Gjendja e jashtezakonshme me ujin e pijes ne komunen e Gjilanit

Thatësia në liqenin e Përlepnicës në Gjilan ka rënë në 9.1 metra. Për këtë gjendje të jashtëzakonshme të këtij liqeni, Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Hidromorava” dhe Komuna e Gjilanit, kanë gjetur disa alternativa për të siguruar ujin. Ndër të tjera është paralajmëruar edhe reduktim i furnizim me ujë.

Liqeni artificial i Përlepnicës së Gjilanit po thahet. Nga 30 metra sa është niveli më i lartë i ujit, ka rënë në 9.10 metra. Shkak i kësaj thatësie është mungesa e të reshurave.

“Niveli i ujit nga 30 metra ka rënë në 9.1 metër. Arsyeja është mungesa e të reshurave atmosferike”, deklaroi për RTV Dukagjinin, Muhamet Suliqi.

Por për të siguruar ujë, Komuna e Gjilanit dhe kompania rajonale “Hidromorava”, kanë gjetur disa alternative, përcjell Telegrafi.

Suliqi thotë se do të ketë reduktime të ujit, përderisa u ka bërë thirrje qytetarëve që të kenë kujdes së si e shfrytëzojnë.

“Kemi gjetur edhe alternativa tjera. Do të aktivizojmë tre puse të FSK-ja dhe te vendi i quajtur “Fidanishtja”, ku shumë shpejt do të hyjnë në funksion për ta zbutur thatësirën. Kemi edhe burime tjera që janë duke funksionuar”, shtoi më tej Muhamet Suliqi.

Ndërkohë, kryetari i Gjilanit, Lutfi Haziri tha se komuna është mobilizuar bashkë me kompaninë “Hidromorava”.

“Ne kemi menaxhuar sipas Ligjit në fuqi me të gjitha hapat që kërkohen që nënkupton fillimin e kufizimeve në përdorim deri në 14 orë në disa lagje dhe pjesë të qytetit, gjetjen e burimeve alternative për të injektuar në zbutjen e gjendjes. Komuna e Gjilanit ka ndarë 200 mijë euro në këtë drejtim”, deklaroi Lutfi Haziri.

Komuna e Gjilanit në qershor të këtij viti pati shpallur gjendje emergjente për shfrytëzimin e ujit të pijshëm.  E nga mungesa e ujit në Liqenin artificial të Përlepnicës, mund të mbesin pa ujë rreth 50 mijë banorë të Gjilanit. /RTV Dukagjini/Telegrafi/