Manifestimi i kërçovarëve, kurorë identiteti e arritjesh në shtetin helvetik

Prej vitesh i Shoqata Kulturore Kërçova në Zvicër organizon manifestime të mëdha në kuadër të festave të Ditës së Flamurit, kështu ishte edhe të shtunën me 16 Nëntor në qytetin e Niedergösgenit në kantonin e Aargaut, ku qindra pjesëmarrës patën rastin të kënaqen me program tejet simpatik artistik .- Kryetari i komunës së Kërçovës, Fatmir Dehari çmoi lartë arritjet e kërçovarëve  në shtetin helvetik dhe kontributin e tyre për vendlindje

Teksti e fotot: Rexhep Rifati

Tashmë në shtetin helvetik janë në vlug me dhjetëra manifestime kulturore kushtuar 28 Nëntorit , ditës se shpalljes së pavarësisë së shtetit shqiptar. Kjo datë historike shënohet me ngjarje dhe pjesëmarrje masive në shumë lokalitete të Zvicrës.

Sa i përket masivitetit në këtë shtet padyshim se vendin e parë si shoqatë e zen Shoqata Kulturore Kërçova e cila në disa raste tubon edhe mijëra mërgimtarë , shumë nga të cilët shquhen edhe me arritje kulturo- arsimore e shkencore, sidomos në fushën e mjekësisë. Edhe programi i fundit i manifestimit tradicional ishte një dëshmi e këtyre arritjeve, gjë që këtë e vunë në pah si kryetari i shoqatës Resul Mehmeti ashtu edhe kryetari i komunës së Kërçovës Fatmir Dehari, i cili thuaja se në çdo manifestim vjetor të kësaj shoqate është pjesëmarrës.

Kryetari i Shoqatës Kërçova, Resul Mehmedi duke iu drejtuar mërgimtarëve të shumtë me një përshëndetje në veçanti përshëndeti edhe pjesëmarrjen e profesorit Tahir Hasanin, të ftuar të veçantë për këtë manifestim si dhe kryetarin e komunës së Kërçovës, Fatmir Deharin.

Me këtë rast Resul Mehmedi vuri në pah dy datat historike që kremtohen me krenari gjatë këtij nëntori: Kongresin  e Manastrit 1908 dhe ngritja e flamurit më 28 Nëntor në Vlorë 1912, duke kujtuar sakrificën e kombit tonë përgjatë shekujve që nga periudha jonë më e lavdishme historike, atë të Heroit tonë, Gjergj Kastriotit Skënderbeut, etapë kjo që shënon lavdinë dhe krenarinë shqiptare. Kryetari i shoqatës krahas falënderimit që i bëri anëtarëve të kryesisë familjeve, shoqatave simotra e sponsorëve, përfundoi me një falënderim të madh për grupin artistik “Kërçova” në Zvicër që është krenaria e kësaj shoqate.

Kryetari i komunës së Kërçovës pasi përmendi veprimtarinë e madhe të shoqatës dhe të vet mërgimtarëve që edhe në këtë vend të huaj ruajnë me krenari identitetin e tyre kombëtar shqiptar iu drejtua pjesëmarrësve me fjalët : se ju jeni shembull i gjallë i gjithë brezave që keni bërë aq shumë për vendlindje. Duke e veçuar si pjesë më të bukur brezin e vajzave e djemve që edhe në këtë mbrëmje demonstruan një program të bukur artistik me këngë e valle e kostume të bukura tradicionale kërçovare.

Pavarësisht që jeni shkëput vetëm fizikisht nga vendlindje ju asnjëherë nuk i shkëputët lidhjet shpirtërore dhe krahas asaj që keni arrit majat më të larta, vendlindjen e kanë pas përherë të parën. Një vatër e si kjo përplot krenari, e stolisur me flamuj kombëtar ashtu si edhe në vet Kërçovën, dëshmon se ju jeni i shembulli më i mirë dhe një virtyt shtesë që të rinjtë tanë kudo që gjenden të njihen përherë krenar. Të ngrisim zërin e shqiptarëve kudo në botë, që të integrohemi si këtu në Zvicër, ku ky komunitet  këtu na ka prit, por që edhe ju me angazhimin tuaj jeni bërë pjesë krijuese e zhvillimore e këtij vendi emancipues perëndimor.

Ky manifestim i përshkuar me një program të përzgjedhur artistik me një koreografi nga profesor Xhemali Berisha, bëri të duartrokitet gjatë në sallë nga qindra pjesëmarrës. Krahas anëtarëve të grupit artistik që shquhet pos me kreacione të bukura vallesh e me kostume tradicionale, përplot ngjyra e kolorit mbrëmjen e begatuan edhe këngëtarë mysafirë që këtë manifestim tradicional e kthyen në një ngjarje sa festive aq  edhe popullore, thuaja se të një ambienti të ngrohtë familjare, që zakonisht mungon në mërgatë.

Në fund shoqata mirënjohje iu ndau disa personaliteteve kërçovare për arritje dhe kontributet e tyre dhënë shoqatës ndër të parët nga ta që mori mirënjohje ishte Dr. Med. Gafur Sherbeti, përndryshe këtu në Zvicër ka emra të shquar në fushën e mjekësisë me prejardhje nga Kërçova me rrethinë.