Afrim Nevzadi – Syri i Artë i Fotografisë Shqiptare në Zvicër
Në mesin e profesionistëve që me punë të heshtur dhe përkushtim të pashoq e nderojnë komunitetin tonë në Zvicër, spikat emri i fotografit të njohur Afrim Nevzadi. Afrimi prej vitesh është një figurë e dalluar në botën e fotografisë profesionale zvicerane.
Pas mbarimit të një specializimi dyvjeçar në Cyrih, në drejtimin peizazhi natyror, ai u kualifikua si fotograf profesionist, ndërsa sot njihet si një prej fotografëve me më shumë integritet, qetësi dhe art në syrin e aparatit.
Pasioni për natyrën e ka çuar të vizitojë ambiente të rralla zvicerane, shpesh të paarritshme për të tjerët, të cilat ai i kthen në fotografi që prekin shpirtin. Në konkurrimet e shpeshta në qytetin e Cyrihut, punimet e tij – falë cilësisë së lartë profesionale – kanë zënë vendin e parë, duke dëshmuar vlerën dhe talentin e tij të veçantë.
Por Afrimi nuk është vetëm fotograf i peizazheve madhështore. Ai është edhe kronisti i heshtur i komunitetit shqiptar në Zvicër. Me aparatin gjithmonë në dorë, i përkushtuar dhe i qetë, ai udhëton nga njëri skaj në tjetrin të Zvicrës për të ndjekur aktivitetet e “Shkollës Shqipe” dhe të diasporës.
Tek fëmijët tanë – nxënësit e shkollës shqipe – ai gjen inspirimin më të pastër. Mundohet të kapë momentet më të veçanta, buzëqeshjet më spontane, çastet që flasin më shumë se fjalët. Prania e tij është gjithmonë e natyrshme, diskrete dhe profesionale.
Përveç punës së tij për mediat zvicerane, Afrimi kontribuon prej vitesh edhe në portalin prointegra.ch, ku fotografitë e tij i japin jetë dhe vlerë çdo ngjarjeje që pasqyrohet.
Prej shumë vitesh jeton dhe vepron në Cyrih, duke mbetur një urë lidhëse mes artit, diasporës dhe rrënjëve shqiptare.






















