Uroj që fushata për zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Kosovë, e cila nisi sot zyrtarisht, të zhvillohet e qetë dhe në atmosferë demokratike, ndërsa njolla që iu vu Drenicës në fillim të javës në Skenderaj të mbetet një rast i izoluar
Shkruan: Gani BAJRAMI, Prishtinë
Që në fillim dua të theksoj se meqë nuk i takoj asnjë subjekti partiak i pata shtruar detyrë vetës që të heshti gjatë kësaj fushate zgjedhore, për dy arsye. E para, se është paralajmëruar si fushatë zgjedhore mjaft e egër, bazuar në gjuhën e disa liderëve partiakë, gjuhë kjo që jo rrallëherë kalon në degradim dhe në sulmet më të ulëta. E dyta, se kam miq të mirë në secilin subjekt garues që me dëshirë do t’i votoja, por këtë nuk e mundëson sistemi ynë zgjedhor, sepse duhet të votosh një subjekt partiak dhe vetëm kandidatët e atij subjekti.
Mirëpo, ajo që ndodhi në Skenderaj në fillim të kësaj jave, ku militantë të PDK-së penguan liderin e një partie politike, Albin Kurtin, të zhvillojë fushatën atje është një njollë turpi që është e vështirë të kapërdihet me heshtje. Nuk kam qëllim e as prirje që këtë incident ta lidhi, siç po ka tendenca, me primitivizmin drenicas, por nuk mund të mos them se incidentet e këtilla janë produkt i gjuhës fyese, denigruese dhe tejet armiqësore që po përdorët nga disa liderë partiakë të nivelit qendror dhe atij lokal.
Nuk duhet ndonjë dijeni e madhe për të kuptuar se PDK është në panik se mos po i ndodh ta humbet bastionin e saj – Drenicën siç i ndodhi LDK-së në bastionin e saj – Llapin pikërisht nga Vetëvendosja e Albin Kurtit, prandaj disa nga zyrtarët partiakë të nivelit qendror dhe atij lokal nga PDK-ja dhe LDK-ja e kanë ashpërsuar gjuhën sidomos ndaj Albin Kurtit dhe Vetëvendosjes, por edhe ndaj Vjosa Osmanit dhe listës së saj.
DRENICA NUK E MERITOI ATË NJOLLË TË KEQE
Uroj që fushata për zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Kosovë, e cila nis sot zyrtarisht, të zhvillohet e qetë dhe në atmosferë demokratike, ndërsa njolla e Drenicës në Skenderaj të mbetet një rast i izoluar. Sepse, Drenica e njohur për trimëri e qëndresë, për burrëri dhe mikpritje nuk e meritoi atë njollë të keqe.
Nuk dua t’i marrë si të vërteta ato që shkruan disa portale se paskan incizime se prapa turmës që brohoriti “Thaçi, Thaçi” dhe hodhi vezë mbi Albin Kurtin qëndron Sami Lushtaku, kryetar i Degës së PDK-së në Skenderaj, por dua të shtoj se Lushtaku me asnjë fakt nuk e argumentoi pohimin e tij se sulmi ndaj kryetarit të Vetëvendosjes, Albin Kurtit, erdhi si rezultat i provokimeve të vazhdueshme ndërmjet deklaratave që bënte për këtë zonë.
Një është e qartë, sipas bindjes time, se penguesit e Kurtit janë pasardhës gjenetik ose ideologjik të atyre që e patën lanë vetëm komandantin legjendar Adem Jashari në momentin më kritik të jetës, të cilët tani kishin për qëllim jo shumë ta turpërojnë Albin Kurtin sa nipin e Adem Jasharit, Bekim Hamëz Jasharin, i cili është në krye të komunës së Skenderajt. Por me këtë akt ata e turpëruan vetveten, por njollë të keqe i lanë Drenicës.
AMBICIET PËR PUSHTET ME ÇDO KUSHT HUMBIN ARSYEN DHE LOGJIKËN
Është i habitshëm reagimi i kryetarit të LDK-së, Isa Mustafa, i cili në një shkrim në Facebook, ka thënë se, nuk na ka hije të mbajmë zgjedhje të rrethuar me polici, me njësi speciale, zgjedhje nën tytat e armëve. Mustafa paska harruar se në çfarë rrethanash është zgjedhur president Hashim Thaçi dhe cili ishte roli i tij kryesor për t’ia bërë Thaçit votat. Nuk mund të anashkalohet reagimi i Isa Mustafës edhe pa një pyetje logjike: Kush aktualisht udhëheq me Policinë e Kosovës, Vetëvendosje apo LDK-ja me ministrin e saj? Nëse Albin Kurti paska vendosur dhe paska arritur të marrë me veti në Skenderaj gjithë ato forca policore, cili është roli i ministrit të Brendshëm të LDK-së?!
Ambiciet për pushtet me çdo kusht duket që e kanë humbur arsyen dhe logjikën te pjesa dërmuese e politikanëve tanë. Në këtë kontekst duhet përkujtuar një deklaratë shumë zhgënjyese dhe hiq fisnike të kryeministrit në detyrë, Avdullah Hoti, i cili është edhe kandidat i LDK-së për kryeministër. Në vend që ai të thotë se do të kujdesemi që si LDK të dalim fitues dhe ta marrim pushtetin, thotë: «Do të kujdesemi që kurrë të mos lejojmë që Vetëvendosje të vjen në pushtet”. A nuk është e habitshme kjo gjuhë dhe kjo frikë paranoike nga Vetëvendosje dhe Albin Kurti, e cila po del se nuk është frikë vetëm e Abdullah Hotit.
Rasti në Skenderaj dhe njolla e Drenicës në këtë fillimfushatë zgjedhore nuk ka se si të të mos kujtoj kohën e Presidentit historik të Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova, mbi të cilin u ushtrua një presion jo vetëm medial se përse ai nuk po e viziton Drenicën dhe Prekazin legjendar. Mirëpo, Rugova kishte vizion dhe e merrte me mend se po i përgatitej diçka që më së paku, sipas kreatorëve, do ta turpëronte Rugovën. Presidenti Rugova nuk e kishte hallin te vetvetja, po i dhimbsej turpi që do ti mbetej Drenicës. Rugova pranoi që atë “turp” të para përgatitur ta mbajë për vete, por jo t’ia lë Drenicës trime.