Ansambli “Drita” në Zvicër, me program të përzgjedhur shënoi 20 vjetorin e rritës  

Në praninë e qindra mërgimtarëve nga anë të ndryshme të Zvicrës dhe përfaqësuesve konsullor e të grupeve simotra si dhe të mysafirëve  nga estrada: Shkurte Fejza dhe Nikollë Nikprelaj, por edhe me një monografi, “DRITA” edhe në këtë jubile reflektoj me një program simpatik nga 50-të anëtarët e saj, meqë rast kryetari , Haradin Gashi, ndau mirënjohje për të gjithë ata që ndihmuan në themelim dhe rrugëtimin e këtij ansambli që për vite prezantoi një pjesë të kulturës sonë jo vetëm para bashkatdhetarëve, por edhe te komuniteti vendas.

Teksti dhe fotot: Rexhep Rifati

Derisa në Kosovë dhe trojet etnike, prej vitesh thuaja se është shuar amatorizmi muzikor, në Zvicër edhe matej me dhjetëra grupe dhe ansamble, kryesisht përmes punës vullnetare e të prira nga pasioni i japin frymë dhe rritë kulturës sonë në mërgatë. Në këtë kudër tash e 20 vite vepron aktivisht edhe Ansambli i Këngëve dhe Valleve “DRITA” në qytetin e Kreuzlingenit në Zvicër, ansambël ky që dje me intonimin e Himnit Kombëtar, shpalli të hapur këtë manifestim jubilar ku merrnin pjesë qindra bashkatdhetarë jo vetëm nga kjo rrethinë, por edhe nga kantone dhe shtete fqinje si Gjermania e Austria. Artistët e “Dritës ”  të vegjël e të mëdhenj i dhanë një dimension spektakli këtij manifestimi

Ti kthehemi pak historikut të ansamblit: Ansambli Artistik „Drita“ nga qyteti Kreuzlingenit i kantonit të Turgaut, u themelua më 23 mars të vitit 2002, kur në nismë “Drita” funksionoi si një grup relativisht i vogël që tubonte kryesisht të ri me prejardhje nga të gjitha trojet etnike, por që kishin një vullnet të rrallë. Nga koha që përcjelli aktivitetin e këtij ansambli, shihet se ai ka përjetuar një rritje si në cilësi ashtu edhe në sasi. Aktualisht ansambli “Drita” sipas kryetarit të saj Haradin Gashi, një veprimtar i palodhshëm edhe në organizimet tjera shqiptare, tash ansambli numëron rreth 50 anëtarë aktiv, përfshi edhe kryesinë, ndërsa që në nismë u mbështet nga disa koreografë shqiptarë me përvojë, ndërsa tash vet anëtarët e dritës e bëjnë këtë punë me shumë elokuencë dhe pasion. Një ndihmesë në tërë këtë rrugëtim kanë dhënëe dhe vet institucionet arsimore kulturore vendase, shkolla e qytetit që për 20 vjet ka ofruar sallën për ushtrimin e artistëve të vegjël ndërsa salla e madhe e Qendrës Kulturore Dreispiz , për të rritur.

Por ti kthehemi ditës së djeshme kur, kryetari i ansamblit “Drita”, Haradin Hashi, mbajti një fjalë të shkurtër, sepse për nga natyra është i prirë të bëjë shumë punë e të flet pak, ndaj edhe më shumë u mor me ndarjen e mirënjohjeve për ata që e mbështetën moralisht e me mjete grupin e tij artistik që deri me tash pati një prezantim të denjë ndër vite si para mërgimtarëve tanë edhe edhe para artdashësve zviceranë e të tjerë, madje edhe duke organizuar edhe koncerte të përbashkëta.

Më pastaj me përshëndetje u paraqitë edhe konsullja e  Republikës së Kosovës në Cyrih, Shukrije Ramadani ( e cila me një buqet lule i dhuroi zonjës Bahrije Gashi, për kontributin e dhënë burrit dhe 6 fëmijëve të saj në Ansamblin “Drita”) dhe Bahrije Sylejmani Sekretare e Parë, në këtë Konsullatë, që përshëndetën edhe në emër të Ambasadës së Kosovës në Bernë, me dëshirën që “Drita” dhe grupet tjera artistike në Zvicër të kontribuojnë si edhe deri më tash në afirmimin e kulturës shqiptare dhe të vet shtetit të Kosovës në shtetin mik helvetik dhe kudo në mërgatë. Një përshëndetje dhe falënderim për të pranishmit dhe ansamblin e anëtarët e saj, por edhe kryesinë dhe prindërit e pati edhe këngëtarja e mirënjohur Shkurte Fejza.

Më pastaj u shfaq edhe një dokumentarë për historikun e këtij ansambli dhe u prezantua edhe monografia e porsabotuar kushtuar “Dritës” me autor drejtuesin e ansamblit Haradin Gashi, për të cilën foli recensuesi i librit, gazetari Zenel Hajrizi, i cili ka dhënë kontribut të çmueshëm edhe në organizimin e këtij jubileu.  Ndërsa në vazhdim grupi i fëmijëve dhe ai i të rriturve shfaqën një program të përzgjedhur tejet simpatik, kushtuar këtij jubileu. E më pas këngëtarët e e estradës kosovare

Shkurte Fejza dhe Nikollë Nikprelaj , përcjellë nga Samir Beqaj dhe grupi «Drita»., krijuan një atmosferë më se festive, kur edhe anëtarët e “Dritës” zbritën nga podiumi për një valle me të pranishmit në sallë. Kurora e manifestimit ishte një torte kushtuar këtij jubileu, me dëshirën që “Drita të festojë edhe shumë e shumë jubile të tjera.

Krejt në fund të shtojmë se ajo që e karakterizon artin muzikor amator të shqiptarëve në Zvicër,  është padyshim vullneti dhe entuziazmi i pashuar për këtë lloj veprimtarie me interes të shumëfishtë në radhët e disa dashamirëve të artit, qoftë në cilësinë e drejtuesve, koreografëve apo edhe të organizatorëve. Po të mos ishte puna e madhe vullnetare, vështirë se do të funksiononin kaq gjatë këto shoqëri që zhvillojnë punën e tyre në kushte shumë specifike, ndërsa që anëtarët e tyre udhëtojnë edhe me dhjetëra e qindra kilometra për të kënaqur shijen e artdashësve, qoftë me ata shqiptarë apo zviceranë e të tjerë.

Po në këto principe, pri kryesisht nga entuziazmi rinor edhe “Drita” nga Kreuzlingeni, që shënoi sot 20 vjetorin, ndaj edhe një herë gëzuar edhe në emër të portalit tonë: prointegra.ch!