Vendorë – Diasporë

Pa pritur e pakujtuar! Diaspora u shpif në krye të agjendës së medieve në Kosovë. Për një kohë pothuaj u harrua pandemia. U harrua vaksina. U harruan të infektuarit. U harruan të vdekurit! Shkrepën fishekzjarre mendimi dhe imagjinate. Diaspora qenkësh e pakultivuar. E trashë. Pa dije e pa shije. Faqja e zezë e shqiptarëve. Me një fjalë – dhe kjo është perla e këtij ligjërimi – ajo as ka pare, as bën pare. Fjala ishte për Diasporën kosovare, me të cilën – duhet pranuar – protagonisti u tregua i mëshirshëm, sepse ajo nga Maqedonia (e Veriut) qenkësh ende më e katandisur.

E dinim pak më ndryshe, por ta zëmë për një çast se është ashtu. Sikur qëndron e tëra. Të gjithë këtë përrua fjalësh pa takt dhe karar ta marim për të mirëqenë. E çfarë pastaj? Cili është morali i këtij diskursi? Ç’ju kujtua kjo tani? Ku do të dalë me këtë? E tëra tingëllon sikur nuk mund të indentifikohemi më me njëri-tjetrin. Sikur e kanë për turp që jemi farë e fis. Falemnderit për pasionin tuaj për ne, por nuk i duam shërbimet tuaja. Tingëllon si një thirrje për t‘i shpërfillur mërgimtarët. Për të mos i bërë hesap. Për t’i leçitur…

Shkrehje të tilla janë dëgjuar aty këtu edhe më parë. Për koincidencë, nga periferia e politikës. Por, një ditë u tmerruan edhe analistët e fushatës parazgjedhore: 100 mijë emigrantë, më pak a më shumë, llogaritet të votojnë në zgjedhjet e ardhshme në Kosovë! Diaspora do të prodhojnë rreth dhjetë deputetë të parlamentit të ardhshëm të Kosovës! Dhe kjo nuk është më e keqja. Më e keqja është se këta dhjetë deputetë do të jenë pothuajse të gjithë të Lëvizjes Vetëvendosje. Kjo përjetohet gati si një ndërhyrje në punët e brendshme!

Ndonjëri s’i kishte bërë hesapet me kohë. S’ia kishte prerë mendja që mund të vinte kjo ditë. As poshtë në vend, as lart në emigracion. Ndonëse kemi të njëjtën frymë. Pas luftës, partitë politike shqiptare ishin tërhequr nga Diaspora. Mbase edhe sepse nuk ia kishin nevojën më, por këtë e përligjnin me domosdonë e Diasporës për t’iu dedikuar statusit të integrimit të saj në shoqëritë nikoqire. Ajo mund t’i shërbente vendlindjes me ngjitjen e pjesëtarëve të saj në pozita me prestigj dhe pushtet. Po edhe me investime të mirëfillta ekonomike…

Këtë hapësirë të krijuar nga partitë e vjetra tani e zuri një parti e re. Dhe, për hir të së vërtetës, ajo ia ka bërë mirë hyzmetin ruajtjes dhe trashjes së marrëdhënieve me Diasporën. Ajo nuk kërkoi këtu një arkë për finansimin e aktiviteteve idealiste e materialiste të saj. Para së gjithash, identifikoi aty një rezervuar të kulluar votash për rritjen e saj politike. Ky ishte edhe një zbulim kundrejt përhapjes gjithnjë e më të madhe të blerjes së votës së popullatës së varfëruar nga partitë e vjetra. Cila më shumë e cila më pak.

Identifikohet ashiqare një korrelacion ndërmjet kësaj fryme dhe diskualifikimit të Diasporës. Një investim për ta demoralizuar atë, për ta tëhuajsuar. Pse jo: për ta intimiduar! Ajo të cilën ata nuk e konsiderojnë në ligjërimin e tyre të dëshpëruar është fakti se në zgjedhjet e një vendi kanë të drejtë të votojnë të gjithë qytetarët e tij! Qofshin këta gjenij, apo mediokër. Qofshin bujarë, apo dorështrënguar. Qofshin të pasur, apo varfër. Vendorë, a mërgimtarë. S’jemi në sistemin politik të Aristotelit, i cili i përjashtonte, ndër të tjera, të huajt, si barbarë.

Aq më tepër që Diaspora nuk është e huaj. Ajo është e lidhur me njëmijëenjë fije me vendlindjen. Në një masë të madhe ka përshkuar të njëjtin socializim. Aq më tepër që në vendet ku jeton emigracioni shqiptar po diskutohet për përfshirjen në zgjedhjet e vendit edhe të emigrantëve. (Në disa rrafshe politiko-adrministrative kjo tani më zbatohet njëmend). Ku propozohet që për hir të rritjes së legjitimitetit të politikës, zgjedhje të zhvillohen çdo dy vjet. Ku po diskutohet që pragu i moshës për pjesëmarrje në zgjedhje të ulet në 16 vjet…

Votimin e diasporave nuk e kanë zbuluar shqiptarët. Nga kjo perspektivë, cila shoqëri demokratike e ka luksin ta refuzojë interesimin e emigrantëve për të participuar politikisht në vendin ku i kanë rrënjët? Një shije të hidhur lë patjetër çdo ndërmarrje, sado e mbuluar, për ta përdorur atë. Në çfarëdo mënyre. Qoftë duke e përjashtuar nga zhvillimet në vend. Duke e mbajtur si dekor. Qoftë duke e stërsensibilizuar për kauzat partiake. Duke e shpërqëndruar nga detyrimet dhe mundësitë në vendin nikoqir.

Me pak fjalë, debati i stisur për qenien, mendësinë, shprehitë, maniret, kapacitetet… e Diasporës nuk i solli anjë dobi opinionit publik. Në fakt i kreu një shërbim të keq, duke i fryrë smirëzisht paragjykimet ndërmjet njerëzve të së njëjtës kulturë, të cilët për arsye që njihen jetojnë në vende të ndryshme. (Për Diasporën mund të thuhet që gjithmonë e më tepër jeton sipas modelit transnacional, i cili i mundëson të veprojë njëkohësisht në dy realitete…) I fryu fragmentimit të mëtutjeshëm të tërësisë së vogël shqiptare në avazet jug-veri, Kosovë-Shqipëri, i majtë-i djathtë…

Një debat për Diasporën, sidomos në raport me zgjedhjet, do të krisë pas mbajtjes së tyre. A do të jetë ai i mirëfilltë, i thelluar, i specializuar, interdisiplinar, i mbarsur me të dhëna empirike, dije të sistematizuar dhe ide të reja? Një i tillë mund t’i shërbejë orientimit të Diasporës, por edhe aktorëve të tjerë që e modelojnë performansën tonë të përgjithshme. Kjo nuk iu vjen në mendje medieve. Ato janë kapur nga gazetarët, politikanët dhe këngëtarët. Sikur nuk ekzistojnë as sociologë, as etnologë, as ekonomistë, as demografë, as psikologë, as pedagogë, as…, as…!