E mërkurë, 28 prill 1999, Kukës : “NATO do na kthejë te shpijat tona”

Në paraditen e djeshme, te shkallët e ndërtesës së TV Kukësit shoh një grup fëmijësh të Pllajnikut. M’u duken të njohshëm se kishin recituar poezi në nji mbasdite letrare do ditë më parë.

I pyes: “Ç’është NATO?”

Me sy e fytyra që u ndritin përgjigjen menjëherë: “NATO asht qielli plot me aeroplanë, që hedhin bomba me djegë armët e ushtrisë e policisë serbe”,

  • thotë Gjelbërime

“NATO asht e mira që po e mund të keqen”, – thotë Merlinda Domazeti.

“NATO do na kthejë te shpijat tona”, – thotë Bekir Qusaj.

“NATO do na kthejë në shkollë”, – thotë Nurije Qusaj dhe, tek i ndritin sytë përplas duart.

“NATO asht hero”, – përgjigjet Besar Quaj.

“NATO”, – e merr fjalën prap Bekir Qusaj, –

“lufton në qiell, kurse UÇK-ja në tokën e Kosovës”.

Sot, aty kah mesdita gazetarja Blerina Hoxha më thotë se ka vërejtë se këtu, në Kukës, kur bie shi  njerëzit janë më të mërzitur dhe jo pse bie shi, por se NATO e ka hapësinën më t’errët për të vepruar. Por, shton ajo, e keqja nganjëherë e ka brenda të  mirën. Ky shi që po bie e mban larg epideminë që pret të shfaqet prej çastit në çast.

I them se në këtë pikë shiu është anësor, pasi janë njerëzit, që po përpiqen ta mbajnë epideminë sa më larg. I them gjithashtu se, sot në mëngjes, aty pranë shtëpisë ku unë banoj, në krah të shkollës “Lidhja e Prizrenit”, pashë dy gra që po lanin fëmijët e tyre të vegjël. Gratë më thanë se e nxehin  ujin në tenxhere të mëdha, në zjarrin që e ndezin  mu mbrapa ndërtesës së shkollës. Më thanë se, qyshse erdhën këtu banojnë pranë shkollës dhe shpesh nxehin ujë në kusi apo tenxhere të mëdha me la teshat dhe fëmijët e tyre të vegjël.

( Nga Ditari i shkrimtarit Petrit Palushi, Kukës)