Një lajm i mirë ka ardhur për të gjithë shqiptarët pensionistë që jetojnë në Zvicër. Të mërkuren Parlamenti i Zvicrës ka miratuar marrëveshjen me Kosovën për pensionet, me 115 vota pro, 60 kundër dhe 2 abstenime.
Dhoma Nacionale e Parlamentit të Zvicrës ka ratifikuar këtë marrëveshje, ndërsa gjithashtu ka votuar kundër kërkesës së SVP-së për referendumin fakultativ lidhur me këtë marrëveshje.
Por, seanca nuk ka kaluar pa debat lidhur me këtë cështje, debat ky i cili është nisur nga deputeti i CVP-së Benjamin Roduit, i cili nuk ka kaluar pa përmendur problemet që i kanë pasur me implementimin e kësaj marrëveshje në vitin 2010, me c’rast edhe e kanë ndërprerë atë. Ai ka thënë se pa këtë marrëveshje, sipas vlerësimeve që janë bërë në vitin 2017, shumë më tepër kosovarë vendosin të qëndrojnë në Zvicër, ndërsa kostoja përmbledhë një shumë prej 16 milion franga në vit, prandaj edhe është rekomanduar miratimi i kësaj marrëveshje.
Ndërsa, kundër kësaj marrëveshje ka qenë deputeti i SPV-së nga Neuchateli Raymond Clottu, duke kërkuar gjithashtu nënshtrimin e një referendum fakultativ. Sipas tij, korrupsioni që mbizotëron në Kosovë e bënë atë një shtet fragjil, prandaj edhe ka vlerësuar se një marrëveshje e tillë nuk është aspak efektive.
Lidhur me këtë marrëveshje ka folur edhe ministry Alain Berset, i cili ka thënë se bëhet fjalë për kontributin e personave të cilët për shumë vite kanë punuar për mirëqenien e Zvicrës. Sipas tij, kjo marrëveshje i jep mundësinë atyre të mos ushtrohet padrejtësi ndaj punës dhe mundit të tyre në Zvicër.
Ndryshe, Kosova është shteti i vetëm trashëgimtar i ish-Jugosllavisë, më të cilin Zvicra nuk ka marrëveshje në fushën sociale.



















