Festa e Abetares në Ostermundingen shënohet me një program të pasur shkollor

Më 22 qershor në Ostermundingen, falë organizimit të mirë të Këshillit kantonal të LAPSH-it të kantonit të Bernës kjo festë shkollore u kremtua me një program të larmishëm, ku pos që u ndanë diplomat për nxënës u tha se shkolla shqipe paraqet një flakadan që reflekton përherë një dritë magjike.

Nga Hava kurti

Këtë ditë të rëndësishme e nderuan me pjesëmarrjen e tyre, përfaqësues nga ambasadat dhe miq e mike të shkollës shqipe: Ilir Gjoni, Ambasador i Shqipërisë, Rrahim Morina, Ministër- Këshilltar në Ambasadën e Kosovës në Bernë, Kryetari i LAPSH-it për Zvicër, Nexhat Maloku, koordinatorja e LAPSH-it, për kantonin e Bernës, Saime Isufi, Hava Kurti Krasniqi, publiciste dhe autore e librit ,,Legjendat e futbollit- Vëllezërit Xhaka „, Gentjana Tafili, këngëtare e mirënjohur e këngës qytetare, Shpresa Sylejmani, edukatore dhe kitariste dhe Brikela Andrea-Nune, bashkë me ekipin e televizionit Diaspora TV Switzerland. Programin e udhëhoqi me një shqipe shumë të bukur e me një sens humori shqiptar, Malisha Gashi ish nxënëse shkollës shqipe Ostermundingen e cila tani e kishte vajzën në shkollën shqipe.
Me këtë rast ambasadori i Shqipërisë z.Gjoni falënderoi mësuesit dhe prindërit për angazhimin, ndërsa ministri këshilltar z.Morina foli për rëndësinë e gjuhës shqipe. Programi ishte shumë i pasur, kurse ësueset ishin shumë të angazhuara. Pati këngë e valle, prezantime e recitale. Mësuesja Ida me zërin e saj të bukur e uroi secilin nxënës me dorë e plot zemër. Në pyetjen se a jeni lodhur mësuese, Ida u përgjigj „buzëqeshja e nxënësve dhe entuziazmi i tyre për të mësuar gjuhën tonë na jep forcë në këtë mision“.
Po në këtë manifestim, nënat në korin e tyre kënduan këngë të vjetra të cilat sollën nostalgji për publikun. Shkrimtarja Hava Kurti Krasniqi i uroi nxënësit për diplomim duke u dhuruar librin e saj “ Legjendat e futbollit, Vëllezërit Xhaka“ Ajo ndër të tjera tha se: „Gjatë kohës që kam shkruar librin, tregimet e librit ia dërgoja mësues Ida dhe ajo i lexonte me nxënës, ata më motivonin të vazhdoja me tregimet. Shkolla shqipe është flakadani me flakën më magjike që na e sjell Atdheun para syve“
Darka ishte e pasur me shumë ushqime të cilat i kishin sjellë nënat e nxënësve dhe shkolla shqipe në fund të programit dhuroi lule për nëna e mësuese. Vlen të përmendet shërbimi i nxënësve të rritur në darkë dhe kujdesi i tyre me respekt ndaj mysafirëve.