150 vjet nga mbjellja e një druri të rrallë nga Naim Frashëri në Sarandë

Në zemër të qytetit të Sarandës ndodhen dy drurë piperi, që këtu e 150 vjet më parë ishin sjellë në formë fidanësh nga Maroku dhe mbjellë nga duart e poetit tonë të madh, Naim Frashërit, derisa punonte në këtë qytet si doganier, por për fat të keq aty mungon qoftë edhe një tabelë e thjesht informacioni për këtë dru të rrallë

Nga Rexhep Rifati

Gjatë qëndrimit dyjavorë për pushime gjatë korrikut 2020 në Sarandë, vizitova edhe disa lokalitete e monumente, por gjithnjë kisha kërshërinë të vizitoj edhe pemën që mbolli Bilbili i gjuhës shqipe, Naim Frashëri, që për afro një shekull e gjysmë ka mund ti mbijetojë kohës, por ku për fat të keq mungon qoftë edhe një tabelë apo mbishkrim sado e vogël për te. Bëhet fjalë për pemën e piperit në Sarandë.

Me disa rreshta në librin e tij këtë pemë e pat shënuar edhe poeti që ndërroi jetë vite më parë, Moikom Zeqo, i cili kishte mësuar nga  eksperti Jashar Bello, përgjegjës i Gjelbërimit në Bashki, i cili ka konfirmuar se ajo që thuhej nga banorët në formën e një gojëdhëne, është fakt. Dhe se pema në vitin 2020 ishte 145-vjeçare dhe që ishte mbjellë në kohën kur, Naim Frashëri punonte doganier në këtë qytet.

Edhe në buzëmbrëmjen e 20 Korrikut 2020, kur vizitova këtë pemë të rrallë me një kujtesë historike, pashë se ajo është në një gjendje jo edhe aq të mirë, marrë parasysh edhe kohën kur është mbjellë, por sidoqoftë, mungesa qoftë edhe një tabele sado të vogël informacioni nuk mund të arsyetohet. Ndërsa që vetëm disa metra larg pemës ndodhet edhe muzeu “Tradita”, ku në ballinën e murit është gdhendë portreti i Naimit, edhe në shenjë të punës dhe jetës së tij në këtë qytet, perle kjo e detit Jon. Po aty realizova një foto të bërbashkët me aktorin e madh sarandjot, Anastas Nika, djali i të cilit, Anxhelo më shoqëroi gjete vizitës që i bëra drurit të rrallë të piperit mbjell nga Naim Frashëri.

Për të shkuar deri te kjo pemë, mund të orientohesh vetëm nga banorët e zonës, por edhe në saje të një busti të ish- ministres së jashtme të Shteteve të Bashkuara, Hillari Klinton, që gjendet përballë oborrit ku gjendet pema e mbjellë nga Naimi.

Pema e rrallë që Naim Frashëri mbolli në Sarandë, një monument që sot kërkon shpëtim

Dëshmia e Moikom Zeqos: «…Do të përmend me nderim mikun tim, shkencëtarin e bujqësisë Ahmet Osja, i cili qe i pari që më kumtoi se në qytetin e Sarandës ndodhen dy drurë piperi, këto drurë ishin sjellë në formë fidanësh nga Maroku dhe qenë mbjellë nga duart e Naim Frashërit.

Me këtë rast për portalin tonë po e japim edhe një shkrim të gazetares Alba Malltezi, që bënë fjalë për këtë pemë të rrallë, mbjell nga dora e të madhit Naim Frashëri:

Pema e madhe e piperit është aty, në zemër të Sarandës, në vendin e braktisur që është ende në një ankand shtetëror të bërë e të anuluar. Mund të këtë sot 145 vjeç dhe mezi mbahet në këmbë. Kushedi kush e dëshiron këtë vend në kërthizë të qytetit e shpresojmë që një njëri i mirë ta marrë e ta vlerësojë. Apo ndonjë që as nuk do t’ja dijë për pemën e piperit?

Pakkush e di që Rilindasi ynë Kombëtar, Naim Frashëri, ka jetuar e punuar në Sarandë për pak vite në të largëtin 1874-76. Ishte nëpunës i doganës së qytetit jugor dhe në këtë kohë mik i çmuar i Hasan Tahsinit. Me disa ditë pushime në qytetin tonë në breg të detit Jon, edhe unë duke shijuar bukuritë, mikpritjen, ushqimin, kërkova me ngulm të gjeja ndonjë gjurmë të Naimit. Librin e Moikom Zeqos mbi Naim Frashërin e Bektashizmin “Syri i Tretë” e kisha lexuar, por një rilexim pas ikjes së tij nga kjo jetë, më erdhi natyrshëm ta bëja. Dhe aty, në faqen 281 ka një dëshmi befasuese, një sinjal, një shenjë: “… Do të përmend me nderim mikun tim, shkencëtarin e bujqësisë Ahmet Osja, i cili qe i pari që më kumtoi se në qytetin e Sarandës ndodhen dy drurë piperi, këto drurë ishin sjellë në formë fidanësh nga Maroku dhe qenë mbjellë nga duart e Naim Frashërit. Naim Frashëri tani nuk është më, por drurët e piperit janë, të çuditshme si dy qenie jashtëtokësorësh në këto brigje jonike, si dy emigrantë të habitshëm dhe të pa shpërbëshëm në klimën dhe peizazhin jonik…”, shkruante Moikom Zeqo në 2001, 19 vite më parë.

Në Sarandë pak e dinë këtë histori. Disa nuk e kanë dëgjuar asnjëherë, por gazetari i Report Tv Limos Didani e gjeti pemën e vjetër të piperit. Ishte këtu. Në qendër të qytetit bregdetar, në një vend të braktisur e ndoshta më të lënin pasdore se kudo.