Trupi i një gruaje është një univers që lind, rrit dhe ushqen jetën. Gjiri dhe mitra, dy qendra themelore të këtij universi, janë më shumë se organe biologjike, ato janë simbole të dashurisë, kujdesit dhe vazhdimësisë së njerëzimit. Prandaj, kur kanceri i prek ato, goditja nuk është vetëm fizike: ajo prek shpirtin, prek jetën, prek vazhdimësinë.
Nga Shqipe Bytyqi
Kanceri i gjirit është më i përhapuri ndër gratë në botë, ndërsa kanceri i mitrës, qoftë ai i qafës apo endometrial, shpesh lidhet me virusin HPV dhe ndryshime hormonale. Të dyja këto sëmundje, kur zbulohen herët, janë të shërueshme. Por frika, stresi dhe mungesa e informacionit i shtyjnë shumë gra drejt diagnozave të vona.
Pas çdo diagnoze fshihet një histori njerëzore. Një të tillë e kam përjetuar në familjen time. Nëna ime, në moshë të re, u përball me kancerin e mitrës. Mjekët i rekomanduan operacion të menjëhershëm, por ajo zgjodhi të kalonte festat e fundvitit me familjen, me ne, fëmijët e saj. Ishte një akt dashurie dhe guximi që nuk harrohet. Mund tė ishte i fundit pėr te. Në sytë e saj pashë betimin e pathyeshëm “Unë do t’ia dal. Unë jam më e fortë se kanceri.” Dhe ndoshta kjo forcë shpirtërore i hapi rrugën shërimit. Nëna ime jetoi dy jetë.
Nga biseda me shumë gra qe kanë kaluar nëpër këtë përvojë, kuptova se secila prej tyre ka dy kapituj jete, para dhe pas kancerit. E rëndësishme është që kapitulli i dytë të jetë sa më i gjatë, sa më i bukur, sa më i lehtë. Por për ta arritur këtë në Kosovë, rruga është ende e vështirë.
Sistemi shëndetësor nuk ofron ende skrining të rregullt për zbulimin e hershëm të kancerit të gjirit dhe të mitrës. Vetëm rreth 80% e barnave esenciale janë në dispozicion në klinikat publike dhe pjesën tjetër pacientet duhet t’i sigurojnë vetë. Rehabilitimi pas operacioneve, fizioterapia, trajtimi i limfedemës, mbështetja për proteza pas mastektomisë apo kujdesi estetik mungon pothuajse krejtësisht. Po ashtu, mbështetja psikologjike dhe shoqërore shpesh mungon, dhe këtë boshllëk e plotësojnë organizata si “It’s worth living / Ia vlen të jetosh”, ku gratë ndajnë përvoja dhe e mbështesin njëra-tjetrën për të rifituar forcën dhe dinjitetin.
Valbona Kastrati, udhëheqëse e kësaj organizate në Gjakovë, bashkë me shumë gra te prekura nga kanceri, thotė: “Ia vlen të jetosh, ia vlen të luftosh!” Ajo falënderon Dr. Agron Abrashin, internist nga Zvicra, i cili në mënyra të ndryshme ka mbështetur këto gra dhe organizatën “It’s worth living / Ia vlen të jetosh”. Por jeta me kancer eshte e shtrenjtë, se përveç terapive bazike, trajtimet përcjellëse, ushqimi terapeutik, ilaçet shtesë dhe kujdesi pas terapisë janë një barrë qe shumë gra nuk mund ta përballojnë.
Apel për solidaritet
Ndihma dhe ndërgjegjësimi per kancerin nuk duhet të kufizohen vetëm në muajin tetor. Çdo ditë është nje mundësi për të bërë kontrollin, për të edukuar, për të mbështetur gratë dhe familjet e tyre, dhe për t’i ndihmuar financiarisht.
Le t’i japim çdo gruaje tė prekur nga kanceri shansin per një kapitull të dytë jete, më të lehtë, më të bukur dhe më të gjatë.


















