AGONIA INSTITUCIONALE E KOSOVËS PO VAZHDON

Kosova ka nevojë për organe shtetërore funksionale dhe legjitime e jo për organe shtetërore të pazareve politike, të cilat mbahen në këmbë me shantazhe dhe me filozofinë e zaptimit të çdo gjëje në emër të shpëtimit të Kosovës

 Shkruan: Gani Bajrami, Prishtinë

Koalicionit aktual qeverisës të Kosovës, të premten e javës së kaluar, PDK-ja ia dha një infuzion për ta vazhduar edhe më tej agoninë institucionale në të cilën tashmë një kohë të gjatë ndodhet vendi. Është fare e kuptueshme se vota PDK-së e ka çmimin e vet në pazarin politik për t’ia zgjatur agoninë pushtetit aktual, pushtet ky që mund të ketë çdo gjë pos pushtetit moral që i mungon, sepse nuk e kishte që nga fillimi.

PDK-ja e liderit të saj shpirtëror, Hashim Thaçi, në pranverë qe përkujdes deri në detajet më të vogla që mos të dështoj mocioni për rrëzimin e Qeverisë Kurtii dhe krijimi i shumicës së re parlamentare pa partinë fituese – Lëvizjen Vetëvendosje. Shumica e re parlamentare duke e grabitur vullnetin e sovranit zgjodhi një qeveri pa legjitimitet, e cila u dëshmua se nuk e ka as minimumin e votave në Kuvendin e Kosovës.

Rrëzimi i Qeverisë Kurti në pranverën e sivjetshme me komplot nga garda e vjetër politike kishte të vetmin qëllim për të mos e lëshuar pushtetin e korruptuar nga dora. Partitë parlamentare u bën bashkë për ta lënë në opozitë partinë fituese të zgjedhjeve dhe kësaj valleje i priu askush tjetër veç presidenti i atëhershëm i Kosovës, Hashim Thaçi, duke e instrumentalizuar edhe Gjykatën Kushtetuese të Kosovës dhe duke rrënuar çdo segment të demokracisë. Rrethanat e krijuara politike jo parimore nuk mbetën pa kundërefekt dhe Kosovës do t’i kthehen si bumerang.

Po kjo PDK, tani në fund të vjeshtës u përkujdes t’ia zgjasë agoninë institucionale Kosovës duke i ardhur në ndihmë LDK-së, së Isa Mustafës, jo kurrsesi asaj të Ibrahim Rugovës, që është strumbullar i koalicionit aktual qeverisës të Kosovës për ta miratuar Projektligjin për rimëkëmbjen ekonomike, i cili që nga gushti edhe pse rreth 10 herë u vu në rend dite nuk kaloi deri të premten. Meqë ky projektligj kaloi me votat e PDK-së dhe me kushtet të cilat i vendosi ajo, është dëshmia më e mirë se LDK-ja e Isa Mustafës nuk mund të bëjë asnjë hap pa ndihmën e PDK-së së Hashim Thaçit.

PRONTOMAFIA PO I FORCON RRËNJËT

Është shumë e vërejtshme se kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, si strumbullar i pazareve politike, me koalicionin aktual qeverisës, nuk mund të siguroj as minimumin e votave të deputetëve dhe si shpëtim e sheh bashkëngjitjen e PDK-së në qeverisje për të evituar shkuarjen në zgjedhje të reja parlamentare. Zgjedhjet nuk i duan asnjë nga subjektet politike pos Lëvizjes Vetëvendosje, sepse e dinë fare mirë së do të pësojnë humbje shumë më të madhe, sesa ishte humbja e LDK-së nga LVV-ja në zgjedhjet për kryetar të komunës së Podujevës.

PDK-ja po vazhdon lojën e saj që de jure të jetë në opozitë, por de fakto të jetë me koalicionin qeverisës sa herë i rrezikohet atij ekzistenca. Me këtë veprim PDK-ja po e luan me sukses rolin opozitë e opozitës, duke e ngritur pazarin e vet politik me koalicionin qeverisës dhe duke bërë përpjekje për shmangien e zgjedhjeve. Duke shmangur zgjedhjet e reja, PDK-ja me “klanin pronto” jo vetëm po vazhdon t’i mbajë peng institucionet dhe ekonominë e vendit edhe për një kohë, por me strukturën e saj që ka lëshuar rrënjë kudo, po i mbanë frerët e udhëheqjes.

