Albin Kurti: Dorëheqje e vonuar, për arsye të gabuar

Në selinë e Lëvizjes Vetëvendosje! të shtunen është mbajtur konferencë për media, lidhur me zhvillimet e fundit politike në vendin tonë. Në konferencë kanë foluar kryetari Albin Kurti, i cili ka thënë se që nga dhjetori i vitit të kaluar kanë nisur të vvijnë ftesat  për komandantët dhe luftëtarët e UÇK-së nga Gjykata Speciale. Me 3 gusht bëhen 4 vjet prej kur u ndryshua Kushtetuta e Kosovës me amandamentin nr.24 për t’i hapur rrugë Speciales e cila hyn brenda trupit të Republikës sonë dhe me kusht që të mbetet sipër saj. Me 82 vota PËR e patën pranuar atë që është e paimagjinueshmja. UÇK-në të cilën e lanë jashtë Deklaratës së Pavarësisë dhe jashtë Kushtetutës së Republikës, e futën brenda Gjykatës Speciale! Është mirë që televizioni publik të ritransmetojë seancat plenare të Kuvendit të Republikës të 26 qershorit dhe 3 gushtit 2015.

“Sot ne i vuajmë pasojat e qëndrimeve të liga dhe të vendimeve të gabuara vite më parë, kur politikanë përfaqësues, zyrtarë të lartë, që më shumë e deshën vetveten sesa kombin dhe shtetin, Kosovës ia bënë Gjykatën.

Dhjetëra luftëtarë po intervistohen. Nuk dihet kush do të akuzohet. Askush nuk e din këtë. Ish kryeministri Haradinaj as nuk është arrestuar dhe as nuk është akuzuar. Pra, ish kryeministri as nuk është në burg dhe as nuk ka aktakuzë. Do të intervistohet nga prokuroria e specializuar si dhjetëra luftëtarë e komandantë të tjerë. Që nga Rrustem Mustafa – Remi, Komandant i ZO të Llapit, te Sylejman Selimi, Komandant i Përgjithshëm i UÇK-së, e deri te Sokol Dobruna, Kryetar i Gjykatës Ushtarake të UÇK-së, tashmë që të gjitha këta e shumë janë intervistuar. Duket se janë intervistuar edhe politikanë të tjerë e zyrtarë të lartë shtetërorë të cilët nuk kanë preferuar që kjo gjë të jetë apo të bëhet publike” , ka thënë Kurti.

“Se a intervistohesh nga Prokurori i Specializuar si kryeministër apo si u.d. i kryeminitsrit, kjo s’përbën dallim për Gjykatën Speciale. Dallimi është në Kosovë, jo në Hagë. Nuk e kemi më një qeveri që ishte e mbrapshtë dhe e pashpresë ashtu siç ishte e madhe. Tash shpresa është te ndryshimi, te zgjedhjet, te liria, te demokracia, te vetëvendosja.

Ish kryeministrin e kemi paralajmëruar disa herë shumë herët. Sa më afër gjarpërit, aq më i rrezikuar je. Rexhep Selimi e pat paralajmëruar ish kryeministrin që të ketë kujdes nga puthja e gjarpërit, mirëpo e mbani mend se si ai u pat shfryrë kundër Rexhep Selimit në një seancë plenare.

Po të mos kalonte demarkacioni i gabueshëm me Malin e Zi, do të binte presidenti Thaçi. Deri me 21 mars të vitit të kaluar, Haradinaj e kishte kapur gjarpërin për koke. Pas 21 marsit 2018 kur u ratifikua demarkacioni ‘Meha’, Haradinaj e mbante gjarpërin për bishti.

E kemi lutur ish kryeministrin që të mos e mbështesë demarkacionin me Malin e Zi. Na shpërfilli. Gati 500 ditë pas ratifikimit, askund nuk e kemi korrigjimin e premtuar që na e kthen kufirin në Qafë të Çakorrit, në Kullë të Zhlepit e me Bjelluhën brenda Kosovës. E kemi lutur kryeministrin të na e mbështesë mocionin opozitar që ia ndalon presidentit negocitatat për territor. Na shpërfilli. Kuvendi i Kosovës ende nuk ka rezolutë që ia ndalon presidentit pazaret me territorin e shtetit sepse vazhdimisht na u pamundësonte kuorumi.

Presidenti Thaçi duhet të na thërrasë për të caktuar datën e zgjedhjeve. Kaq. I bëj thirrje të mos e zvarrisë proceduralisht procesin drejt zgjedhjeve të lira e demokratike. Kosova sot nuk ka qeveri. Kosova duhet të bëhet me qeveri të re. Mirëpo, për këtë duhet të flasin qytetarët njëherë. Qytetarët duhet të zgjedhin. Qytetarët duhet të përcaktohen.

Ne po i mobilizojmë si Lëvizje VETËVENDOSJE! strukturat tona dhe do t’i përgatisim ato për zgjedhje të reja. Fundja edhe letra e dorëheqjes së ish kryeministrit ishte fillim i fushatës. Kosova ka nevojë për shpresë. Kosova ka nevojë për të zgjedhur, sepse ka nevojë për qeveri të re, e cila sjell edhe prokurori të guximshme, edhe prokurim të ndershëm, edhe punësim për popullsinë, edhe barazi për qytetarët edhe mirëqenie pa diskriminim”, ka thënë në fund Albin Kurti.