9 pikat e Vetëvendosje! për adresimin e krimit të luftës

Lëvizja Vetëvendosje! ka bërë publike nëntë pikat e tyre nëpërmjet të së cilave mund dhe duhet të adresohet krimi i luftës.

Pika e parë parasheh “Miratimin në shqyrtim të dytë i plotësim ndryshimit të Kodit të Procedurës Penale që lejon gjykimin në mungesë për krime luftë”.

Pika e dytë kërkon krijimin e një mekanizmi të posaçëm në kuadër të Policisë, Prokurorisë Speciale dhe Gjykatës Themelore për hetimin dhe gjykimin e krimeve të luftës, duke përfshirë numrin e nevojshëm të policëve, prokurorëve dhe gjyqtarëve si dhe stafit profesional.

Pika e tretë parasheh procedimin e projektligjit për themelimin e Institutit për hulumtimin e krimeve të luftës me mision të përcaktuar qartë, financim adekuat dhe me njerëz profesionistë dhe kompetentë, me status të përhershëm brenda Ministrisë së Drejtësisë. 

Pika e katër parasheh krijimin e një njësie të vecantë dhe të specializuar brenda Agjencisë së Kosovës për Forenzikë, që i verifikon faktet dhe dëshmitë e mbledhura për krimet e bëra.

Pika e pestë parasheh miratimin e një legjislacioni të vecantë për mbrojtjen e identitetit dhe të dhënave të viktimave të krimeve të Kosovës.

Pika e gjashtë parasheh krijimin e një komisioni parlamentar të përhershëm për krimet e luftës, krimet kundër njerëzimit dhe krimet e gjenocidit dhe dëmet e shkaktuara në Kosovë.

Pika e shtatë parasheh krijimin e një dege të vecantë në Universitetin e Prishtinës , në Fakultetin Juridik, për edukimin dhe specializimin e profesionistëve për këto cështje dhe mbështetja për edukim të vazhdueshëm brenda dhe jashtë vendit.

Pika e tetë parasheh anëtarësimin e Kosovës në Konventat e Gjenevës dhe Konventën kundër Gjenocidit.

Pika e nëntë parasheh shqyrtimin e rrugëve institucionale për përgatitjen e padisë së Republikës së Kosovës në GJND.