Pas të premtes, PDK do ta ketë shumë më të lehtë synimin për funksionin e presidentit të Kosovës, sepse triumfalisht po e mban në dorë “xhokerin” për ta dërguar vendin në zgjedhje të parakohshme parlamentare, sepse deri më tani jo njëherë koalicionit ekzistues qeverisës i tregoi se është forcë pa të cilën ky koalicion në krye me LDK-në e Isa Mustafës nuk mund ta vazhdojë më tutje rrugën qeverisëse. Prandaj LDK-ja e Isa Mustafës e ka të qartë se produktin e vet të turpit, koalicionin qeverisës të pakicës, nuk mund ta mbajë pa ndihmën e prontomafisë. Ndërkaq, prontomafia interesat politike po i këmben me pozita të ndryshme në administratën shtetërore dhe në diplomaci, si dhe me favore të ndryshme biznesore e kështu me radhë. Prandaj çka i duhet PDK-së hyrja në qeveri kur në dorë i mban frerët e dirigjimit për Isa Mustafën dhe LDK-në e tij. Është për t’u dhimbsur se LDK-ja e Ibrahim Rugovës, nga një parti që ia ka pasur lakmi bota, është shndërruar në një paçavure në dorë të matrapazëve që i ka në udhëheqje.

A PO I AFROHET FUNDI MASHTRIMIT TË ELEKTORATIT ?

Skena politike kosovare aktualisht ka një diferencim të qartë. Lëvizja Vetëvendosje në një anë që kërkon njëherë zgjedhje e pastaj votim për presidentin e vendit dhe në anën tjetër subjektet e tjera politike që duan pushtetin pa zgjedhje dhe kanë gatishmëri për pazare politike për zgjedhjen e presidentit të vendit. Në rrethanat kur liderët partiakë janë ata që e kanë shkatërruan dialogun e brendshëm politik, arritja e konsensusit për një kandidat për president duket i pa arritshëm. Ndërkaq, pa dialogun e brendshëm politik asnjë shoqëri nuk ka mundësi të ekziston. Liderët tanë politikë në vend të dialogut preferojnë pazaret politike. Në këto pazare politike vota e deputetëve u këmbye dhe po këmbehet me pozita të ndryshme në administratën shtetërore dhe në diplomaci, me favore të ndryshme biznesore e kështu me radhë. Mungesa e plotë e moralit në politikë e ka kthyer politikën në matrapazllëk, maskarallëk, mashtrim që mund të jetë i barabartë me tradhtinë kombëtare. Janë një mori faktesh që shpijnë në këtë konstatim dhe Kosovën e bëjnë të veçantë, diçka me vete që vështirë haset në vendet e tjera që pretendojnë se janë demokratike.

Kosova ka nevojë për organe shtetërore funksionale dhe legjitime e jo për organe shtetërore të pazareve politike, të cilat mbahen në këmbë me shantazhe dhe me filozofinë e zaptimit të çdo gjëje në emër të shpëtimit të Kosovës. Me qeveri pa legjitimitet, me parlament pa integritet dhe me kapje të shtetit në çdo segment nga ata që nuk zgjedhin mjete për ta mbajtur pushtetin, Kosova po shkon drejt anarkisë. Kosova aktualisht ka një parlament jokredibil, mbase edhe jashtë juridiksionit kushtetues. Si mund të konsiderohet ndryshe një parlament që me mbi dy të tretat e deputetëve e kanë braktisën verdiktin që ua dha votuesi, duke u rreshtuan në komplot për interesa personale të ish-presidentit të vendit, Hashim Thaçi dhe kryetarit të LDK-së, Isa Mustafa. A nuk e dogjën këta deputetë mandatin e fituar nga votuesi?! Rezoni i shëndosh thotë se me të gjitha normat pozitive kushtetuese ata braktisën mandatin që u dha votuesi dhe u shndërruan si marionetë, vegël në duart e Thaçit e Mustafës.

Lëmshi aktual i problemeve në Kosovë nuk zgjidhet pa zgjedhje të reja dhe pa reformën zgjedhore, të cilën me vite e ka penguar Hashim Thaçi. Zgjedhjet e fundit lokale në Podujevë, janë shembull tipik i mashtrimit të elektoratit dhe shpërfilljes së vullnetit të tij për interesa personale e karrieriste.

Duket se po i afrohet fundi mashtrimit të elektoratit. Elektorati më në fund ka filluar të rezonojë dhe votën nuk ua jap më mashtruesve dhe manipuluesve të vullnetit të popullit. Legjitimiteti i popullit është fuqi mbi të gjitha fuqitë.