Aktivistët shqiptarë të sindikatës së punëtorëve Unia organizuan një ligjëratë për deklarimin e tatimit në Zvicër. Mesazhi: Gjithçka shkon më mbarë në mënyrë të konsultuar dhe të hapur. Rruga legale është gjitmonë më e sigurta.
Detyrë mbi detyra. Detyrë para të gjitha detyrave: Deklarimi i tatimit. Në Zvicër. Aty – pothuaj – fillon dhe mbaron patriotizmi. Aty fillon dhe mbaron mirëqenia e qytetarëve të Zvicrës. Dhe kjo është ndër mirëqeniet më larta në Tokën ku po jetojmë. Prandaj deklarimi i tatimit në Zvicër e ka këtë status që e ka. Prandaj ai është temë diskutimesh në logje të ndryshme. Prandaj…
Në ambientet e konferencave të sindikatës së punëtorëve Unia të Cyrihut dritat qëndrojnë ndezur. Të premten e 28 shkurtit të këtij viti nga ora 19 deri pas orës 21 të darkës! Një javë më e gjatë! Një fundjavë më e shkurtër…? Një grup shqiptarësh i kësaj sindikate në Zvicër kishte thirrur një takim. Një ligjëratë mbi tatimin! Deklarimin e tatimit. Dhe, deklarimin e tatimit nga këndvështrimi i Marrëveshjes për Mënjanimin e Tatimit të Dyfishtë.
S’e kanë për herë të parë. Ata prej vitesh organizojnë takime me tema aktuale dhe të dobishme me anëtarësinë shqiptare të këtij grupi sindikal. Por edhe me komunitetin. Takimet e tyre janë të hapura. 200‘000 anëtarë numëron sindikata e punëtorëve Unia në Zvicër. Dhe 20‘000 prej tyre e quajnë veten shqiptarë, rrëfen Sheqir Berisha, i cili bashkë me Violeta Ruoss dhe Xhafer Sejdiun i prijnë takimit.
Ata e kanë zgjedhur që rreth 30 të interesuarve për këtë temë t’u flasë ish bashkëpunëtori i tyre kontabilist, Gzim Dani. Ai i prezanton njëherë llojet e tatimeve që mblidhen në 26 kantonet e Zvicrës. Duke filluar nga ato në të ardhura dhe të pasurisë deri tek ato të pronës dhe të të dhënave. Mbi 15 lloje të tatimeve mblidhen në Zvicër!
Secili nga këto tatime ka rëndësinë e vet. Ato gjithsesi, për aq sa u përkasin qytetarëve, për një përllogaritje të drejtë dhe të papenalizuar, duhet të deklarohen me përpikëri. Njerëzit s’duhet të gënjehen nga deklaratat e miqve të tyre për faturën tatimore. “Çdo rast është më vete”, shprehet Dani. Kujt i vlon dëshira të krahasohet me tjetrin, ta shpalosë dosjen para specialistit.
Ajo për çka qytetarët duhet të jenë të vëmendshëm dhe të përgaditur është momenti kur një anëtar i familjes, për shkak të arritjes së moshës madhore, mbi 18 vjet, dhe duhet ta deklarojë tatimin veçmas. Ky ndryshim sjell detyrimisht një faturë më të lartë tatimore, e cila, varësisht nga rasti, mund të shkojë në më tepër se njëmijë franga.
Temë qendrore e ligjëratës së Gzim Danit ishte përfshirja e kontove dhe pasurive në vendlindje në deklarimin e tatimit në Zvicër. Ai pledon fort për këtë gjë. Këto realitete të vendlindjes, në fakt është dashur të konsiderohen edhe deri më tani. Por, nga janari i vitit të kaluar, kjo tanimë është bërë e detyrueshme.
Sipas tij, nga njëra anë, kjo për një rast imagjinar, me të ardhura vjetore prej 85’000 frangave në Zvicër, nuk sjell ndonjë barrë vërtet më të përfillshme finansiare. Përfshirja e pasurive të vendlindjes në deklarimin e tatimit në Zvicër, gjithmonë varësisht nga rasti, mund të shkojë në ndonjë qind franga zvicerane më tepër.
Nga ana tjetër, deklarimi i këtyre pasurive në formularët e tatimit në Zvicër, i lehtëson gjërat tjera, të cilat e presin një emigrant në Zvicër. Për shembull procedurën për përfitimin e asistencës plotësuese, që në Zvicrën gjermane njihet si “Ergänzungslesitungen”. Përndryshe, informacioni bankar tani shkëmbehet me automatizëm. Ndërkohë pasuritë kadastrale në vendlindje janë të aksesueshme nga autoritetet zvicerane.
Deklarimi fillestar i pasurive të vendlindjes në Zvicër zyrtarisht bëhet përmes një “vetëpadie”. Atëherë autoritetet bëjnë një përllogaritje në mënyrë retrograde për dhjetë vjetët e kaluara, por që, sipas përvojës së deri tanishme, ato e vlerësojnë hapin e “vetëdenoncimit”, duke e amnistuar deklaruesin nga barra e një dekade dhe përllogaritja fillon nga 01.01.2019.
Sipas Danit, gjithçka shkon më mbarë kur bëhet në bashkëpunim me specialistin e tatimeve. Njerëzit duhet të jenë të hapur dhe të mos bien pre e paragjykimeve, si ato të gjoja barrave të larta tatimore në rast kapitali në banka. Ata duhet të vënë në dispozicion gjithë dokumentacionin e nevojshëm. Për atë, rruga legale është më e shkurta dhe më e sigurta. Paqë me Zvicrën, paqë me veten!
Edhe një: Autoritet janë shumë të gatshme t’i dëgjojnë ankesat e deklaruesve të tatimit dhe t’i konsiderojnë arsyetimet e tyre të bazuara.
Debati i pjesëmarrësve në takim ishte i gjallë. Nuk ngeli pyetje pa u sqaruar.
Takimi i radhës i thirrur nga aktivistët shqiptarë të Unia-s është më 12 prill.





















