Fabrika e Riciklimit të Mbeturinave dhe serra e bananeve
Nga Migjen Kajtazi
Inxhinieri Menti ka vite që zgjohet në orën pesë e tridhjetë të mëngjesit për të shkuar në punë. Është një zakon që i është bërë pjesë e jetës, një ritëm që nuk e tradhton kurrë. Por sot është një mëngjes i veçantë. Prandaj ai u zgjua pak më herët se zakonisht.
Pa bërë zhurmë, ashtu siç e kërkon protokolli i tij i përditshëm, shkon drejt kuzhinës dhe fillon të përgatisë kafen në xhezven e vjetër. Është një xhezve e trashëguar nga shtëpia e dikurshme e familjes. E ka ruajtur me një kujdes të veqantë. Ajo e ka shoqëruar edhe gjatë viteve që jetoi në Zvicër. Me të ka përgatitur mijëra kafe – në mëngjese të gjata dimri, në mbrëmje të qeta, apo në ditë kur lodhja kërkonte një pushim të shkurtër.
Drita e parë e mëngjesit depërton ngadalë mbi pullazet e shtëpive dhe mbi ndërtesat e larta që janë ngritur pas luftës në Kosovë. Qyteti zgjohet dalëngadalë. Në këtë qytet ka lindur edhe Menti.
Pothuajse të gjitha kursimet që kishte bërë në Zvicër ai i kishte investuar në këtë banesë, në katin e fundit të një ndërtese shtatëmbëdhjetëkatëshe. Dhe, si çdo mëngjes para se të nisej për në punë, ai dilte në ballkonin e madh për të pirë kafen. Nga aty mund të shihte qartë fabrikën e riciklimit të mbeturinave.
Ishte një fabrikë që mbante gjurmët e përpjekjeve të tij. Një projekt që e kishte ndjekur për vite me radhë. Madje edhe gjatë kohës kur jetonte në Zvicër, çdo sukses në punë e shihte si një hap më pranë realizimit të këtij projekti në Kosovë.
Ishte një ide që nuk e la të qetë për vite të tëra. Me këmbëngulje dhe argumente të shumta arriti të bindte edhe autoritetet zvicerane dhe ato kosovare për domosdoshmërinë e një fabrike të tillë. Mbrojtja e natyrës, menaxhimi modern i mbeturinave, prodhimi i energjisë – të gjitha këto u bënë pjesë e vizionit të tij.
Me kalimin e viteve, projekti mori formë. Nga mbeturinat filloi të prodhohej energji elektrike, energji termike dhe avull industrial. Në të njëjtën kohë zhvillohej edhe riciklimi i metaleve, mes tyre edhe metale të çmuara që e bënin fabrikën ekonomikisht të qëndrueshme.
Por Menti nuk u ndal vetëm këtu.
Energjia e prodhuar nga fabrika filloi të përdorej për ngrohjen e qytetit. Pastaj u ndërtuan sisteme për ngrohjen e serrave bujqësore. Toka që dikur shërbenin për depo të braktisura tregtare u shndërruan në serra prodhuese me perime të freskëta.
Një tjetër projekt solli ndërtimin e një baseni të madh për rritjen e peshqve. Shumë shpejt, peshku i prodhuar aty filloi të furnizonte restorantet jo vetëm në Kosovë, por edhe përgjatë bregdetit verior të Shqipërisë. Ndërsa pinte kafen, të gjitha këto kujtime kalonin njëra pas tjetrës në mendjen e inxhinier Mentit. Ai hodhi një vështrim nga ora dhe buzëqeshi lehtë. Kishte ende kohë për cigaren e parë të ditës.
Dielli i mëngjesit kishte filluar të ngrohë qytetin. Pullazet e shtëpive shkëlqenin në dritën e re të ditës, ndërsa mbi to qëndronin tufat e pëllumbave që lëshonin gugatje të buta e të përsëritura.
Ishte një tingull i qetë, që i sillte Mentit një ndjenjë paqeje.
Megjithatë, kjo ishte një ditë e veçantë.
Ai mbaroi kafen dhe thithi tymin e fundit të cigares. Pastaj e shtypi filtrin në filxhanin e zbrazët. Forma e shtrembëruar e filtrit tregonte një nervozizëm të lehtë që ai përpiqej ta fshihte edhe nga vetja.
Si gjithmonë, pastroi xhezven dhe filxhanin me kujdes. Pastaj u nis drejt shkallëve të ndërtesës.
Ashensorin nuk e përdorte pothuajse kurrë. Kishte gjithmonë frikën e një ndërprerjeje të rrymës apo të ndonjë defekti të papritur. Përveç kësaj, zbritja nëpër shkallë i jepte kohë për të menduar.
Me çdo kat që zbriste, ai ndiente sikur po kalonte edhe një herë nëpër gjithë rrugën e jetës së tij profesionale.
Sot do të prezantonte projektin e ri. Nuk do të ishte vetëm. Do të ishin të pranishëm ministra, zyrtarë të lartë dhe një numër i madh gazetarësh.
Ai kishte përgatitur një prezantim të detajuar. Projekti ishte ndër më të veçantët në rajon.
Por kishte edhe një vendim tjetër që do ta shpallte atë ditë.
Pas gjithë këtyre viteve pune, kishte vendosur të dilte në pension.
Mendimi për këtë vendim e kishte shoqëruar për muaj të tërë. Megjithatë, ideja se do të kishte më shumë kohë për familjen e tij i sillte një ndjenjë të ngrohtë qetësie.
Ai e dinte se prezantimi i projektit do të ngjallte shumë pyetje. Për to ishte i përgatitur.
Vetëm një gjë nuk e dinte.
Si do ta prisnin politikanët këtë projekt.
A do ta shihnin si një arritje të përbashkët…
apo do të përpiqeshin ta paraqisnin si fryt të punës së tyre?
Projekti kishte të bënte me shfrytëzimin e energjisë së fabrikës për ndërtimin e serrave të mëdha për prodhimin e bananeve.
Një ide e pazakontë për këtë rajon.
Një ide që me siguri do të hapte shumë debate dhe ta shofim nëse politikajtë identifikoheshin me ketë projekt të prodhimit të bananeve …


















