndërtuar një të ardhme më të fuqishme. Përkrahja që marrim nga ta, ka thënë më tej Haradinaj, është jetike për jetësimin e objektivave të përhershme të shtetit të Kosovës.

Pos takimit me kancelaren gjermane, kryeministri Haradinaj do të takohet edhe me kryetarin e Bundestagut Wolfgang Schauble, deputetë të të gjitha grupeve parlamentare dhe pritet të marrë pjesë në konferencën “Takimet ndërkombëtare” si dhe në lutjet e mëngjesit në Berlin.

Ndryshe, kryeministri Haradinaj ka mbërritur në Berlin gjatë ditës së djeshme ku është pritur me ceremoni ushtarake.