Të dielën në Uster të Cyrihut promovohet romani i Muharrem Blakajt ”Zana e Shën Martinit”

Promovimi i romanit më të ri të këtij autori, që nga Zvicra begaton letërsinë shqiptare, në lokalet e Shoqatës “Bashkimi” që nga ora 13, në adresën Berchtoldstrasse 10/ 8640 Uster.- Do theksuar se shkrimtari  Muharrem Blakaj me prejardhje nga Istogu e me banim në Zvicër, brenda një dekade ka botuar edhe romane voluminoze, me një tematikë tejet interesante, si: “Misioni sekret”, “Thesaret e humbura” , “Atentat brenda germës L” e  “Paraardhësit”, por edhe proza të tjera tregimtare që për temë kanë ngjarje tejet dramatike të popullit tonë në dekadat e fundit

Në mërgatën shqiptare nga viti në vit po dalin në dritë shkrimtarë e vepra me vlerë, duke u bërë kështu pjesë e pandarë e kulturës së përgjithshme shqiptare. Në mesin e krijuesve tanë që tashmë ka lënë gjurmë në letrat tona është edhe shkrimtari, Muharrem Blakaj me banim në Zvicër. Ai është me prejardhje nga Vrella e Istogut dhe në Zvicër ka migruar për shkaqe politike, por që pikërisht këtu e ka intensifikuar veprimtarinë e tij krijuese, veçmas në prozë.

Proza e Blakaj, përshkohet me tipare të letërsisë bashkëkohore të trilerit artistik, duke e bërë autorin të hyjë në radhën e romancierëve më të frytshëm e cilësor në mërgatë, ndaj edhe shpresojmë se edhe romani i tij i fundit që do të promovohet në Uster, nuk ngel mbrapa atyre të mëparshmëve që kanë tërheq me të madhe kërshërinë e lexuesve.  Muaj më parë romani ”Zana e Shën Martinit” u promovua edhe në qytetin e Ferizajt. Shkrimtarit dhe mikut tonë Muhamerrem Blakaj i dëshirojmë shumë urime në këtë dhe promovimet tjera, duke e falënderuar për këtë organizim edhe shoqatën „Bashkimi“ në krye me Guxim Alushin.